15 projekt vendime në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës
Zhvendosja e lojërave të fatit, pika e nxehtë e debatit
15 projekt vendime do të paraqiten për miratim në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës që do të zhvillohet pasditen e së martës.
Vendosja e një takse të përkohshme për lojërat e fatit për të nxitur zhvendosjen e këtij aktiviteti në Uzinën e Ndërtimit të automjeteve, ish Uzina e Autotraktoreve në Shkozë është propozuar nga Bashkia e Tiranës për tu shqyrtuar në mbledhjen e radhës.
Kjo taksë do të jetë e diferencuar sipas ndarjes zonale të hartës së qytetit të Tiranës.
Taksës së përkohshme të lojërave të fatit i nënshtrohen të gjithë personat fizikë ose juridikë, vendas ose të huaj të licencuar për kryerjen e aktivitetit për lojra fati, në territorin e Bashkisë së Tiranës. Kjo taksë aplikohet për çdo sallë ku zhvillon veprimtarinë organizatori.
Në rendin e ditës së mbledhjes së Këshillit Bashkiak të Tiranës do të shqyrtohen edhe projekt vendime të tjera të rëndësishme.
VENDIMI PER TAKSAT
për disa ndryshime në vendimin nr. 3 datë 05. shkurt 2007 për “Sistemimin e taksave dhe tarifave vendore në qytetin e Tiranës”.
Këto ndryshime kanë lidhje me taksën e ndikimit në infrastrukturë duke bërë një ndarje të zonave dhe përqindjen përkatëse të kësaj takes sipas kategorive dhe nënkategorive në secilën zonë. Gjithashtu në zbatim të përcaktimeve të kuadrit ligjor mbi planifikimin e territorit lind e nevojshme të bëhen ndryshime edhe në procedurën dhe afatet e vjeljes së kësaj takse.
“Miratimin e përfundimit të procedurave të privatizimit të banesave, të cilat kanë mbetur pa u regjistruar në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për lidhjen e kontratave para noterit”
Drejtoria Nr. 3 e Punëtorëve të Qytetit, Tiranë në cilësinë e Njësisë së Privatizimit miratuar me vendim te Këshillit Bashkiak Tiranë nr. 29, datë 29.09.2008, parashtron çështjen për zgjidhjen e problemit të kategorisë së qytetarëve, banesat e të cilëve kanë qenë objekt i ligjit nr. 7652, datë 23.12.1992 për “Privatizimin e banesave shtetërore” dhe procedura e privatizimit të tyre nuk ka përfunduar, pra nuk kanë mundur të përfundojnë regjistrimin e banesave pranë Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Tiranë pasi nuk është lidhur kontrata e privatizimit përpara noterit publik. Këta qytetarë kanë jetuar prej më shumë se 20 (njëzet) vjetësh në banesat, të cilat ende figurojnë pronë shtetërore (asete të Bashkisë së Tiranës) si dhe kanë shlyer vlerën e tyre.
VENDIMI NDRYSHIM EMRI TRANSPORTI
Një tjetër projekt vendim që do të paraqitet për miratim ka të bëjë me një ndryshim në emërtimin dhe itinerarin e Linjës nr.10 “Parku i madh kombëtar –Qendër”, të miratuar me vendimin e këshillit bashkiak nr.25, datë 16. Maj 2006. në Linja Nr.10 “Qendër – Kopshti Zoologjik (pranë parkut tek Liqeni Artificial) – Qendër” e cila nga një linjë me 9 stacione do të bëhet me 14 stacione. Stacioni I nisjes do të jetë në Qendër në afërsi të lulishtes tek Banka e Shqipërisë.
VENDIM PER NDRYSHIM SHTESE
Projekt Vendimi i radhës i është referuar vendimit të Këshillit Bashkiak nr. 25, datë 16.05.2006 mbi “Përcaktimin e linjave të transportit qytetas të udhëtarëve, mënyrën e organizimit të shërbimit dhe ripërcaktimi i stacioneve të qëndrimit të autobusëve të shërbimit në këto linja”(i ndryshuar), për të cilën Drejtoria e Transportit dhe Lëvizshmërisë ka paraqitur relacionin për shtimin e një linje për transport qytetës me emërtimin “Linja14 Qendër – Qendra Kristal – Qendër”
VENDIM PER BUXHETIN
Project vendimet e tjera që do të diskutohen në mbledhjen e këshillit bashkiak të datës 9 Tetor janë:
Project Vendimi për “Miratimin e treguesve të realizimit të buxhetit të Bashkisë së Tiranës për vitin 2011”.
“Një ndryshim në vendimin e Këshillit Bashkiak nr.20, datë 30.04.2007 “Për kalimin e disa kompetencave Njësive Bashkiake dhe një ndryshim në numrin e punonjësve të Njësive Bashkiake dhe Drejtorisë së Përgjithshme nr.1 të Punëtorëve të Qytetit””
“Një ndryshim në vendimin e Këshillit Bashkiak nr. 28, datë 29.09.2008 për “Miratimin e strukturës dhe nivelit të pagave të punonjësve të Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave dhe Tarifave Vendore”
Në kuadër të bashkëpunimit me Ambasadën Hungareze dhe me kërkesën e saj, duke vlerësuar kontributin historik të Janos Hunyadit, për lirinë dhe krijimin e pavarësisë nacionale të popujve të Ballkanit, propozojmë që me emrin e tij, të emërtohet një prej rrugëve të qytetit të Tiranës, konkretisht një pjesë e rrugës “Vaso Pasha”, nga kryqëzimi i saj me rrugën “Abdyl Frashëri” deri në mbarimin e saj, në kryqëzimin me rrugën “Adem Jashari”
Me propozim të Kryetarit të Bashkisë është kërkuar miratimi për vendosjen në kuadër të festimeve të 100 vjetorit të pavarësisë, të disa monumenteve në sheshet e qytetit të Tiranës, përkatësisht :
• “Monumenti i Pavarësisë”, në parkun Rinia me pamje nga Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, në krah të Ministrisë së Mbrojtjes.
• “Shtatorja e Ismail Qemalit”, në vendpushimin në lulishten e kryqëzimit të Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” me rrugën “Ismail Qemali”.
• “Shtatorja e Ahmet Zogut”, në sheshpushimin në fund të Bulevardit “Zogu i I”, pranë Stacionit të Trenit.
1. P/Vendim: Për “Disa ndryshime në Buxhetin e Bashkisë së Tiranës për vitin 2012”.
2. P/Vendim: Për “Riorganizimin e strukturës organizative dhe nivelin e pagave të Qendrës Kulturore Tirana”.
3. P/Vendim: Për ”Vendosjen e Shtatores së Hasan Prishtinës”.
4. P/Vendim: Për ”Riorganizimin e Strukturës organizative të Qendrës Ekonomike të Zhvillimit dhe Edukimit të Fëmijëve”.
5. P/Vendim: Për ”Emërimin e Ekspertëve kontabël të Klubit të Futbollit Tirana SHA”.