E Diel, 1 Nëntor 2026

“Louis Berger” ankohet për parregullsi në tenderin për mbikëqyrjen e autostradës

Prishtinë, 19 gusht - Kompania e franceze “Louis Berger” ka deponuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit ankesën për diskualifikimin e kësaj kompanie nga gara për tenderin e “Mbikëqyrjen e ndërtimeve dhe shërbimet e menaxhimit në autostradën Vërmicë - Merdar”, në të cilin tender, javën e kaluar fitues është shpallur konsorciumi italian “Merlino Progeti & Politecnica”, shkruan sot gazeta Koha Ditore.
Sipas gazetës, zyrtarisht, ankesa e kompanisë franceze për tenderin në fjalë është deponuar në OSHP të martën pas mesdite, pak orë para se të skadonte afati për pranimin e ankesave për këtë tender.
Zyrtarë brenda Organit Shqyrtues të Prokurimit kanë thënë se brenda pak ditësh do të formohet një komision i ekspertëve, i cili do të shqyrtojë ankesën. Një kopje e ankesës, ashtu siç kërkohet me ligj, është dërguar edhe në Ministrinë e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit.
Shefi i prokurimi i kësaj ministrie, Nexhat Krasniqi, nuk ka pranuar të takohej me gazetarët e “Kohës Ditore” për të dhënë përgjigje në lidhje me procedurat e shpalljes së fituesit për tenderin e mbikëqyrjes së punimeve në autostradë. I kontaktuar nga gazeta përmes telefonit, Krasniqi ka thënë se për çdo detaj duhet të bëhet kërkesë me shkrim në arkivin e kësaj ministrie dhe më pas kërkesa të shqyrtohet nga zyrtarët e ministrisë. Sipas fjalëve të Krasniqit, tek pas disa ditësh do të vendoset nëse duhet të jepet përgjigje në lidhje me kërkesën e parashtruar. (Tekstin e plotë mund ta lexoni në botimin e sotëm të  Kohës Ditore)

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›