E Diel, 1 Nëntor 2026

Parlamenti Evropian: Statusi kandidat, presim rezultate pozitive nga klasa politike shqiptare

15-11-2012 / Gazeta 55

Pas debatit të zhvilluar mbi integrimin evropian e Shqipërisë, raportuesi Nikolaos Chountis shprehet se raporti i tij është një nxitje për forcat politike shqiptare që të mos humbin shansin për marrjen e statusit të kandidatit në dhjetor. Sipas tij, pavarësisht amendamenteve, thelbi është, se te gjitha grupimet i thonë po statusit të kandidatit për Shqipërinë. “Ne kemi patur një debat të frytshëm mbi amendamentet në gjirin e komisionet të punëve të jashtme. Mendoj, se në tërësi debati dhe amendamentet janë interesante dhe mbi këtë bazë unë do të përmirësoj dhe pasuroj raportin tim mbi Shqipërinë. Të gjitha grupimet politike janë dakord për thelbin që është mbështetja për statusin e kandidatit. Shpresoj të mbarojmë së shpejti dhe ta votojmë raportin final në 22 nëntor në këtë komision dhe më pas në seancën plenare të dhjetorit. Mesazhi im është që forcat politike shqiptare duhet të bëjnë më shumë përpjekje për të zbatuar të gjitha prioritetet. Në raportin final do të shkruajmë atë që do ndodhë. Unë di që ka një mundësi për qeverinë dhe opozitën për të arritur një marrëveshje sa më shpejt. Shpresoj që kjo të ndodhë”- shprehet Nikolaos Chountis.
Ndërkohë, Eduard Kukan shpreh shqetësimin e tij për zvarritjen e përmbushjes së tre kushteve të mbetura dhe i bën thirrje forcave politike të gjejnë pa humbur kohë gjuhën e përbashkët për ligjet e integrimit.
“Ne kemi zhvilluar një debat, se si duhet të formulohet versioni final i raportit mbi Shqipërinë. Nuk ka mosmarrëveshje të mëdha mbi këtë. Raporti do të qartësojë qëndrimet e grupeve politike kur amendamentet të pranohen nga të gjithë. Është një mesazh i qartë ndaj politikanëve shqiptarë. Ne po presim plotësimin e 3 kushteve, siç është artikuluar në rekomandimin e Komisionit Evropian. Jam i sigurt, se rezoluta e Parlamentit Evropian mbi Shqipërinë do të jetë në të njëjtën linjë me atë të Komisionit dhe do të nxisë ata që duan vërtet ta çojnë vendin përpara. Ky është njëkohësisht urimi ynë, por ju duhet të plotësoni 3 kushtet e mbetura. Vetëm atëherë mund të jepet statusi i kandidatit. Këto kushte nuk janë përmbushur deri tani. Ne jemi pak të shqetësuar, se në Kuvendin e Shqipërisë nuk pati marrëveshje lidhur me këtë”- deklaroi Kukan.
Sipas eurodeputetëve, marrja e statusit të kandidatit duhet ta nxisin vendin, që të ofrojë sa më shumë rezultatet të prekshme për zhvillimin ekonomik dhe social të qytetarëve të saj.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›