Koha e IT`ve
Jo të gjithë e kanë mundësinë që të paguhen mirë me punën që bëjnë. Me përparimet në teknologji dhe shkencë, po ndodhin edhe ndryshimet në sferën e profesioneve. Të jesh IT në Kosovë, është privilegj. Është ky profesion që gjatë këtij viti është paguar më shumë, krahasuar me të tjerët. Sipas hulumtimeve të bëra nga asociacionet e biznesit në Kosovë, rezulton se tregu i punës në vend ka nevojë për profesionistë të kësaj sfere dhe, si i tillë, është më atraktivi për punësim dhe me pagat më të larta. Përveç kësaj fushe, edhe punonjësit e bankave dhe ata që merren me shitjen e patundshmërive janë ata që puna iu shpërblehet më shumë se të tjerëve.
Drejtori ekzekutiv i Institutit “Riinvest”, Lumir Abdixhiku, duke treguar për Strategjinë e Industrisë, të cilën e ka bërë ky institut gjatë këtij viti, thotë se ka dalë që njerëzit që punojnë në sektorin e telekomunikacionit i kanë pagat më të larta.
“Instituti ynë në vitin 2010 ka përfunduar Strategjinë e Industrisë, sipas së cilës, sektori i telekomunikacionit tregon performancë më të dalluar nga sektorët e tjerë. Rritja e këtij sektori, në krahasim me të tjerët, rezulton nga ndërrimet rapide në teknologjinë informative dhe lëvizjet e saj në interaksion me sferat e jetesës”, tha Abdixhiku.
Ai tregon se nga hulumtimi i bërë, sektori i telekomunikacionit del jo vetëm si sektor potencial industrial në vend, por njëtrajtësisht paraqetet si më atraktivi për punësim.
“Për më tepër, Kosova është një vend ku profesionet që lidhen me telekomunikacionin janë të reja dhe në ofertën e punësimit gjenden rrallë. Në anën tjetër, nevojat e ndërmarrjeve private, si dhe nevojat e sektorit publik për mbështetje në sferën e IT’së kanë bërë që profesionistët në këtë lëmë të kenë paga dukshëm më të larta”, thotë Abdixhiku.
Në një kërkesë në rritje për këtë profesion karshi një oferte të kufizuar në fuqinë punëtore për t’i përmbushur këto nevoja, ai thekson se është plotësisht e qartë diferenca në paga.
Përderisa “Riinvest” ka bërë Strategjinë e Industrisë, Aleanca Kosovare e Bizneseve në tetor të këtij viti ka publikuar edhe hulumtimin për tregun e punës në vend.
Në këtë publikim pasqyrohen shumë të dhëna të tregut të punës në Kosovë. Kryetari i AKB’së, Agim Shahini, thotë se sipas hulumtimit të nevojave të tregut të punës, disa profesione në Kosovë janë më të privilegjuara në aspektin financiar por, njëkohësisht, janë edhe më të kërkuara. “Në këtë hulumtim të publikuar nga AKB-ja, del se në aspektin financiar, bizneset që kanë të bëjnë me ndërmjetësimet financiare kanë një pagë mesatare mbi 440 euro, po të njëjtën kategori janë edhe bizneset që kanë një sektor të veçantë IT, në paga mbi 370 euro”, thotë Shahini.
Përveç këtyre profesioneve, ai thotë se me paga të larta janë edhe bizneset që merren me furnizim të gazrave, rrymës, njëkohësisht edhe bizneset që merren me patundshmëri. Këto biznese paguhen me mbi 440 euro. Shahini tregon se sipas këtij raporti, profesionet që kanë të bëjnë me teknologjinë dhe financat janë të kërkuara dhe të avancuara, në krahasim me profesionet e tjera.
Përderisa IT’të nëpër banka kanë një pagë mbi 700 euro, ata që punojnë në administratën shtetërore dallojnë për nga pagat.
Trendi i pagave
Hulumtimi i tregut të punës tregon se numri më i madh i të punësuarve gjen punë nëpërmjet të afërmve apo miqve (36 për qind), ndërkaq nëpërmjet shpalljeve 31 për qind, duke u pasuar nga shërbimet publike të punësimit (27 për qind). Ky hulumtim ka mbuluar 1200 punëdhënës, respektivisht subjekte afariste që përfaqësojnë rreth 14.372 punëtorë. Mesatarja e pagave në secilin vit ka trend pozitiv të ngritjes, si rezultat i progresit ekonomik. Një ngritje e theksuar vërehet nëse krahasohen viti 2008 me vitin 2010. Paga mesatare në Kosovë për të punësuarit ka arritur rreth 292 euro.
Nëse krahasojmë këtë mesatare me vitin 2008, atëherë ndryshimi është 18.2 për qind, që do të thotë se në këtë vit paga mesatare është në progres të vazhdueshëm të rritjes. Pagat më të ulëta prej 244 eurosh janë dhënë për punëtorët që punojnë në bujqësi.
Teknologjia, për një ekonomi më të mirë
Industria e teknologjisë informative në Kosovë është akoma shumë e re, megjithatë ajo ofron sadopak shpresë për një ekonomi më të mirë, ku shkalla e papunësisë arrin deri në 40 për qind. Shtrirja e qasjes në internet nuk kishte arritur deri pas përfundimit të luftës me Serbinë, në vitin 1999. Megjithatë, Kosova ka popullatën më të re në Evropë, shumica prej të cilëve janë mirë të arsimuar, njohës të mirë të teknologjisë dhe të etur për punë.
Profesionet më të paguara
1.Teknologjia informative
2.Financat
3.Shitja e patundshmërive