“Ldkistët” e AAK-së kundër koalicionit me PDK-në

Një anëtar i kryesisë së kësaj partie në kushte anonimiteti i ka thënë “Epokës së re” se Ldkistët dhe disa të tjerë që nuk kanë lidhje me formimin e AAK-së, e të cilët mbajnë poste të larta, po e kundërshtojnë koalicionin e përfolur me partinë më të madhe në vend.
“Sa i përket koalicionit të përfolur me PDK-në, sigurisht se ka edhe kundërshtime nga brenda AAK-së, por kundërshtimet më të forta për mos-hyrje në koalicion me PDK-në janë nga individët të cilët u janë bashkangjitur AAK-së, konkretisht nga ata që kanë ardhur nga LDK-ja dhe që sot ushtrojnë funksione të larta në AAK”, ka thënë burimi i gazetës.
I njëjti burim ka bërë me dije se çdokush në këtë subjekt mund të mendojë ndryshe, por në fund për një gjë të tillë do të vendosin organet e partisë.
“Çdokush në AAK mund të mendojë ndryshe, kjo është demokratike, por janë organet e partisë të cilat vendosin për çdo çështje dhe aty arrihet konsensusi për çdo temë apo veprim të mëtutjeshëm të AAK-së, në këtë rast edhe për koalicion”, është shprehur burimi.
Një kundërshtim i një koalicioni të tillë po vërehet edhe në prononcimet publike edhe të disa zyrtarëve që dikur kishin të afërm në LDK e që sot janë pjesë e AAK-së. Konkretisht Burim Ramadani, që aktualisht është sekretar i përgjithshëm i kësaj partie, edhe të hënën ka thënë se qeveria aktuale duhet të ndërrohet sa më shpjet që është e mundur.