E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kosova” e Buxhovit promovohet në SHBA

Autori i mbi 34 titujve veprash, Jusuf Buxhovi, ka udhëtuar gjatë javës në disa qytete të SHBA, duke marrë pjesë në kremtimet e mërgimtarëve për 28 nëntorin dhe duke paraqitur kumtesa në organizime intelektuale dhe tubime për promovimin e librit “Kosova”.

I shoqëruar nga përfaqësues të shtëpisë botuese Jalifat Publishing, shkrimtari dhe historiani Buxhovi nisi një turne në rajonin Midwest, duke ndaluar me radhë pranë komuniteteve shqiptare në Madison të Uisconsinit, në Detroit të Miçigenit, si dhe Çikago, Illinoi. Në paraqitjen e tij në një simpozium për 28 nëntorin të organizuar nga Kisha Katolike ‘Zoja Pajtore’ e Detroitit, Buxhovi cilësoi shpalljen e pavarësisë në Vlorë si përmbyllje të ecurisë që nisi me Lidhjen e Prizrenit dhe arriti fuqinë më të madhe me Kryengritjen e Kosovës në gusht 1912, kur Perandoria Osmane, më në fund u detyrua të pranojë shqiptarët si subjekt i pakapërcyeshëm, me çka atyre me ‘Katërmbëdhjetë Pikshin’ iu pranua statusi autonom. Me këtë rast, Buxhovi tha se Hasan Prishtina është ndër më të merituarit për krijimin e parakushteve që do të çojnë te akti i shpalljes së pavarësisë.

Me vlerësimin e Buxhovit rreth faktorëve që sollën te akti i shpalljes së pavarësisë u pajtuan që të gjithë pjesëmarrësit e simpoziumit, ku promovimi i “Kosovës” ishte pjesë qendrore e këtij manifestimi. Me këtë rast, historiani Nijazi Mehmeti nga Maqedonia vlerësoi se Kosova e Buxhovit hap çështje të rëndësishme që historiografia jonë deri më tash i ka anashkaluar.

Vlerësime të ngjashëm për “Kosovën” u dhanë edhe në Çikago me rastin e promovimit të “Kosovës”, që u bë nga Shoqata Shqiptaro-amerikane, ku autorit iu bë një pritje e përzemërt. Me këtë rast, Iliaz Kadriu tha se “Kosova” paraqet njërën ndër ndërmarrjet më të rëndësishme të historiografisë shqiptare në përgjithësi, meqë autori pati guximin që t’i marrë në shqyrtim çështjet fondamentale prej nga shqiptarët dalin me rrënjë të forta nga antikiteti e tutje. Qëndrimi i Buxhovit rreth pellazgëve është qëndrim shumë i guximshëm, që si hipoze të duhet të dëshmohet edhe nga të tjerët, në vend se të kundërshtohet.

“Kosova” e Buxhovit ka vazhduar rrugëtimin nëpër SHBA mu në datën historike të 28 nëntorit në Hjuston, ndërkohë që promovimi i fundit do të mbahet në Nju Jork, më 1 dhjetor nga “Vatra”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›