VARSHAVË – Forcat polake interceptojnë avionë rusë, për herë të tretë brenda javës

VARSHAVË, 31 tetor /ATSH-DPA/- Për herë të tretë këtë javë, avionët luftarakë polakë kanë interceptuar një avion zbulues rus mbi Detin Baltik.
“Avioni “Ilyushin Il-20” u shoqërua jashtë zonës nga dy avionë luftarakë polakë “MiG-29″ sot në mëngjes”, shkroi Komanda e Lartë e Forcave të Armatosura Polake në X, së bashku me një fotografi të avionit mbi det.
“Avioni zbulues rus ka udhëtuar në hapësirën ajrore ndërkombëtare pa një plan fluturimi dhe me transponderin e tij të fikur, dhe përbënte një rrezik potencial sigurie për trafikun ajror aty pranë”, thuhet në deklaratë.
“Pilotët polakë kapën dhe identifikuan avionin e huaj dhe më pas e shoqëruan atë në përputhje me procedurat e NATO-s dhe hapësira ajrore mbi Poloni nuk u shkel”, tha ushtria.
Ky është incidenti i tretë i tillë këtë javë. Një avion ushtarak rus “Il-20” u interceptua dje nga dy avionë luftarakë pranë bregdetit Baltik të Polonisë, gjithashtu pa një plan fluturimi dhe me transponderin e tij të fikur. Incidenti i parë ndodhi të martën.
“Ushtria polake mbetet në gatishmëri të plotë luftarake dhe reagon në mënyrë efikase ndaj të gjitha veprimeve provokuese nga Rusia”, tha sot Komanda e Lartë. //a.i/