I dënuari humb pafajsinë, fiton dëmshpërblimin

Strasburgu dënoi Shqipërinë me 4800 euro për zgjatjen e gjykimit, Berhani humb shpresën për pafajësi
TIRANË- Gjykata e Strasburgut shuan shpresat e pafajësisë për të dënuarin me 18 vite burg Gentian Berhani, për akuzën e vrasjes për hakmarrje të shtetasit Petrit Mëhilli këtu e 14 vite më parë në Kuçovë.
Por, cilësoi shkelje të drejtën për një gjykim të drejtë nga Gjykatat shqiptare, duke urdhëruar shtetin shqiptar të dëmshpërblej me 4800 euro për dëmin jo p pasuror (moral) ndaj 38 vjeçarit Berhani nga Kuçova që aktualisht po kryhen dënimin në burgun e Peqinit.
Sipas vendimit të firmosur pak ditë më parë nga tetë gjyqtarët e Gjykatës së Drejtave të Njeriut në Strasburg të kryesuar nga gjyqtari Nicolas Bratza, është konstatuar nga materialet e dërguara nga aplikuesi dhe qeveria shqiptare se ka pasur shkelje të Nenit 6/1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut për një gjykim të drejtë.
Ndërkohë, gjykata vlerësoi se ankesa për mungesën e paanësisë së Gjykatës së Apelit dhe në një rast shkelje të prezumimit të pafajësisë nuk qëndrojnë.
Gjithashtu edhe lidhur me të drejtën për një gjykim të drejtë brenda një afati të arsyeshëm, gjykata e vlerësoi normale për shkak trazirave të vitit 1997 si dhe nuk e ka parë të arsyeshme të shqyrtoi ankesën e kërkuesit Berhani për mungesën e arsyetimit të vendimeve të gjykatave vendase dhe dështimit për të dëgjuar dëshmitë e dëshmitarëve inkriminuese - të procedurës penale të ngritur kundër tij.
Në përfundim të vendimit, Gjykata e Strasburgut vendosi që qeveria shqiptare të paguajë kërkuesit, brenda tre muajve nga data në të cilën vendimi merr formën e prerë shumën prej 4.800 euro në lidhje me dëmshpërblimin moral.
Vetë Berhani në ankimin drejtuar kësaj gjykate në dhjetor 2004 ka pretenduar se nuk kishte qenë i informuar nga Prokuroria për akuzat e ngritura, nuk kishte pasur kohë të mjaftueshme për të mbrojtur veten si dhe nuk kishte qenë në gjendje të caktojë avokatin e zgjedhur prej tij pasi ai nuk kishte qenë i informuar për veprimet e prokurorisë pasi është hetuar dhe gjykuar nga Gjykata e Shkallës së Parë në mungesë, ku edhe është dënuar me 18 vite.
Gentian Berhani në ankimin e tij ndaj qeverisë ka kërkuar që Gjykata e Strasburgut të urdhëroi qeverinë t'i paguaj shumën prej 200 mijë euro në lidhje me dëmin material dhe 250 mijë euro për dëmin moral.
Gjithashtu në kërkuesi Berhani pretendoi 4 mijë euro në lidhje me kostot dhe shpenzimet e bëra para gjykatave në Shqipëri dhe 7.500 euro shpenzime të bëra pranë Gjykatës së Strasburgut. Por, këto pretendime u hodhën poshtë, me arsyetimin se nuk dha një shpjegim detal për të mbështetur kërkesën e tyre për kostot dhe shpenzimet.
Ngjarja
Gentian Berhani, i vitlindjes 1972, lindur në Kuçovë, është dënuar nga Gjykata e Apelit Vlorë me 18 vjet heqje lirie, për vrasjen e shtetasit Petrit Mëhilli. Në datë 5 korrik 1996 Gentian Berhani i maskuar dhe me një motoçikletë ka vrarë shtetasin Petrit Mëhilli dhe është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes bashkë me një person tjetër ende të paidentifikuar.
Ai është kapur nga policia, por, më pas është liruar nga Gjykata e Apelit në Vlorë gjatë vleftësimit të masës së sigurisë. Por, gjatë fazës së gjykimit më 12 janar të vitit 2000 i pandehuri Berhani është deklaruar fajtor për akuzën e "vrasjes me paramendim" të shtetasit Mëhilli duke u dënuar me 18 vite burg në mungesë.
Më pas, ky vendim është ankimuar në Gjykatën e Apelit, por ndërkohë arrestimi i Berhanit është bërë në Itali nga ku edhe u ekstradua më 29 nëntor 2001. Më pas, më 19 mars 2002 pranë Gjykatës së Apelit në Vlorë pas shqyrtimit të ankimit u vendos lënia në fuqi e vendimit të Gjykatës së Beratit.
Për këtë vendim u bë rekurs në Gjykatën e Lartë e cila vendosi të lërë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë ndërsa Gjykata Kushtetuese nuk pranoi të shqyrtoi ankesën, duke e cilësuar të pabazuar.