E Shtunë, 31 Tetor 2026

167 filma në ANIBAR

Edhe këtë vit Festivali Ndërkombëtar i Animacionit ‘ANIBAR’ do të sjellë në qytetin e Pejës një mori filmash të animuar nga vende të ndryshme të botës. Për gjashtë ditë më radhë, sa do të zgjasë festivali, do të shfaqen 167 filma

I themeluar me qëllim shfaqjen e filmave të animuar në Kosovë dhe inkurajimin e prodhuesve të filmave që të merren më shumë me teknikën e animacionit, Festivali Ndërkombëtar i Animacionit ‘ANIBAR’ edhe sivjet do të sjellë në qytetin e Pejës një numër të madh filmash të animuar. Prej datës 22 gusht, kur do të hapet edicioni i tretë i këtij festivali, për gjashtë ditë më radhë, në Pejë do të zbarkojnë 167 filma nga vende të ndryshme të botës.

“Duke qenë viti i tretë, ANIBAR ka arritur një prestigj të lartë dhe do të mirëpres një numër të madh të filmave të animuar të cilët do të shfaqen në kinematë e mbyllura dhe të hapura të improvizuara nga stafi entuziast i festivalit. Me kinematë që shfaqin filmat e animuar, Anibar ka sjellë emocione për publikun dhe ka stimuluar imagjinatën e tyre. Përveç promovimit të animacionit si teknikë, Anibar mundohet që me anë të filmave të shfaqur të trajtojë tematikë të ndryshme sociale, ekonomike, mjedisore dhe të inkurajojë debate të mirëfillta në shoqërinë tonë”, u shpreh Rron Bajri, drejtor i festivalit.

Këtë vit, festivalit i parapriu punëtoria gjashtëditore “Rugova in Motion”, që priti 20 pjesëmarrës të interesuar në animacion. Qëllimi i kësaj punëtorie, i cili u drejtua nga Maria Kontogiorgou, sipas Bajrit, ishte promovimi i jetës në Bjeshkët e Nemuna përmes dokumentarëve të animuar. Filmat e bërë në këtë punëtori do të shfaqen gjatë ditëve të festivalit.

Numri i filmave që do të marrin pjesë sivjet në festival është pothuajse i dyfishtë krahasuar me vitin e kaluar.

“Këtë vit 167 filma nga shtete të ndryshme të botës do të shfaqen gjatë 6 ditëve të festivalit. 47 filma nga Shqipëria, Kosova, Turqia, Kroacia, Sllovenia, Serbia dhe Bullgaria do të garojnë për çmimin Filmi më i mirë Ballkanik dhe 70 filma nga shtetet e tjera do të garojnë për çmimin Filmi më i mirë Ndërkombëtar”, theksoi Bajri. Prej këtyre filmave vetëm një do të jetë nga Kosova, ndërsa nga Shqipëria do të jenë tre. Bajri tha se në edicionin e parë të festivalit nuk ka pasur asnjë film të animuar nga Kosova.

“Ky është edicioni i dytë që e kemi një film të animuar nga Kosova. Besojmë në të ardhmen se do të rritet numri i filmave të animuar. Varet sa ka njerëz të interesuar dhe varët se sa do të punojmë ne në këtë drejtim”, tha ai.

Ai shtoi se këtë vit festivali do të inkorporojë programe speciale. Një nga këto programe është “Toon’s and Tunes,” një program special nga Nancy Phelps me filma të fokusuar në muzikë.

Programet tjera përfshijnë ‘Student Netherlands Animations Program’ të Luuk van Huet dhe ‘Animocracy’ me filma që trajtojnë çështjen e demokracisë. I fundit, por jo më pak i rëndësishëm, programi special për fëmijë do të shfaqë filma të animuar për fëmijë çdo ditë nga ora 12:00 në kinemanë ‘Jusuf Gervalla’. Përveç kinemasë ‘Jusuf Gervalla’ dhe kinemasë së hapur në kompleksin rinor, një kinema e re e improvizuar do të shfaqë filma çdo natë në Parkun e Qytetit në Pejë.

Gjatë ditëve të festivalit, anëtarët e jurisë dhe profesionistë të animacionit dhe filmave do të mbajnë debate lidhur me temat e filmave pjesëmarrës dhe animacionin në përgjithësi.

Për ata që do të udhëtojnë në Pejë për të ndjekur festivalin dhe për të shijuar atraksionet natyrore dhe kulturore të qytetit, Anibar ka një kamp për vizitorët dhe vullnetarët në parkun e qytetit.

“Vendndodhja e kampit është shumë e përshtatshme pasi që është afër kinemasë dhe organizimeve muzikore të festivalit. Gjatë gjashtë netëve, pas shfaqjes së filmave, pjesëmarrësit do të argëtohen në Anio’Muzika, vend i pasuruar me performancë të këngëtarëve të vendit dhe të huaj. Muzikantë të zhanreve të ndryshme do të performojnë në edicionin e tretë të Anibarit. Një ndër ta është Elina Duni, që do të performojë në natën e parë të festivalit”, tregoi Bajri.

Në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe Komunën e Pejës, sipas Bajrit, Anibar vazhdon të projektojë filma në Kosovë dhe të inkurajojë prodhuesit e filmave të prodhojnë më shumë filma të animuar.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›