“Shqiptari” mirëpritet në Beograd
Filmi “Shqiptari”, dhe aktori Nik Xhelilaj, janë mirëpritur në Beograd, kur filmi është shfaqur në edicionin e 29 të festivalit të filmit, FEST, që mbahet në kryeqytetin serb.
Prezantuesit e festivalit e kanë përshkruar aktorin Xhelilaj - që ishte i vetmi pjesëmarrës nga ekipi i filmit - si një aktor mjaft të suksesshëm shqiptar, i cili është edhe bartës i disa çmimeve, përfshirë atë të Festivalit të Moskës.
Publiku është shprehur goxha i interesuar për realitetin që lidhej me temën e emigracionit që trajtohet në film, si edhe për fjalën e dhënë në emër të dashurisë, që kërkon shumë sakrifica për dy të rinjtë shqiptarë për tejkalimin e rregullave të vjetra.
Xhelilaj është shprehur i lumtur për pjesëmarrjen e filmit në FEST.
“Filmin e kam parë disa herë, por sot erdha enkas në kinema, sepse e kisha me shumë interes. Duhet të isha këtu me filmin ‘Alive’, të vitit që kaloi, por, fatkeqësisht, nuk erdha, megjithëse kisha shumë dëshirë që të vija në Beograd. Me duket se më pritën mirë, mbase meqenëse edhe ne jemi një popull ballkanas. Mendoj se diçka të ngjashme përjetoi edhe publiku serb”, pohoi aktori Xhelilaj për media.
Kjo është hera e tretë që një film shqiptar shfaqet në Serbi, dhe hera e dytë që publiku serb takon aktorin Xhelilaj në njërin prej roleve të këtyre filmave.