Borko në Mitrovicë

Burime të Kosovapressit nga veriu kanë bërë të ditur se kryetari i delegacionit të Serbisë për bisedimet me Kosovën, Borko Stefanoviq ka qëndruar të hënën në veri të Mitrovicës.
Sipas të njëjtave burime Stefanoviq do të takohet me udhëheqësit e strukturave paralele serbe, që funksionojnë në këtë pjesë të Kosovës.
Ai do të bisedoj për mënyrën e zgjidhjes së problemeve të veriut të Kosovës, temë kjo që do të diskutohet edhe në takimet e ardhshme mes delegacionit të Kosovës e Serbisë në Bruksel.
Gjithashtu merret vesh se Stefanoviq do të vizitojë edhe fshatin Prilluzhë të komunës së Vushtrrisë.
Kosovapress më tej ka mësuar se Stefanoviq ka hyrë në Kosovë me lejen që i është lëshuar nga zyrtarët e Qeverisë së Kosovës.
Mirëpo informacionet rreth vizitës shefit të delegacionit serb, Borko Stefanoviq nuk janë konfirmuar nga asnjë zyrtar komunal apo i Policisë së Kosovës në Mitrovicë, me arsyetimin se nuk janë të informuar.
Ndryshe këtë javë, më saktësisht 25 e 26 mars do të vazhdojnë bisedimet Prishtinë-Beograd në Beograd , ku pritet të diskutohet për telekomunikacionin dhe energjinë elektrike. Ndërkohë me 27 mars në Kosovë është paralajmëruar se do të qëndrojë shefja për politikë të jashtme e BE-së, Katrin Ashton. (Kosovapress)