17 nëntori, nën tmerrin e terrorit enverist
Enver Hoxha, me Foto Balën dhe me një mik tjetër të cilit nuk ia mbaj mënd emrin, ishte ulur, pa marrë leje, si ndërmjet shokësh larg atdheut (në Monpelié) dhe drejt e në një shaká mortore: - Me çfarë do të merresh ti, Foto, pas studimeve? -Me thellimin e studimeve të mia universitare. Do të shkruaj libra.
- Po ti? –iu drejtua mikut tjetër të tavolinës.
Edhe ky tha diçka të ngjashme me ç’kishte thënë Fotua.: do të punonte për doktoraturën . Ndërkaq ia bënë po atë pyetje të dy miqtë, Enverit: - Po ti, Enver? -Unë do të bëhem terrorist! – tha i pyeturi. Dy të tjerët shtangën. Shaká, apo e vërteta e fshehur brenda një shakaje të zymtë, një qyfyre e pavend?
Koha vërtetoi versionin e dytë, makabër. Është një thënie: “shakaja, gjysma e së vërtetës”. Në këtë rast: - Shakaja, e vërteta e plotë. Fan Noli kishte një shprehje e cila mbahej mend. Kur ishte kundërshtar i Zogut, para se të gjenin gjuhën e përbashkët ndërmjet tyre, siç e kishte gjetur Faiku: “Shakaxhiu i përparimit”. Enveri ishte shakaxhiu i terrorit! Në librin e historianit Luan Dode, “Kosova në qëndrimet e Enver Hoxhës” shkruhet, duke cituar Shulen (Kristo Themelkon): “Kur kam biseduar me Enverin, ai më ka këshilluar që, kur të hyjmë nëpër qytete, do t’i spastronim elementët e rrezikshëm; prandaj, kur hyra në Tiranë, kërkova një listë nga organizata për këta elementë. Asnjëri nga né nuk kishte një mendim të qartë për këtë gjë, as këshilltarët jugosllavë Radi dhe Vojo. Të gjithë ata që kanë qenë kundërshtarë të politikës sonë, edhe për ata që kishin qenë anëtarë partie e që kishin një pakënaqësi ose kishin shfaqur një dyshim në vijën tonë, kemi pasur direktivë t’i zhduknim, si Mustafa Gjinishin... Mynir Xhindin... “ (F. 77). Kurse Gogo Nushi kishte thënë se letrat për vrasjen e Sotir Kondit, Anastas Plasarit dhe Zef Malës i kishte marrë nga Enveri. Në faqen 53 të këtij libri, lexojmë se urdhrat për kapjen dhe likuidimin e M. Bajraktarit, Kryeziut dhe Ll. Fundos janë nënshkruar personalisht nga Enver Hoxha. Ndërkaq Velimir Stojniçi kishte thënë: “Unë jam dakord me Sejfullin që thotë se Partia ka marrë rrugën e degjenerimit, në një bandë kriminelësh”. Velimiri kishte zëvendësuar Miladin Popoviçin, si përfaqësues i Titos pranë shtabeve partizane. Në këtë libër interesant kemi edhe fac símilen e letrës të firmosur nga E. Hoxha, për Llazar Fundon, që vepronte pranë kryezinjve në luftën kundër okupatorit: “Të kapet dhe, pasi të torturohet, të ekzekutohet”. Kjo e kishte zemëruar së tepërmi Fan Nolin i cili, nga ky çast, i kishte prerë marrëdhëniet me E. Hoxhën. Në një asterisk për urdhrat e dhëna personalisht nga E. Hoxha, përmenden faqet 253, 255-6, 284...
Në kujtimet e kryetarit të delegacionit nacionalçlirimtar, Ymer Dishnicës, thuhet e gjithë e vërteta për Konferencën e Mukjes, me udhëzimet konkrete të E.H.-s. Konferenca u mbajt më 1-2 gusht të vitit 1943. Stalini ishte i komprometuar gjatë Luftës së madhe, për shfrytëzimin e kësaj Lufte për hegjemoni të komunistëve brenda saj asaj Lufte, për interesa të ngushta ekstremiste, që binin ndesh me pluralizmin. Jo më kot, ndryshimi i emrit të PKSh-së me PPSH! Orientimi i ri për heqjen e kësaj njolle, që s’kishte të bënte me luajalitetin e forcave kundër Gjermanisë naziste (Italia kishte kapitulluar), qé të bashkëpunonin me të gjitha forcat kundër okupatorit. Kryetari i forcave n.çlirimtare në Mukje, Y. Dishnica, dëshmon se ishte në përkitje me udhëzimet e kreut komunist shqiptar, E. H.-s. Por ja që ky si në poliandrí, ishte burrë me dy gra, ose më shumë. Kujt t’ia prishte, kujt t’ia ndreqte. Stalini donte të ishte “korrekt” me Luftën e madhe të aleatëve, kundër Boshtit. Emisarët e Titos, Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha, nuk mund të pajtoheshin me marrëveshjen e luftëtarëve kombëtarë antifashistë kundër nazifashizmit, që ngrinin çështjen e referendumit për vetëvendosje të Kosovës, që ishte një premtim i Titos. Prandaj na u dashka që edhe mishi të piqej, edhe helli mos të digjej. U sajua ajo që quhej lufta e vogël (lufta civile). Pra edhe Luftë (me L të madhe), edhe luftë (me l të vogël!), brenda asaj me L të madhe! Djallëzorët e huaj, të plotfuqishëm në shtabet partizane, ia gjetën dermanin edhe këtij: Të gjithë ballistët, zogistët, kombëtarët, ishin... kolaboracionistë!
Por a është e vërtetë se ballistët, zogistët, si edhe forcat e kryezinjve përtej kufirit verior, kishin qenë kolaboracionistë? Është një spekulim i ulët, i padenjë, për t’i prirë frymëzimit të pluralizmit, pa dallim feje, krahine dhe ideje! Kjo e fundit, pa dallime ideore, e konsakruar që në Konferencën e Pezës, a nuk kishte domethënien e nënkuptuar të pluralizmit? Ky premtim u hodh në koshin e plehrave, vetëm e vetëm në shërbim të pushtetit monist, domethënë të diktaturës së egër, totalitarizmit komunist, me në krye Enver Hoxhën.
***
Njëri ndër librat më të mirë me argument konferencën e Mukjes, është ai i Uran Butkës, me titull “MUKJA, shans i bashkimit, peng i tradhtisë”. Autori është një nga studiuesit më të përkushtuar dhe ndër historianët më të mirë për pasqyrimin me vërtetësi të historiografisë së re shqiptare. Në studimin e thelluar dhe të dokumentuar në arkiva e në libra historikë të të huajve që kanë qenë pranë shtabeve tona, ky autor e zbërthen përfundimisht atë falsitetin e kolaboracionizmit të kundërshtarëve të nacionalçlirimtarëve, nën diktatin e lakenjve të Titos. Jo se nuk ka pasur edhe individë si Isa Toska, Halil Alia dhe të tjerë. Por autori për të cilin po flasim, nuk merret aspak në mbrojtje të këtyre individëve. Ai ka qëmtuar dokumente me vlerë për luftërat kundër okupatorëve. Para luftës civile mjaft luftëra janë të përbashkëta, me pjesëmarrje të forcave nacionaliste, në bashkëpunim me ato n.çlirimtare. Më 29.12. 1942, kemi luftën e përbashkët të forcave vullnetare, të komanduara nga Hysni Lepenica dhe ato të “çetës Plakë” të Vlorës, të komanduara nga Neki Ymeraj. 1600 veta të shqiptarëve, përkundrejt2000 vetash të kolonelit Franko Klementi, në Gjorm. Në luftën e Floqit, më 21 janar 1943, çeta e Safet Butkës me 350 veta ia ndali hovin ushtrisë italiane në Qarr të Floqit. Nxjerrë nga arkivi, fondi 14, dosja 69: “Safeti ishte i palodhshëm jo vetëm si luftëtar, por edhe si orator (...) Në konferencën në Hoçisht të Devollit, asht ajo që i dha me kuptue gjithë popullit se Safeti nuk ban asnji dallim feje, krahine, ideologjie”. Kur u vranë katër n.çlirimtarë në Vlorë (përmenden emrat), B. Kombëtar e shpalli ditë zije. Përmenden luftërat në Mallakastër (5.02.1943). Në Luar-Ruzhdie u vra ballisti Jashar Cakrani. Gjatë pranverës së vitit 1943 u bënë mjaft aksione në Kolonjë, në Selenicë, në Mallakastër, në Mokërr, në Devoll, në Postribë, në Leskovik, në Elbasan, etj.
Nuk do të zgjatemi që të argumentojmë më gjerësisht e thellësisht se ky bashkëpunim u zhduk nga kujtesa historiografike dhe u zëvendësua me propagandën mashtruese ideologjike. Kjo propagandë “pulaxhinjsh” dhe bashkëpunëtorësh të okupatorit, qé tërësisht tendencioze, për t’i hapur portat dykanatësh luftës civile, paralelisht me Luftën e madhe. Tepër rrënimtare, kjo, luftë civile, kur Mit’hat Frashëri u lutej të tijve: “Amani, djema. Kujdes. Janë bijtë tanë!”, - ndërsa këta “djemtë tanë”, të vënë në shërbim të propagandës serbomadhe dhe të emisarëve të Titos, iu përveshën atentateve terroriste dhe mësymjeve të ballistëve e zogistëve e nacionalistëve “kolaboracionistë”. Një veprimtari djallëzore që bëri kërdinë në forcat “armike” shqiptare.
Uran Butka ka meritën e madhe që ka qëmtuar kuint esencën e këtyre historive të vërteta për të nxjerrë një të vërtetë të pamohueshme: Mukja është një tradhti kombëtare e Enver Hoxhës, duke u shërbyer armiqve shekullorë të kombit tonë, me synimin që E.H.-a të vinte në dorë një pushtet diktatorial të pamerituar. Historia e pastër dhe e paindoktrinuar, ka për t’i qenë mirënjohës z. Butka. Sa për historiografinë e papagajve, mund të themi diçka të papërgënjeshtrueshme . Të ishe “historian” i E. Hoxhës , ishte diçka shumë e lehtë: Mjafton të mësoje nja tri-katër faqe të daktilografuara! Sepse nuk dilje dot asnjë milimetër nga kjo kornizë. Edhe të ishe i bindur se Haxhi Qamili ishte një zero me xhufkë, do të bëje hero, siç deshte Enveri. Kusuri ishte më i lehtë akoma: Ballistët e zogistët pulaxhinj, bashkëpunëtorë të nazifashizmit e shabllone të tjera, që nuk ndryshonin aspak nga njëri te tjetri. Zogu shiti Shën Naumin (pa njohur traktativat e Mehdi Frashërit për shkëmbim territoresh, me leverdi për interesat tona). Zogu tradhtar (Edhe De Goli tradhtar?), pa lexuar asnjë rresht nga historia e Leopoldit III të Belgjikës, që ra në duar të gjermanëve dhe iu dërgua Hitlerit për të bërë disa deklarata e të shpallej i padenjë për mbret, në çastin e mëvonshëm, e të abdikonte në favor të të birit. E tani përsëritin po atë gjërat e atij trefaqëshi të papagajve! Janë këta që duan të jenë historianë protagonistë të 100-vjetorit të Pavarësisë. Pa lexuar librin e Darling Vlorës, për farefisninë e poshtëruar e të persekutuar të Plakut të madh të Vlorës, nga regjimi i E. Hoxhës e duke na çoroditur historinë sesi po zvetënohet I. Qemali e marrëzira të tjera. Duan të rehabilitojnë Enverin edhe në këtë përbuzje të 28 nëntorëve! Duke e përfunduar me 17 nëntorin, një miku im i urtë ka thënë: Në këtë datë duhet të ngrihen flamujt në gjysmështize! Atij i është vrarë baba në vigjilje të kësaj date, ndonëse ka qenë antifashist i Ventotenes dhe i Porto Romanos