Personalitetet e Vitit
As edhe një institucion tjetër nuk çoi më shumë kandar se Gjykata Kushtetuese e vendit gjatë vitit 2010.
Lëndët që u trajtuan aty nuk ishin aspak të lehta.
As numri i tyre nuk ishte për t’u nënvlerësuar.
Pesha e aktgjykimeve ishte e madhe, madje edhe përtej pritjeve në një vend që ka probleme serioze me sundimin e ligjit.
Por ajo që karakterizoi punën e 9 gjykatësve - tre prej të cilëve janë ndërkombëtarë - është vendosmëria për ta kryer punën që u takon.
Një “patate e nxehtë” në duart e gjykatësve më të lartë në vend ishte Rasti i Presidentit Fatmir Sejdiu.
Disa muaj pas këtij aktgjykimi të rëndësishëm dhe historik, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani tregoi edhe për shqetësim et e gjykatësve kur trajtojnë çështjet me peshë, siç ishte Rasti Sejdiu.
“Kur është marrë vendimi, ka qenë pyetja nëse ne duhet të kemi shqetësim të efekteve politike me vendimet tona. Ne interpretojmë aktin më sublim të një shteti që quhet Kushtetutë dhe për pasojë çdo interpretim i jonë mund të ketë pasoja serioze politike. Puna jonë nuk është që të kujdesemi për ato, por puna jonë është që të kujdesemi që zbatimi dhe interpretimi i Kushtetutës të jetë sa më konform atyre standardeve dhe atyre demokracive perëndimore, të cilat i synon Kosova” , kishte thënë ai.
Pasojat politike në Rastin e Presidentit nuk ishin të vogla - nxorën nga zyra më e lartë e vendit Fatmir Sejdiun duke i dhënë kështu fund karrierës së tij politike.
As rastet e tjera për të cilat vendosi kjo gjykatë nuk ishin më pak të vështira. Vendimi për rastin e logos së Prizrenit, vendimi për Rastin Qeska, në të cilin ishte i involvuar edhe Kryeministri Thaçi, nuk kaluan pa pasoja.
Rasti i Prizrenit kishte nxitur protesta, e vendimi për zgjedhje të parakohshme në Rahovec i kushtoi Partisë Demokratike të Kosovës me humbjen e kësaj komune.
Statistikat që prezantoi në fund të vitit kryegjykatësi, sjellin satisfaksion.
Enver Hasani thotë se qytetarët po i besojnë këtij institucioni.
Nga 203 lëndët që janë punuar gjatë vitit 2010, 74 janë trashëguar nga viti 2009. 123 lëndë të reja kanë arritur në Gjykatë, prej tyre janë zgjidhur 119.
Por vendimi i cili nxiti më së shumti debate ishte pa dyshim ai i Presidentit Sejdiu.
Akti i dërgimit të lëndës së Presidentit në Gjykatë është po aq epik, sa edhe vendimi i Gjykatës.
Sejdiu për shumë vjet kishte bartur mbi supe stigmën e shkelësit të Kushtetutës, por asnjë instancë nuk e kishte konstatuar këtë. Vetë Presidenti e kishte mohuar vazhdimisht se ka kontradiktë mes mbajtjes së dy pozitave, derisa përgjigja e tij konstante për këtë çështje ishte se ka ngrirë postin e Kryetarit të partisë - një formulim politik të cilin ai e kishte zbuluar për t’u përballur me opinionin.
Pakkush mund të ketë besuar se një figurë e lartë politike mund të bëhet subjekt i një procesi gjyqësor në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, e cila është autoriteti përfundimtar në vend, për interpretimin e Kushtetutës dhe përputhshmërisë së ligjeve me Kushtetutën.
Por dy deputetët, Naim Rrustemi dhe Driton Tali, ishin shfaqur të vendosur derisa kishin mbledhur nënshkrimet e deputetëve të Kuvendit të Kosovës për ta dërguar rastin në Gjykatë, edhe pse iniciativa e tyre kishte hasur në një rezistencë të madhe politike. Disa deputetë madje ishin bindur për t’u tërhequr nënshkrimet e tyre.
Por çështja e Presidentit megjithatë arriti të depërtojë në Gjykatë.
E tani, radha ishte te instanca më e lartë juridike në vend.
Nga ky organ pritej verdikti për atë që në opinion u njoh si “Rasti Sejdiu”, e në gjuhën e Gjykatës Kushtetuese si “Rasti KI 47/10 Naim Rrustemi dhe 31 deputetë të tjerë te Kuvendit të Republikës së Kosovës kundër Shkëlqesisë së tij, Fatmir Sejdiu, President i Republikës së Kosovës”.
Shumëçka ishte spekuluar nga 25 qershori i këtij viti, kur kërkesa e deputetit Rrustemi ishte deponuar në Gjykatë. Dikush parashikonte një proces që do të përfundojë në favor të Sejdiut për shkak të siç thuhej mungesës së provave kundër Shefit të Shtetit, e dikush kishte parashikuar saktë se verdikti do ta nxirrte “fajtor” Presidentin. Ata që kishin dalë publikisht në mbrojtje të Sejdiut ishin zyrtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës të cilët në paraqitjet publike nuk hezitonin ta quanin Sejdiun Kryetar të partisë, por nuk pranonin se ai e ka shkelur Kushtetutën.
“Në asnjë formë, në asnjë mënyrë”, thoshte njëri nga njerëzit më të e afërt të Sejdiut, i cili fliste me nervozë kur pyetej për këtë çështje.
Sido që të jetë, rasti ishte trajtuar seriozisht nga vetë Sejdiu, i cili kishte angazhuar një ekip të juristëve për ta përfaqësuar në Gjykatë.
Por kjo nuk i ndihmoi shumë.
Gjykata i dha fund kësaj çështjeje duke shpallur verdiktin më 24 shtator.
“Gjykata konstatoi, me shumice votash, se kërkesa e dorëzuar më 25 qershor 2010 është e pranueshme. Gjykata gjithashtu konstatoi se ka shkelje serioze te Kushtetutës se Kosovës, respektivisht të Nenit 88 .2, nga Shkëlqesia e tij, Fatmir Sejdiu, duke mbajtur njëkohësisht postin e Presidentit të Republikës dhe të Kryetarit të partisë politike Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK)”, u tha në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.
Lajmi u përhap rrufeshëm.
Presidenti Sejdiu reagoi ashpër pas kthimit nga New Yorku, një ditë pasi Gjykata e nxori shkelës të Kushtetutës. Cak i sulmit ishin gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese, e sidomos 7 prej tyre që kishin votuar pro vendimit se Sejdiu ka shkelur Kushtetutën
“Është në ndërgjegjen e njerëzve që kanë vendosur ashtu siç kanë vendosur. Unë nuk dua t’i fajësoj. Është çështje e studimit nga ana e tyre. Por dua të them diçka tjetër paralelisht - nuk është krijuar shansi të dëgjohen njerëzit që kanë prezantuar çështjen e Presidentit. Ka qenë një nguti e llojit të vet, nuk dua t’i akuzoj, mbase e ka lypur urgjenca që të shpejtohet dhe të komunikohet në mënyrën si është komunikuar”, kishte thënë Presidenti.
Ky reagim kishte nxitur debate në vend duke hedhur dyshime edhe për mundësinë e një aktgjykimi të politizuar nga ana e Gjykatës.
E, në kohën kur bëhet bilanci i punëve, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani vazhdon të jetë i bindur se vendimi ka qenë i drejtë.
“Sigurisht që vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka qenë në pajtim të plotë me Kushtetutën, me standardet e demokracive perëndimore mbi sundimin e ligjit dhe ndarjen e pushteteve, si dhe në pajtim të plotë me rolin unifikues që duhet ta ketë shefi i shtetit në demokracitë liberale”, thotë ai për Express.
Hasani shpjegon edhe qëndrimin refuzues të Sejdiut ndaj vendimit të Gjykatës, të cilën ai nuk e ka ndryshuar asnjëherë.
“Keqkuptimi të cilin e ka pasur Presidenti Sejdiu buron nga dy mendimet e kundërta mospajtuese të dy kolegëve tanë në Gjykatë. Mendimi mospajtues i dy gjyqtarëve të Gjykatës në asnjë mënyrë nuk e ka ulur fuqinë dhe peshën e vendimit të shumicës. Në Kosovë, mendimet e kundërta mospajtuese janë risi dhe ne duhet të mësohemi me to. Mendimi mospajtues është një e drejtë e gjyqtarit dhe një standard në punën e institucioneve gjyqësore dhe si i tillë duhet të kuptohet”, vlerëson Hasani.
Ai përjashton çdo mundësi që në këtë vendim të ketë pasur ndikim politik.
“Jo. Ju siguroj ju dhe, përmes jush, krejt qytetarët e Kosovës se, as unë e as kolegët e tjerë nuk kemi pasur asnjë presion”.
E, nëse është kështu, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese pa dyshim se është zhvillimi kryesor gjatë vitit 2010.
Një vendim i guximshëm dhe i drejtë.
Gjykata përfundimisht vendosi edhe një precedent pozitiv për sundimin e ligjit në vend.
Një aktgjykim historik.
Kjo është edhe arsyeja pse Gazeta Express vendosi ta cilësojë si ngjarjen kryesore, e gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese, në krye me Enver Hasanin, t’i shpallë Personalitete të Vitit.