Një klub i madh nga Serie A dëshiron Berishën

Këtë e ka konfirmuar menaxheri i prishtinasit, Enver Raça, në një intervistë për të përditshmen sportive shqiptare “Sport Ekspres”. Sipas menaxherit kosovar, i cili vepron në Kroaci, për Berishën interesim kanë shprehur tri klube të mëdha nga elita e futbollit italian.
“Etriti do të luajë nga janari në një klub të kampionatit italian. Janë tre pretendentët, por mos më kërkoni emra. Nuk e kam zakon të flas për këtë pa u bërë gjithçka zyrtare. Duam që gjithçka të mbyllet përpara fillimit të muajit janar në mënyrë që Etriti të fillojë punën në ditën e parë të hapjes së transferimeve”, tha Raça.
“Mund të konfirmoj që bëhet fjalë për klube me emër italianë. Njëri prej tyre madje është superklub. Ky klub më thotë që jemi shumë të interesuar për Berishën, pasi e kanë ndjekur dhe e kanë pëlqyer atë, por unë nuk jam shumë i sigurt që do të bëhet. Jam i sigurt që do të bëhet në klubet e tjera, që janë të një niveli pak më të ulët, por gjithnjë në Serinë A”, shtoi ai.
Raça ka konfirmuar se njëri nga klubet që synon ta transferojë Berishën gjatë afatit kalimtar të janarit është skuadra e Bolognas.
“Po, mund ta konfirmoj që njëri prej këtyre klubeve është Bolonja. Edhe klubet e tjera mund t’i merrni me mend, pasi janë klube që kanë ndërmend të shesin portierët e tyre titullarë. Mund t’i kuptoni lehtësisht duke parë mediat italiane”, ka përfunduar Raça.