“Po rritemi së bashku”

Zyra e projektit Asistenca Teknike për Organizatat e Shoqërisë Civile - TACSO, në Kosovë, të martën ka bërë publikimin e studimit të titulluar “Po rritemi së bashku”, i cili ka për qëllim ngritjen e kapaciteteve të përgjithshme të organizatave të shoqërisë civile në fushën e pjesëmarrjes qytetare në procesin e vendim-marrjes dhe theksimi i rëndësisë së bashkëpunimit në mes qeverisë dhe shoqërisë civile në kuadër të këtij procesi.
Në përgatitje të këtij publikimi, TACSO ka bashkëpunuar ngushtë me Fondacionin Kosovar për shoqëri civile (KCSF).
Me këtë rast, Ardita Metaj-Dika, nga Projekti Technical Assistance for Civil Society Organisations (Asistenca Teknike për Organizatat e Shoqërisë Civile), zyra në Kosovë, ka thënë se TACSO ka për qëllim fuqizimin e shoqërisë civile brenda një demokracie pjesëmarrëse dhe të stimulojë një ambient dhe kulturë miqësore të shoqërisë civile, si dhe të fuqizojë kapacitetet e përgjithshme të organizatave të shoqërisë civile në shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqi.
“Objektivë kryesore e projektit është rritja dhe fuqizimi i kapaciteteve dhe aktiviteteve të organizatave të shoqërisë civile, në mënyrë që ato të luajnë një rol substancial në proceset demokratike të vendit. Komisioni Evropian në mënyrë të vazhdueshme ka nënvizuar rëndësinë e pjesëmarrjes së shoqërisë civile në procesin e integrimit të vendeve kandidate, qoftë në komunikatat e tyre, qoftë në dokumentet strategjike, të cilat publikohen kohë pas kohe”, ka thënë Metaj-Dika.
Ndërsa shtoi se e gjithë kjo për të siguruar një proces kualitativ të integrimit, çka do të thotë se pjesëmarrja e qytetarëve nëpërmes organizatave të shoqërisë civile kontribuon në një proces kualitativ të integrimit në Bashkimin Evropian
Gjithashtu, ajo theksoi se KE në raportin e progresit për Kosovën, në mënyrë të vazhdueshme nënvizon rëndësinë që shoqëria civile të jetë më i involvuar në procesin e hartimit të politikave të vendimmarrjes dhe gjithashtu i ka kërkuar qeverisë të shfrytëzojë më mirë kapacitetet e organizatave të shoqërisë civile.
Më tej, ajo tha se publikimi i projekti TACSO synon të prezantojë dhe të analizojë bazën ligjore dhe pjesëmarrjen e shoqërisë civile në hartim të legjislacionit dhe zbatimin e saj në Kosovë.
Ndërsa, Edis Agani, menaxhere e projekteve në kuadër të zyrës ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë, ka cekur disa gjëra thelbësore të projektit TACSO, për të cilin projekt tha se është me karakter regjional i menaxhuar nga KE në nivel të Brukselit, ndërkohë që ka folur për prioritetet e KE - vizavi zhvillimit të shoqërisë civile si në Kosovë ashtu edhe në rajon.
“Dialogu intensiv në mes shoqërisë civile dhe institucioneve qeveritare, mandej pjesëmarrja aktive e shoqërisë civile në procesin e vendimmarrjes, si dhe një avokim i mirëfilltë nga ana e shoqërisë civile që do t’i mbronte dhe do t’i promovonte interesat e shoqërisë të cilën këto organizata e përfaqësojnë janë disa nga prioritetet që i sheh BE-ja për një shoqëri të zhvilluar dhe të mirëfilltë civile. Këtë ne dëshirojmë ta shohim edhe në Kosovë dhe kemi përdorë instrumente të ndryshme në formë të asistencës financiare dhe në formë të ekspertizës për t’i parë këto prioritete në zhvillim e sipër edhe në Kosovë”, ka thënë Agani.
Ndërkaq, Taulant Hoxha, nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), si dhe autor i këtij studimi, ka bërë prezantimin e publikimit të titulluar “Po rritemi së bashku”, përfshirja e shoqërisë civile në procesin e hartimit të legjislacionit.
Në këtë publikim pjesëmarrës ishte edhe Besim Kajtazi, drejtor i Zyrës ligjore pranë zyrës së kryeministrisë së Kosovës, Shqipe Pantina, e cila ka shpalosur pikëpamjet e shoqërisë civile në Kosovë, si dhe në fund nga të pranishmit anë diskutuar përfshirjet e shoqërisë civile në procesin e hartimit të legjislacionit në Kosovë. /kosovapress/