15 janari, 20 vjetori i FRESSH-it, të rinjtë socialistë do pushtojnë Tiranën
Në përvjetorin e 20-të të krijimit të forumit rinor socialist (FRESSH) sekretariati për të rinjtë në PS, i drejtuar nga Erion Veliaj ka për të organizuar një ditë feste, diskutimesh, etj. Një ditë kur siç thotë organizatori i këtyre aktiviteteve, të rinjtë socialistë do të pushtojnë Tiranën nga mëngjesi deri në darkë. Në mënyrë simbolike organizuesit e kanë cilësuar Re:Fressh si një ridemensionim i këtij forumi që për hir të së vërtetës për disa vite sikur kishte rënë në gjumë. Po duket se të rinjtë e sotëm socialistë kanë vendosur ta gjallërojnë duke e nisur nga data 15, që shënon dhe fundin e një epoke dhe nisjen e një të reje për këtë forum. Veliaj bën të ditur se: paradite do kemi një konvente të madhe në Pallat të Kongreseve ku do të marrin pjesë themelues si Pandeli Majko, Ilir Zela etj dhe mijëra të rinj nga e gjithë Shqipëria. Ne drekë kemi ekspozitën “Protestuesi Shqiptar” përgjatë Bulevardit, frymëzuar nga ideja e TIME që i dedikoi ndryshimet në botë protestave, e jo qeverive. Pasdite kemi një forum tek black-box tek Akademia e Arteve për programin, u kemi kërkuar të rinjve të sjellin ide që mund t’i fusim në program, buxheti i arsimit, reforma në universitet, heqja e stazhit të papaguar, heqja e pagesës për TOEFL-in, arsimi profesional dhe strategjitë e punësimit të të rinjve.