Berisha, Ramës: Sot seanca plenare, voto 3 ligjet e Komisionit Evropian

Mazhoranca: Të gatshëm në çdo kohë dhe në çdo nivel për të dialoguar me opozitën për sa i përket tre ligjeve të kërkuara nga KE
Seanca e sotme e Kuvendit të Shqipërisë merr një rëndësi vendimtare për fatet e integrimit evropian të Shqipërisë. Në rend dite janë përfshirë 3 ligjet e statusit Gjykata e Lartë, Rregullorja e Parlamentit dhe Nëpunësi Civil në pritje të votave të Partisë Socialiste. Një vit më parë Brukseli i rekomandoi Shqipërisë 12 pika si kusht për marrjen e statusit të vendit kandidat. Sot, vendi ynë ka plotësuar në tërësinë e tyre 9 nga 12 prioritetet, ndërsa vëmendja është përqendruar te, 3 ligjet e mbetura, të cilat për zyrtarët Evropianë janë sfida e pjekurisë politike të Shqipërisë dhe bashkëpunimit parlamentar të klasës politike. Por, realiteti është krejt tjetër. Partia Socialiste pasi dha votat për një pjesë të mirë të ligjeve të integrimit (me 3/5), vendosi bllokadën e zakonshme të 3 viteve të fundit, pikërisht në momentin kur Komisioni Evropian dha rekomandimin pozitiv për statusin kandidat të Shqipërisë.
Në këtë drejtim, jo më larg se dje nga mbledhja e Qeverisë, Kryeministri Sali Berisha i bëri sërish thirrje opozitës të votojë sot në Kuvend tre ligjet e kërkuara nga Komisioni Evropian. Duke ritheksuar se votimi i këtyre ligjeve përbën një interes jetik për çdo qytetar shqiptar dhe për vendin në tërësi, kryeministri Berisha shprehu gatishmërinë e mazhorancës për të dialoguar me opozitën në çdo kohë dhe në çdo nivel, për të diskutuar së bashku mbi rekomandimet, vërejtjet apo sugjerimet që ata mund të kenë lidhur me këto ligje. Por kryeministri theksoi se këto diskutime nuk mund të bëhen për vendimet e gjykatave, për të cilat janë institucionet përkatëse që zbatimit të ligjit. “Kryefjala e kësaj mbledhje nuk mund të jete tjetër veçse seanca e nesërme e parlamentit, një seance do të thosha e një rëndësie ndër më të veçantat në historikun e marrëdhënieve të Shqipërisë me BE. Nesër është data e fundit, në të cilën në përputhje me detyrimet kushtetuese, në përputhje me detyrimet kontratuale që ka me BE, parlamenti shqiptar duhet të votojë tre ligje të kërkuara në mënyrë të qartë, të kristaltë nga Komisioneri për zgjerimin Stefan Fyle, në datën 10 tetor, kur ai paraqiti raportin e komisionit për Shqipërinë dhe rekomandimin e këtij Komisioni që Shqipërisë t’i jepet statusi i kandidatit, por duhet që të votojë këto tre ligje që janë në parlament, brenda datës 20 nëntor, pra në një afat kohor 40 ditor, në mënyrë që Komisioni të informojë shtetet anëtare se këto tre kërkesa specifike u plotësuan nga autoritetet shqiptare. Këto ligje siç e dinë të gjithë shqiptarë kanë dy muaj që janë në parlament dhe që për fatin më të keq zoti Rama nuk lejon deputetët e tij të votojë duke i lidhur me këtë interes madhor kombëtar, këtë interes jetik të çdo qytetari shqiptar, me një çështje që në mënyrë absolute nuk ka asnjë lidhje me to dhe nuk jam vetëm unë që deklaroj një gjë të tillë, por zotit Rama këtë qëndrim ia kanë shprehur që të gjithë bashkëbiseduesit me të cilët ai ka ngritur çështjen e Fierit. Nuk mund të lidhet çështja e statusit të këshilltarëve të qarkut, me interesin kombëtar të votimit të ligjit për Gjykatën e Lartë në parlamentin e vendit, të votimit të Rregullores së Parlamentit të amenduar, ashtu siç zoti Rama e pranoi pas ndërmjetësimit dhe të votimit të ligjit për Statusin e Nëpunësit Civil”, u shpreh Berisha.
Kryeministri deklaroi se mos votimi i këtyre ligjeve është figura më negative që Shqipëria mund të bëjë në Evropë.
“Ky bllokim i këtyre tre ligjeve për të cilat nuk ekziston vakum ligjor, por të cilat përmirësojnë më tej standardet ekzistuese, ka sot jehonën më negative për Shqipërinë. Zonja Bregu ishte në një takim të rëndësishëm në Parlamentin Evropian dhe një nga parlamentarët do ti thoshte tekstualisht: ‘Si ju shqiptarët nuk është askurrkush. Në asnjë vend nuk ndodh që të mos votoni atë që kërkoni’. Ne kërkojmë Statusin dhe zoti Rama nuk thotë që jam kundër Statusit, por nuk voton ligjet që duhen për statusin.
‘Çfarë kërkoni nga ne?’, ishte pyetja e këtij zotërie. Nuk shqyrtoj këtu ndjenjat e tij ndaj shqiptarëve, por e vërteta është që nuk ka figurë, nuk ka përshtypje më negative, se sa kur thuhet se opozita nuk voton tre ligjet e integrimit, ligje të kërkuara me listë nga Komisioni Evropian. ‘Çfarë kërkoni ju, i tha ai, asnjë vend në Ballkan nuk është si ju dhe nuk ka ndodhur asnjëherë që një palë të kundërshtojë për të votuar atë që kërkojnë të gjithë shqiptarët. Pra një situatë tmerrësisht absurde dhe e pakuptimtë për çdo qytetar shqiptar’”, tha ai.
Sipas kreut të qeverisë qytetarët duan statusin e vendit kandidat, ndërsa Rama do të bëjë pazar, se ka humbur Qarkun e Fierit.
“Qytetarët shqiptarë kërkojnë statusin, zoti Rama u thotë, - mua më duhet Këshilli i Qarkut, të cilin e kam humbur. Por a mund të ndodhë një pazar i tillë dhe një lidhje e tillë? Kurrë. Cili shqiptar, pale një i huaj mund të pranojë se Statusi i kandidatit qenka i lidhur me statusin e këshilltarit të Fierit? Statusi i kandidatit, vend anëtar, përbën interes jetik për çdo qytetar shqiptar, për vendin në tërësi. Si mund të lidhet ai me statusin e një këshilltari, i cili ka të drejtën legjitime, të ndryshojë pozicionin politik në çdo rast dhe në çdo rrethanë në një vend të lirë”, theksoi kreu i qeverisë.
Gjithashtu, Berisha deklaroi se mazhoranca është e gatshme në çdo kohë dhe në çdo nivel për të dialoguar me opozitën për sa i përket tre ligjeve të kërkuara nga KE, por kurrsesi s’mund të diskutohen vendimet e gjykatave.
“Unë kam dy muaj që e ftoj zotin Rama të sjellë çdo amendim dhe propozim për këto ligje që të ulemi dhe ti shqyrtojmë me seriozitetin më të madh. Dje, zoti Rama propozon të takohemi. Thotë të mblidhemi në tryeze dhe mendon se me këtë mënyre do ti hedhë hi syve qytetareve të thjeshtë, por ai thotë – të mblidhemi për Fierin, duke iu referuar vendimit të gjykatës dhe të hapim rrugë zbatimi. Zoti Rama për çdo gjë mund të ftosh për tu mbledhur dhe të garantoj se pavarësisht nga pozicionet që kemi, unë do të shqyrtoj me seriozitetin më të madh ftesat e kryetarit të partisë më të madhe opozitare dhe jam ulur sa herë është konsideruar e nevojshme dhe do të ulem me të, por për një gjë dhe ja kam faktuar atij dhe kujto tjetër se nuk do të ulemi kurrë për vendime gjykate. Për vendime gjykatash çdo vend i lirë ka institucionet e zbatimit të ligjit. Vendimet e gjykatave janë ligje, jo në kuptimin e tekstit të votuar në parlament, por në kuptimin e forcës dhe detyrimit të zbatimit të tyre”, shtoi më tej, kryeministri Berisha.
Përsa i takon rregullores së parlamenti, shefi i ekzekutivit deklaroi se, “nuk ka rregullore në botë që pranon dy kryeministra gjithnjë ka një sens shumicë dhe pakicë”.
Seanca e ditës së sotme është afati i fundit për politikën shqiptare që të votojë 3 ligjet me 3/5, pjesë së 12 rekomandimeve nga të Komisionit Europina për dhënien e statusit kandidat.