Premierliga, rrezik për jetë

Menaxheri i Chelseat, Roberto di Matteo beson se Premierliga është duke rrezikuar jetën e futbollistëve me orarin e ngjeshur të ndeshjeve.
Di Matteo është hidhëruar me vendimin e organit drejtues të ligës për refuzimin e kërkesës së Chelseat për shtyrjen e ndeshjes së tyre kundër Sunderlandit më 8 dhjetor për shkak të obligimeve në Kampionatin botëror të klubeve. Kampioni i Evropës do të zhvillojë gjysmëfinalen e garës më 13 dhjetor në Yokohama, Japoni, dhe Di Matteo thotë se Premierliga ka dështuar të përkrah Chelsean në rrugë drejt triumfit interkontinental.
“Ju mendoni se do të jetë edhe në interes të Premierligës që ju të keni gjasa sa më të mira për sukses në Japoni, që do të përforconte edhe më tepër imazhin e futbollit anglez dhe Premierligës. Andaj, jam shumë i befasuar. Thjesht nuk mund të imagjinoj se ndodh kjo. T’i krijoni vetes mundësi më të mira për sukses në Japoni, me dallim prej nëntë orësh, të shkojmë atje tri ditë më herët, ju duhet të bëni gjithçka në fuqinë tuaj për të qenë gati për duele të tilla”, u shpreh Di Matteo për ESPN.
“Gara fillon me datën 6 andaj skuadra me të cilën ne do të ndeshemi në gjysmëfinale do të jetë atje një javë para nesh. Është rrezik i madh për shëndetin, rrezik për lëndime po ashtu. Orari i ndeshjeve është shumë i ngarkuar. Kështu rreziku është i madh. Ju mund të shihni të gjitha Federatat tjera duke u munduar të ndihmojnë skuadrat e tyre të paraqiten mirë në Evropë”, theksoi ai. Di Matteo beson se Kampionati botëror i klubeve meriton të respektohet më tepër në Angli.
“Është një prej trofeve më të mëdhenj në futbollin ndërkombëtar për klube, nëse jo më i madhi. Ndoshta, në Angli, nuk vlerësohet aq i madh por flisni me amerikano-jugorët, me aziatikët, dhe gjithë të tjerët të përfshirë dhe do t’ju tregojnë se është garë e madhe, shumë e madhe. Ne kurrë nuk e kemi fituar. Sigurisht, duhet të triumfoni në Ligën e Kampionëve në mënyrë që të merrni pjesë. Të fitojmë edhe këtë trofe do të ishte diçka e veçantë. Triumfi në këtë garë ka rëndësi globale. Është trofe, i cili na mungon në kabinet dhe duam ta sjellim në Stamford Bridge”, përfundoi Di Matteo.