E Diel, 1 Nëntor 2026

“Termokosi” s’tregon pasqyrat financiare

Nga Express më 21 mars 2011 në ora 13:44

Ndonëse është ndërmarrje publike dhe nga inkasimi i qytetarëve marrin edhe pagat, drejtuesit e Ngrohtores “Termokosi” nuk dëshirojnë të japin detaje rreth të hyrave të kësaj kompanie, shpenzimeve apo rreth pagave, duke u quajtur këtë si çështje konfidenciale. Mirëpo drejtuesit e Organizatës për Demokraci, Antikorrupsion dhe Dinjitet, “Çohu” vlerësojnë se kjo është shkelje e ligjit.

Edhe pse ka bërë kërkesë Agjencia e Lajmeve Kosovapress, për të marrë informacione rreth pasqyrave financiare, zyra për informim e kësaj kompanie nuk ka dashur të japë informacione, duke u thirrur në atë se kjo çështje është konfidenciale dhe pasi që kjo kompani nuk ka bord nuk mund të jepen ato informacione.

Kjo ndërmarrje gjatë gjithë sezonit të dimrit nuk ka arritur që të sigurojë ngrohje për qytetin e Prishtinës, duke iu munguar fondet për blerjen e lëndës së parë. Por asnjëherë nuk kanë pasur ndonjë problem edhe për sigurimin mjeteve për pagat.

Por sipas burimeve të Kosovapress-it brenda “Termokosit”, drejtoresha menaxhuese, Fëllënza Pula e ka pagën bruto 2780 euro bruto, ndërsa 5 drejtor të departamenteve të ndryshme kanë nga 1500 euro, duke mos llogaritur edhe stimulimet dhe shujtat nga 50 euro në muaj.

Po ashtu duke u thirrur në këto burime kjo ngrohtore për vitin 2009 ka inkasuar rreth 4.1 milionë euro, ndërsa për vitin 2010 rreth 2 milionë.

Mirëpo, Avni Zogiani nga Organizata “Çohu”, ka thënë për Kosovapress se të gjithë ato kompani apo zyre publike e kanë të obliguar që të japin informacion për pasqyrat financiare, pagat apo çfarëdo tjetër që ka të bëjë me financa, sepse siç ka thënë ai ato janë kompani publike. Këtë ai e vlerëson si shkelje të ligjit.

“Është absolutisht e papranueshme që të mos përgjigjet cila do kompani edhe cila do zyre publike rreth kërkesave për transparencë në fushën e financave. Në çfarëdo sensi nuk ka asnjë sektor asnjë segment të sektorit publik që mund të ngelet e pa publikuar për publikun, domethënë në momentin kur është kërkuar me u publikuar edhe nuk iu është përgjigjur kërkesës me u publikuar është bërë thyerje e ligjit”, ka thënë Zogiani.

Ndërsa për një refuzim të tillë mund të merren edhe nga institucionet përkatëse që janë në funksion të zbatimit të ligjit.

“Janë disa për shembull një prej organeve që thirret për zbatimin e ligjit që do të thotë në involvimin kur thyhet zbatimi i ligjit është Ombudspersoni. Por kjo si thyerje e ligjit mund të merret në konsideratë edhe nga Agjencioni Anti Korrupsion si dhe nga organet e mbrojtjes së rendit dhe të ligjit”, ka theksuar ai.

Ndryshe Zana Efendia zëdhënëse e kësaj ngrohtore ka dërguar vetëm një përgjigje të shkurtër në postën elektronike, duke thënë se kjo çështje është konfidenciale.

“Mund të të ndihmoj me informacione tjera, por lidhur me buxhetin, prononcimi i menaxhmentit është se kjo çështje është konfidenciale dhe nuk kemi ende bord për konsultë me ta. Kaq mund të them zyrtarisht”, ka thënë Efendia nëpërmjet postës elektronike.

Ndryshe ka tre muaj që kjo ngrohtore është pa bord, duke mos pas të miratuar as planin e biznesit, as buxhetin për 2011, po ashtu as pasqyrat financiare për 2010 dhe për këtë përgjegjësia bie te komuna e Prishtinës. “Termokosi” nuk ka arritur të ofrojë ngrohje për qytetin e Prishtinës, duke dështuar edhe këtë vit megjithë marrjen e miliona eurove nga qeveria qendrore apo komunale.(Kosovapress)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›