“Nuk ka si Mourinho”
Që nga largimi i Jose Mourinhos nga Italia, skuadra e Interit nuk po arrin ta gjejë rrugën e suksesit. Katër pasardhës të portugezit, duke përfshirë edhe trajnerin aktual, Claudio Ranieri, nuk kanë arritur ta rikthejnë skuadrën në formën e duhur, në lojën të cilën zikaltrit e zhvillonin në drejtimin e Mourinhos, me të cilin fituan kurorën e trefishtë.
Duke filluar nga Rafa Benitezi, e për të vazhduar me Leonardon e Gian Pier Gasperinin, tifozët e Interit kanë qenë dëshmitarë të rënies së vazhdueshme të skuadrës së tyre të zemrës. Drejtori i përgjithshëm i Interit, Ernesto Paolilo, ka pranuar se pasardhësit e Mourinhos kanë pasur detyrë shumë të vështirë për të përmbysur të arriturat e portugezit.
“Nuk është lehtë të ulesh në bankën e skuadrës sonë pas Jose Mourinhos. Ai është një trajner fenomenal. Përveç kësaj, arritjet e tij flasin qartë. Jemi dëshmitarë të asaj që ka arritur ai këtu. Ai ka fituar gjithçka që ka qenë e mundur të fitohet. Prandaj, të gjithë trajnerët që vijnë pas tij këtu në shpinën e tyre kanë një barrë të madhe”, ka thënë Paolilo.