16 vjet burg shqiptarit për vrasjen shtetasit serb

Gjykata e Qarkut në Pejë, me një trup gjykues të përbërë prej dy gjyqtarëve të EULEX-it dhe një gjyqtari vendor, shpalli Nazif Visoçin fajtor për kryerjen e veprave penale të vrasjes së rëndë dhe të mbajtjes në pronësi, kontrollit, posedimit apo përdorimit të paligjshëm të armëve.
Të pandehurit i është shqiptuar një dënim i përgjithshëm prej 16 viteve burgim.
“Gjykata e shkallës së parë vendosi se kishte dëshmi të mjaftueshme për të dënuar Visoqin për veprat penale për të cilat ai akuzohej. Megjithatë, kishte shumë faktorë lehtësues që kontribuuan në shqiptimin e një dënimi më të lehtë, ku njëri prej tyre ishte pranimi i fajësisë nga ana e të akuzuarit”, thuhet në një njoftim të EULEX-it.
Nazif Visoçi, siç theksohet më tej në njoftim, është shpallur fajtor për vrasjen e Miodrag Komatinës dhe për lëndimin e Dejan Bogiçeviç dhe Drashko Ojdaniç për shkak të një kontesti pronësor në fshatin Dobrushë, Komuna e Istogut më 20 tetor 2011.
Rasti është ndjekur penalisht nga një prokuror i qarkut nga EULEX-i.