Ekspertët takohen në Bruksel për Implementimin e marrëveshjes IBM

Hartimi dhe nënshkrimi i protokollit teknik të IBM-it është obligim që del nga marrëveshja e arritur në Bruksel më 2 dhjetor të vitit të kaluar, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe mbështetjen e SHBA-së.
Ekipi i ekspertëve të Kosovës ka dal me qëndrimin që protokolli teknik duhet të finalizohet dhe të nënshkruhet pa vonesë dhe se ai duhet të bazohet në modelet ekzistuese të konceptit të IBM të zhvilluara nga BE në Ballkanin Perëndimor, siç është rasti me menaxhimin e integruar të kufirit midis Shqipërisë dhe Malit të Zi në pikën kufitare në Muriqan.
Për këtë qëllim, pala kosovare ka dorëzuar një draft propozim të protokollit teknik të IBM të bazuar në protokollin teknik të Muriqanit, bënë të ditur Zyra për komunikim publik e kryeministrit të Kosovës.
Sipas, saj, Protokolli parasheh që në të gjitha pikat kufitare me Serbinë do të zbatohet koncepti i IBM dhe do të operojnë të gjitha agjencitë shtetërore të zbatimit të ligjit siç janë policia kufitare, doganat, veterina dhe fitosanitaria etj.
Takimi i ardhshëm i ekspertëve do të mbahet në ditët e ardhshme.