E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Vështrimet” shqiptaro-serbe

“Vështrimet”, ekspozitë e hapur në Teatrin “Dodona, bëri të takohen, nëpërmes fotografive, rrëfimet jetësore shqiptaro-serbe; ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 26 dhjetor, ndërsa bazuar në këtë koncept do të punohet edhe një shfaqje teatrore me skenar të dramaturgut, Jeton Neziraj dhe Ninja Bogovac nga Sërbia Nga Albana S. Muja më 19 dhjetor 2010 në ora 09:59

Viteve të fundit komunikimi kulturor ndërmjet Kosovës e Serbisë është zhdukur. Ekspozita “Vështrimet” e hapur në “Dodonë”, vjen me idenë e takimit të rrëfimeve jetësore të shqiptarëve dhe serbëve. Qëllimi është që të shpalosen historitë e përbashkëta me anë të rrëfimeve personale, të shoqëruara me fotografi e pastaj edhe krijimit të një shfaqje teatrore bazuar mbi këto rrëfime.

Hapjen e ekspozitës e bëri, Dino Mustafiq.

Regjisori i njohur boshnjak tha se kishte kënaqësinë që iu dha mundësia të flasë për këtë rast.

“’Nikoqirët’ e kanë komplikuar shumë punën kështu që ka mbetur një boshnjak të thotë diçka. Mendoj se është një gjë e mirë që të zhvillohet një dialog i mirë pas një ndarje të gjatë. Kam takuar këtu shumë njerëz rrëfimet e të cilëve mund të shërbejnë si rrugëtim se si të shkohet nga e ardhmja”, tha Mustafiq.

Ekspozita është vetëm një pjesë e projektit i cili do të sjellë edhe një shfaqje teatrore bazuar nga këto rrëfime. Skenarin e shfaqjes do ta shkruajnë dramaturgu nga Kosova, Jeton Neziraj dhe Ninja Bogovac nga Serbia.
“Do të përpiqemi që sinqerisht dhe hapur ta shkruajmë dramën mbi këtë material. Ajo nuk do të ketë një lidhje me politikën ditore dhe nuk ka pretendim që të shkaktoj ndonjë turbulencë politike”, tha Bogova.

Ndërsa Neziraj, duke u përgjigjur në dilemën nëse ky projekt do të shkaktoj ndonjë problem, apo do të jetë në favor të së mirës, tha: “Teatri zakonisht nuk shkakton probleme, por zgjidhje, teatri shkakton problem për të ofruar zgjidhje. Ideja është që të punohet në skenar nga pamje të ndryshme të jetës së ngjarjeve që kanë ndodhur këto vitet e fundit, ekziston varianti serb dhe shqiptar, që shumicën e rasteve është i ndryshëm, pra perspektiva e asaj që ka ndodhur në Kosovë. Ne jemi duke punuar në këtë drejtim dhe kjo besoj që do të ndikoj në relaksimin e raporteve shqiptaro-serbe”.

Në hapje të ekspozitës kishte të ftuar edhe të rinj serb të cilët jetojnë në Kosovë, dhe sipas Nezirajt, ekspozita është duke u vizituar edhe ditëve në vijim, ndërsa do të qëndrojë e hapur nga data 16-26 dhjetor.

Ekspozita “Vështrimet” është hapur më herët me datë 10 nëntor në Novi Sad, në Muzeun e Arteve Bashkëkohore të Vojvodinës, sipas Nezirajt është po e njëjta ekspozitë edhe këtu në Prishtinë vetëm se janë bërë vetëm disa ndryshime kozmetike. “Faktikisht e kemi shtuar një pjesë e cila ka qenë komunikim i brendshëm i organizatorëve të qendrës Multimedia dhe Kulturanova. Komunikimin tonë të brendshëm e kemi shtypur dhe e kemi bërë publik. Kjo në njëfarë mënyre tregon se sa i vështir dhe sa problematik ka qenë komunikimi, edhe mes artistëve shqiptar dhe serb për shkak të kontestit politik”, u shpreh Neziraj.

Ka gjasë që një pjesë e ekspozitës të hapet edhe në Graçanicë, por ideja është që këtë ekspozitë ta shoqërojë shfaqja në teatër që sipas gjitha gjasave do të fillohet në Tiranë dhe mandej do të lëvizë në Prishtinë, Beograd, Novi Sad dhe qytete të tjera.

Shfaqja mendohet të dalë në skenë rreth muajit shtator të vitit 2011.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›