E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kinema verore filma dhe dokumentare per pushuesit

Pasi e ftoi publikun të ndjekë filmat gjatë dimrit në sallën e kinemasë, Arkivi i Filmit ka vendosur të shkojë me projeksionet e pelikulave dhe dokumentarëve, aty ku njerëzit pushojnë. Drejtoresha e arkivit, Elvira Diamanti ka shpjeguar projektin i cili synon të argëtojë qytetarët dhe turistët gjatë pasditeve të verës.

“Me ardhjen e stinës së nxehtë nuk ka më kuptim t’i presësh spektatorët ose kinemadashësit në sallën tonë. Mendoj se është shumë më komode, e hijshme nga ana jonë që t’ua shfaqim dhe dërgojmë filmat aty ku janë, aty ku ndodhen me pushime. Është bërë një plan i detajuar duke filluar nga Shëngjini deri në jug, pra, në Sarandë”-thotë Diamanti.

Programi ku përfshihen kryesisht filma të shkurtër dhe dokumentar do të ketë lidhje me vendin dhe karakteristikat e zonës ku do të shfaqen.

“Përveç argëtimit ne kemi menduar edhe një vlerë njohje dhe kemi futur dokumentarë që kanë të bëjnë pikërisht me këto zona ku do të jepen. Psh. në Berat apo me zonën e jugut, me isipolifoninë një dokumentar i Ibrahim Muçajt”-thekson ajo.

Diamanti është e bindur se ky projekt do të arrijë të përmbushë disi edhe boshllëkun e aktiviteteve kulturore, ndërsa do të shtrihet më në lindje të kufirit si në Strugë e në Ohër.

Aurela Papadhima

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›