Diskutohet ndryshimi i Ligjit për Vetëqeverisje Lokale
Për shkak të vështirësive gjatë zbatimit në praktikë të ligjit për vetëqeverisjen lokale nëpër komuna, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Asociacioni i Komunave të Kosovës kanë diskutuar për mundësitë e ndryshimit dhe plotësimit të këtij ligji.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Sllobodan Petroviq, duke folur për rëndësinë e këtij ligji ka kërkuar nga kryetarët e komunave që të paraqesin sugjerimet e tyre rreth pikave që duhet të ndryshohen në këtë ligj.
“Ky ligj është njëri nga parakushtet e shumë proceseve, duke llogaritur procesin i cili do të jetë në Komisionin Evropian. Kështu që ju kisha lutur që maksimalisht të jemi të kyçur në këtë proces që të gjejmë zgjedhje më të mira, për ndryshimin dhe plotësimin e këtij ligji, sepse kjo do të ketë një rëndësi shumë të madhe për shoqërinë kosovare”, ka thënë Petroviq.
Besnik Osmani, sekretar i përgjithshëm i MAPL-së, ka thënë se projektligji është në fazën përfundimtare dhe se kjo ministri është e obliguar që në muajin e ardhshëm këtë ligj ta procedojë për miratim në Kuvend.
Ndërsa, Bajrush Xhemajl, kryetar i Asociacionit të Komunave dhe Komunës së Ferizajt, tha se amendamentimi i ligjit ka nisur për shkak se kryetarët e komunave kanë vërejtur zbrazëtira gjatë implementimit në praktikë.
“Kemi kërkuar që ky ligj së bashku me ligjet e tjera, siç është ligji për menaxhimin e mbeturinave të ujit dhe ai i ndërmarrjeve publike të dërgohen në Parlamentin e Republikës së Kosovës si pako ligjesh. Arsyeja e kësaj kërkesë është që në të ardhmen të mos kemi problem me implementimin e legjislacionit dhe që ligjet e lartpërmendura të jenë në harmoni të plotë me njëri-tjetrin”, ka thënë Xhemajli.
Për më tepër, Xhemajli ka kërkuar që ky ligj dhe disa ligje tjera si Ligji për Mbeturina, Ujë dhe Shërbime Publike duhet të shkojnë për miratim në Kuvend si pako e ligjeve dhe jo të ndara.
Ndërsa kryetar i komunës së Shtimes, Naim Ismajli, ka kërkuar që kryesuesi komunal të zgjidhet nga partitë që janë shumicë në kuvendet komunale.
“Unë kam një propozim shumë konkret që kryesuesi të zgjidhet nga partia që është shumicë, një model që e ka Kuvendi i Kosovës. Kjo do të siguronte në njëfarë forme një funksionalitet më të mirë të funksionimi të kuvendit. Është shumë norma që ajo parti që fiton shumicën e votave në një komunë të caktuar duhet të ketë kryesuesin nga ana e vetë”, ka thënë Ismajli.
Debati për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për vetëqeverisjen lokale ka vazhduar diskutimet edhe gjatë ditës. /kosovapress/