“Rilindja” shënoi simbolikisht jubileun
Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja shënoi simbolikisht vitin e jubileut të 65-vjetorit të saj me një takim të fundvitit të gazetarëve e punëtorëve në Pallatin e Rilindjes, nga i cili është dëbuar kundërligjshëm nga UNMIK-u dhe detyrimisht ishte mbyllur në vitin 2002.
Në një komunikatë të lëshuar me këtë rast, thuhet se edhe pas dëbimit Rilindja ka dalë me rreth 40 numra të jashtëzakonshëm protestues të kohëpaskohshëm, për të ruajtur emrin e traditën dhe kundërshtuar shkeljen e ligjit në rastin e saj.
"Gazeta historike, e lindur në kohën e frymën e Konferencës së Bujanit, pasi doli edhe për ngjarjen historike të shpalljes së pavarësisë dhe njohjet ndërkombëtare që pasuan, ka përmbyllë daljet me numrat e jashtëzakonshëm të kohëpaskohshem me paralajmërimin në ballinën e saj: Duke besuar në sundimin e ligjit në shtetin e Kosovës presim që nga numri i ardhshëm Rilindja të dalë përditë".
Sundim i ligjit – e drejtë e ligjshme e Rilindjes e garantuar edhe me Kushtetutë, bazuar në statusin e saj të ndërmarrjes shoqërore, është: privatizimi dhe ridalja e përditshme.
Për këtë është edhe shembulli i gazetave të rajonit, që kishin statusin si të Rilindjes, e që janë privatizuar dhe kanë vazhduar të dalin, madje pa asnjë ndërprerje.
Deri në privatizim, Rilindja pret krijimin e kushteve për të ridalë edhe me statusin që ka dhe realizimin e të drejtave të tjera të ligjshme, përfshirë kompensimin-qiranë për shfrytëzimin e lokaleve të saj nga disa ministri pas përfundimit të rinovimit nga Qeveria e Republikës së Kosovës të Pallatit që
ishte shkatërruar dhe dukej si një gërmadhë pas uzurpimit nga UNMIK-u.
Rilindja pret që Agjencia Kosovare e Privatizimit, nga e cila ka mbështetje, ta kryejë punën e vet pa vonesa për të drejtën e zgjidhjen ligjore për Ndërmarrjen Shoqërore Gazetare Rilindja.
Rilindja pret që për paditë që ka bërë për dëbimin e mbylljen e kundërligjshme dhe dëmet e shkaktuara ta kryejnë punën e vet edhe gjykatat”.
“Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja është një pasuri kombëtare, është një traditë 65-vjeçare, aq sa ka gazeta e njohur Le Monde e Parisit, e që krahasohet edhe me traditat e gazetave të tjera të shteteve euroatlantike, të demokracive më të përparuara në botë. Çdo vend normal në botë e ka gazetën e vet të traditës, dhe duhet ta ketë edhe Kosova”, thuhet në komunikatën e nënshkruar nga Behlul Jashari, kryetar i Këshillit Drejtues e kryeredaktor i “Rilindjes”.