17 shkurti Tirana kremton sot 5 vjetorin e Pavaresise se Kosoves

5 vjetori i pavarësisë së Kosovës kremtohet dhe në Tiranë. Bashkia e Tiranës do të organizojë sot aktivitete kulturore përgjatë rrugës “Murat Toptani”. Festimet nisin që nga paraditja dhe deri në darkë, ku këngëtarët më të mirë, grupet më të suksesshme do të performojnë, në 5 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Të gjithë qytetarët e Tiranës që duan të festojnë Pavarësinë e Kosovës do të kenë mundësi të shijojnë muzikën më të mirë të vendit dhe të huaj.
Urimi i Kryeministri Berisha
Por në këtë ditë të shënuar nuk ka munguar dhe urimi i Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha. Në profilin e tij në rrejtin social “Facebook” u përcolli qytetarëvve të Kosovës mesazhin e tij të urimit
“Te dashur miq! Gëzuar Kosove, 5 Vjetorin e Pavarësisë! Sot, mbare kombi shqiptar feston 5 vjetorin e pavarësisë se Republikës se Kosovës. Çlirimi i Kosovës, është faqja me e ndritur e përpjekjeve te shqiptareve për lirinë dhe dinjitetin e tyre, qe nga luftërat e Skënderbeut deri ne ditët e sotme. Ne këtë 5 vjetor, kombi shqiptar përulet me nderimin me te madh para veprës, arkitektit te pavarësisë se Kosovës, Presidentit Ibrahim Rugova, sakrificës sublime te kryeheroit te kombit tone, Adem Jashari e mijëra e mijëra luftëtarëve te lirisë qe ranë për tu bere te pavdekshëm për çlirimin e Kosovës”, shkruante Berisha.
Duke vijuar më tej me urimin e tij, Kryeministri shprehu mirënjohje për partnerët ndërkombëtare që kontribuan në pavarësimin e Kosovës.
“Sot, ne shqiptaret shprehim mirënjohjen me te thelle ndaj SHBA, Presidentit Bill Clinton dhe Presidentit Xhorxh Bush si dhe ndaj Aleancës se Atlantikut te Veriut, qe luajtën rol kryesor ne çlirimin e Kosovës dhe pavarësinë e saj. Një përshëndetje vëllazërore le t'iu dërgojmë ne ketë rast te gjithë qytetareve te Kosoves, udhëheqjes politike te saj, qe ne 5 vjet pavarësi kane shndërruar Republikën e Kosovës ne një faktor te rendesishem te paqes, stabilitetit e bashkëpunimit ne rajon. Zoti e bekoftë Kosovën e pavarur dhe shqiptaret kudo qe janë! Sb”, uroi Berisha.
Urimi i kryebashkiakut Basha
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha i ka dërguar një mesazh urimi, me rastin e 5 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Kryetarit të Komunës së Prishtinës Isa Mustafa.
“ Në këtë ditë të shënuar për Kosovën dhe kombin shqiptar, dua t’ ju uroj përzemërsisht Ju dhe popullin e Kosovës, “Gëzuar ditën e madhe të Pavarësisë!”
Sot mbarë kombi përulet me nderim përpara rolit dhe kontributit të presidentit Ibrahim Rugova, komandantit legjendar Adem Jashari të cilët janë gurët e themelit mbi të cilët u ngritën pavarësia e Kosovës dhe lufta e saj çlirimtare.
Udhëheqësit politikë të Kosovës, populli i Kosovës ia doli në këto 5 vite, t’ i dëshmojë miqve, partnerëve dhe mbarë botës, se Pavarësia e Kosovës ishte vendimi i duhur jo vetëm për shqiptarët por edhe mbarë rajonin” thuhej në mesazhin e kryebashkiakut Basha.
Po në këtë linjë, kryetari i Bashkisë së Tiranës vlerësoi arritjet historike të shënuara nga sheti i Kosovës.
“Shteti më i ri i dëshmoi botës se është i aftë të menaxhojë të tashmen dhe të projektojë drejt të ardhmen e tij evropiane si dhe të qytetarëve të tij, pa dallim përkatesie etnike apo fetare. Arritjet e Kosovës i dhanë fund mbikëqyrjes së Pavarësisë dhe e konsoliduan paprekshmërinë e tërësisë territoriale të saj. Në këto 5 vite, Kosova ka ecur përpara në konsolidimin e institucioneve demokratike, ne zhvillimin ekonomik e rritjen e mirëqenies për qytetarët e Kosovës.
I nderuar zoti Mustafa,
Më lejoni që në këtë ditë të veçantë për historinë e kombit tonë, t’ ju percjell në emër të qytetarëve të Tiranës përshëndetjet vëllazërore për qytetarët e Prishtinës dhe mbarë Kosovës”, mbyllej ky mesazh urimi.