180-vjetori i lindjes së Naim Frashërit, dritë e pashuar në historinë dhe shpirtin shqiptar

TIRANË, 25 maj /ATSH/ Më 25 maj të vitit 1846, në Frashër të Dangëllisë, lindi Naim Frashëri, poet, historian, gazetar, përkthyes dhe veprimtar i arsimit kombëtar dhe i kulturës.
Ai ishte ndër shkrimtarët dhe aktivistët kryesorë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare.
Në vendlindje mori mësimet e para. Më 1865, familja u shpërngul në Janinë, ku, bashkë me vëllanë më të vogël, Samiun, përfundoi gjimnazin grek “Zosimea”. Më vonë punoi për disa muaj në Stamboll si nëpunës në zyrën e shtypit, por u prek nga tuberkulozi dhe u kthye në vendlindje për një klimë më të përshtatshme. Në Stamboll, Naimi ishte ndër botuesit kryesorë të revistës “Drita”, e më pas “Dituria” (1885), ku botoi edhe shumë prej prozave dhe vjershave të tij. Pas rikthimit në Shqipëri, punoi si nëpunës në Berat dhe më pas si doganier në Sarandë (1872–1877). Në këtë periudhë shkroi edhe poezitë e para në gjuhën shqipe. Nën ndikimin e ngjarjeve historike, sidomos të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit — ku një nga udhëheqësit ishte Abdyl Frashëri, vëllai i tij më i madh — si dhe të veprimtarisë kulturore patriotike të Shoqërisë së Stambollit, në krye të së cilës ishte Sami Frashëri, Naimi iu përkushtua tërësisht letërsisë dhe çështjes kombëtare shqiptare.Krijimtaria e tij letrare zë një vend të veçantë në kulturën tonë.
Në poemën “Bagëti e Bujqësia” ai përshkroi bukuritë e vendit dhe jetën e njerëzve të thjeshtë. Përmbledhja “Lulet e Verës” solli mendime filozofike dhe frymë dashurie për vendin, ndërsa poema epike madhështore “Istori e Skënderbeut” ngriti lart figurën e heroit kombëtar si simbol të qëndresës dhe bashkimit. Krahas letërsisë, Naim Frashëri hartoi edhe libra shkollorë, duke dhënë një ndihmesë të çmuar për zhvillimin e arsimit shqip.
Veprat e tij dallohen për gjuhën e pastër, ndjenjën njerëzore dhe frymën atdhetare që përcjellin. “Ti Shqipëri, më jep nder, më jep emrin shqipëtar” mbetet edhe sot një nga thirrjet më të fuqishme të dashurisë për vendin.
Naim Frashëri u nda nga jeta më 20 tetor 1900. Ai mbetet një dritë e pashuar në historinë dhe shpirtin shqiptar. Në përkujtim të 180-vjetorit të lindjes së Naim Frashëri, Akademia e Shkencave e Shqipërisë organizon me 26 maj veprimtarinë jubilare me temë: “Naim Frashëri në 180-vjetorin e lindjes”, organizuar nga Seksioni i Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike. Kjo veprimtari synon të sjellë në vëmendje figurën dhe veprën e Naim Frashëri, një prej personaliteteve më të shquara të kulturës shqiptare dhe një nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të Rilindjes Kombëtare Shqiptare./a.f/