E Diel, 1 Nëntor 2026

Friedrich Durrenmatt njezet vjet nga largimi i nje gjeniu

Librat e rinj

Njëzet vjet më parë, në Neuchatel të Zvicrës, Friedrich Durrenmatt jetonte minutat e fundit të jetës si pasojë e goditjes së një infarkti. Po largohej në moshën 69-vjeçare një nga shkrimtarët më të mëdhenj të gjuhës gjermane të shekullit të pas luftës. Shkrimtar i dramave teatrale me një frymëzim të pastër gëtean dhe i tregimeve të shkurtra me një ironi kafkiane befasuese. Lessing dhe Brecht ishin artistët të cilëve u referohej: mori nga ata modelin për një denoncim të vrullshëm moral ndaj groteskut, paturpësisë dhe makabritetit si plagë sociale. Durrenmatt ishte autor i njohur i prozës, i aftë të përdorte dendur metaforat tragjike, i përdorimit të simbolikës fine, i provokimeve dramatike (“Është e shkruar”, “Vizita e zonjës plakë”, “Një engjëll zbret në Babiloni”, janë disa prej veprave që e bënë të famshëm në skenat europiane dhe amerikane). Me raste as ai vetë nuk ishte i ndërgjegjshëm për vlerën artistike të projekteve të tij narrative. Në fushën e gjerë të romanit, i çliruar nga rregullat skematike që karakterizojnë shpesh këtë gjini, ai vetë e ka pranuar se ishte “i prapambetur”. Por më shumë se tablotë ambicioze imagjinare, i rezultoi më i pëlqyeshëm një lloj e shkruare që në dukje ishte më e lehtë: romani i verdhë e policesk. Durrenmatt në faza të ndryshme të krijimtarisë synoi në kufijtë e letërsisë së lartë. Herë pas here e braktiste këtë ambicie për të kaluar një kohë të lirë, me pushime, duke praktikuar hobit, thënë më shkurt të kalonte kohën prej pensionisti. Në fakt gjatë kësaj periudhe ka lënë një kryevepër të papërfunduar, postum që shtëpia botuese “Casagrande di Bellinzona” e hodhi në tregun italian me rastin e 20-vjetorit të vdekjes së gjeniut. Në fakt nuk është gjë tjetër veçse skicimi i një trilleri, “Fragment eines Kriminalromans”, por sërish mbetet një nga tekstet më domethënëse dhe përfaqësuese të tij. Ka gjithçka nga Durrenmatt në këto faqe. Humoristi shpotitës, nihilist i shkëlqyer, prozatori verbues, rrëfimtari i dorëzuar.

Një rrëfim për Durrenmatt

“Aty, përpara tavolinës së tij, kohë më parë gjendej një teleskop ku kalonte orë të tëra duke parë yjet. Ishte një pasion që vinte nga fëmijëria, nga tregimet e magjishme të të atit, një pastor protestant që shpesh e merrte me vete kur shkonte në meshë: në ikje ecte në heshtje, i përqendruar në predikimin që do mbante, ndërsa në kthim i tregonte histori të jashtëzakonshme të Perseut, Hidrës, Pegasus, personazhe të mitologjive greke që kishin emra të njëjtë me yjësitë. Për t’iu afruar yjeve, i vogli Friedrich ngjitej në majë të pemëve”. Kështu tregon Charlotte Kerr, bashkëshortja e Friedrich Durrenmatt, shkrimtari gjenial zviceran, një nga më të njohurit e 1900-s. Kishin shtatë vjet të martuar, shumë pak për një dashuri të thellë. Pastaj ai vdiq papritur nga infarkti më 14 dhjetor këtu e njëzet vjet të shkuara, tri javë para se të mbushte të 70-at, më 5 janar. Këto ditë mund të quhen një përvjetor i dyfishtë për të, i lindjes dhe i vdekjes. Në shtëpinë Durrenmatt, mbi kodrat e Neuchatel, ku shihet një pamje e gjerë e liqenit dhe e pemëve të zhveshura përmes dritareve të mëdha prej xhami, duket sikur shkrimtari ka dalë pak minuta më parë. Studioja e tij është e njëjta: tavolina e gjatë, harta e ndritshme e botës, fotografi të tij, i përkulur për të shkruar rregullisht me dorë. Në rafte janë ende romanët e tij policeskë dhe pjesët teatrale. Paradoksalisht në to përballen kriminelë dhe policë, torturuesit dhe viktimat, sepse i biri i pastorit protestant, edhe pse deklarohej ateist dhe e quante Zotin si "shpikjen më të madhe njerëzore”, ishte i fiksuar pas luftës mes së mirës e së keqes. Tablo dhe vizatime gjenden edhe pak hapa më tej, në qendrën “Durrenmatt”, krijuar nga Mario Botta, arkitekti i Muzeut të Artit Modern në San Francisko. Ishte Charlotte që kërkoi një qendër që t’i dedikohej të shoqit. Për vite me radhë është përballur me qeverinë zvicerane duke i dhënë terrene dhe zyra për t’i bindur të ngrinin një ndërtesë të re. "Botta dhe Friedrich janë takuar vetëm një herë vite më parë, por më mjaftoi t’i shihja vetëm atëherë së bashku për pesë minuta për të kuptuar sa të ngjashëm ishin: i njëjti kreativitet, të njëjtë sy prej fëmije, kureshtarë të botës. Vetëm ai mund ta ndërtonte qendrën ‘Durrenmatt’", thotë ajo. Charlotte flet një anglishte të fortë me theks gjerman, ka karakter të fortë, por herë pas herë sytë i përloten nga kujtimet. Është ende energjike, edhe pse në moshë. Ajo kishte lënë Monaco për t’u zhvendosur në Neuchatel në Zvicrën franceze më 1983, kur takoi Durrenmatt, që ishte transferuar aty nga Berna tridhjetë vjet më parë me bashkëshorten e tre fëmijët. Më pas fëmijët ishin larguar dhe ai kishte mbetur i ve. “U takuam në shtëpinë e aktorit dhe regjisorit Maximillian Schell. Friedrich ishte zhytur pa këmishë në një divan, vetëm me rripat që mbanin pantallonat. Unë i urrej burrat që mbajnë të tilla pantallona, por ku e dëgjova të trillonte histori fantastike isha e magjepsur dhe e dëgjova për orë të tëra. Deri më atëherë kisha bërë aktoren, gazetaren, skenaristen dhe dokumentaristen. Isha martuar dhe isha ndarë. Tani doja vetëm të xhiroja një film mbi Durrenmatt. Nisëm të shoqëroheshim në përpjekje për të gjetur financime për projektin. E ndoqa në Greqi, në Amerikën e Jugut, por pa pasur lidhje. Më në fund erdhi filmi: kaluam javë të mrekullueshme bashkë. Mbaruam xhirimet në dy të mëngjesit më 7 maj të 1984-s. Në orën 11.00 të ditës tjetër u martuam. Kameramani që nuk kishte dyshuar fare u bë dëshmitar", tregon Charlote. Ajo tregon se pas kësaj e la punën për t’iu përkushtuar atij: të lexonte dorëshkrimet e të diskutonin. I thoshte se ishte dashuruar pas saj pikërisht për shpirtin kritik. Si punonte Durrenmatt? "Shkruante gjithnjë natën pas darke deri vonë. Shkruante me dorë në një kaligrafi që dukej si shkrim i shtypur. Mëngjesin tjetër vinte sekretarja të shkruante në makinë shkrimi faqet që ai i kishte korrigjuar para drekës. Ndonjëherë zgjohesha natën dhe strukesha në kolltukun përballë tavolinës së tij të shkrimit. Ngrinte sytë, më dërgonte një puthje dhe përhumbej sërish mes letrave”. A pikturonte? Charlote tregon se kur pikturonte nuk shkruante. Për të, edhe një vizatim që mund t’i merrte dy ose tri javë kohë, ishte një lloj e shkruare përmes imazheve". Durrenmatt qe shumë i ashpër me Zvicrën dhe zgjedhjen për të qëndruar neutrale gjatë luftës e krahasonte me një virgjëreshë që bën pará në bordello, por që kërkon të mbetet e pastër. Charlote kujton se në diskutimin e fundit publik e krahasoi Zvicrën me një burg, në të cilin të burgosurit ndihen të lirë, sepse bëjnë edhe rolin e atyre që burgosin. Gjatë martesës sonë, banorët e Neuchatel e quanin Durrenmatt ‘plaku i malit’. Në shtatë vjet zbriti vetëm shtatë herë nga kodra në qytet”. Bota për të ishte “një fuçi baruti ku nuk ndalohet duhani”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›