E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk shkojnë në Leipzig

Botuesit nga Kosova nuk do të marrin pjesë në Panairin e Librit në Leipzig. Arsyet janë mungesa e mjeteve si dhe mosinteresimi i tyre për këtë panair. Nga Alfred Beka më 04 mars 2011 në ora 16:16

Mungesa e mjeteve dhe mosinteresimi i botuesve kosovarë janë dy arsyet kryesore se pse ata nuk do të marrin pjesë në Panairin e Librit në Leipzig, i cili është i dyti për nga rëndësia në Gjermani, pas atij të Frankfurtit.

Ndryshe prej kolegëve të tyre nga Shqipëria, të cilët ditë më parë kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, përmes së cilës kjo ministri do ta mbështesë, për tri vitet e ardhshme, prezantimin e librit shqip në Panairin e Librit të Leipzigut, botuesit kosovarë do të shpresojnë vetëm për pjesëmarrjen e tyre në Panairin e Librit të Frankfurtit, pasi që për pjesëmarrjen në këtë panair kanë gjetur tash e disa vjet mbështetje nga Ministria e Kulturës.

“Jo nuk do të marrim pjesë sepse nuk kemi asnjë mundësi. Nuk kemi mjete dhe deri më sot nuk kemi as ftesë. Kështu që nuk do të marrim pjesë. Ne kemi siguruar mjete vetëm për Panairin e Frankfurtit dhe për Panairin e Prishtinës, që është në planin buxhetor të Ministrisë së Kulturës”, është shprehur Daut Demaku, kryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës.

Edhe në Unionin e Botuesve të Kosovës thonë se nuk do të marrin pjesë në këtë panair.
Behxhet Bici, kryetar i këtij Unioni, i cili është formuar para disa javësh, thotë se në këtë vit nuk do të jenë pjesëmarrës në Panairin e Leipzigut.

“Arsyeja se pse nuk mund të shkojmë është se Unioni i Botuesve të Kosovës është formuar vonë dhe nuk kemi pasur mundësi që për një kohë të shkurtër të aranzhojmë plane për të shkuar në Panairin e Leipzigut. Ndoshta në vitet tjera do të marrim pjesë, sepse kam pasur rastin ta takoj drejtorin e Panairit të Leipzigut, Oliver Zille, dhe kam pasur fatin që në Panairin e Librit në Tiranë të bisedojmë më konkretisht lidhur me këtë panair”, tregon Bici, i cili më të rëndësishme se në Panairin e Leipzigut e vlerëson pjesëmarrjen në Panairin e Frankfurtit, në të cilin thotë se do të marrin pjesë.
Ai thotë se e rëndësishme është që të marrin pjesë edhe në panairet rajonale, pastaj në Panairin e Bolonjës, atë të Londrës etj.

Sami Piraj, drejtor në Drejtorinë për Kulturë në MKRS, tregon se nuk ka pasur ndonjë kërkesë nga botuesit kosovarë për mbështetje nga Ministria e Kulturës për të marrë pjesë në Panairin e Leipzigut.

Ai tregon se për pjesëmarrjen e botuesve kosovarë në Panairin e Frankfurtit kjo ministri zakonisht ka ndarë mjete, ndërsa për Leipzig jo.

“Ne nuk kemi ndonjë buxhet që është ndarë për destinacion të tilla, por me një buxhet emergjent ndoshta diçka do të kishim bërë”, shprehet Piraj.

Përpos në atë të Frankfurtit, Ministria e Kulturës e ka mbështetë edhe shkuarjen e botuesve kosovarë në Panairin e Tiranës si dhe organizimin e Panairit të Prishtinës.

Sivjet, në fokus - letërsia serbe
Panairi i Librit në Leipzig mbahet prej 17 deri më 20 mars.
Dy çmime të rëndësishme jepen për çdo vit në këtë panair. Çmimi i Panairit të Librit të Leipzigut jepet për botimet dhe përkthimet e shquara të reja në gjuhën gjermane. Çmimi për mirëkuptim europian u jepet individëve që nëpërmjet fjalës së shkruar kanë dhënë një kontribut të shquar për mirëkuptim të ndërsjellë dhe harmoni në Europë – veçanërisht me vendet e Europës Qendrore dhe Lindore.
Panairi i Librit i Leipzigut sivjet ofron edhe një herë një program të rëndësishëm dhe të shumëllojshëm me shkrimtarë dhe përkthyes nga Europa Juglindore.
Në këtë vit në fokus të panairit do të jetë letërsia e Serbisë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›