1920. Si i dëboi Zogu serbët nga Shkodra dhe veriu i Shqipërisë
Vijon nga numri i kaluar
Ata që hapur e pa kushte ishin patriotë e të gatshëm të sakrifikonin idetë e interesat personale, ishin vërtet shumë pak,
edhe se në fakt shumë pak kishin ide të qarta se ç'duhej bërë. Ishte një kaos i frikshëm ndërgjegjeje që do të kishte
shkurajuar dhe bërë fatalist edhe më të guximshmit.
Por duhet të themi se besimi patriotik ishte mjaft i madh në grupin e vogël e guximtar që kishte marrë të drejtën, pas
Kongresit të Lushnjes, që t'i fliste Popullit në emër të Kombit, duke u frymëzuar nga energjia e kurajoja e Ahmet Zogut.
Spektaklit të sherreve të fshehta e të pangjyrë - që provokoheshin nga veprimi i agjentëve të huaj, ndërmjet gegëve e
toskëve, të krishterëve e muhamedanëve, grekofilëve, serbofilëve, italofilëve, anglofilëve duke rritur kësisoj vështirësitë e
rreziqet, - duhet t'i shtojmë pamjen tjetër, atë të dukshmen e të tmerrshmen, të një popullate që nuk kishte ushqime, veshje,
ilaçe e doktorë. Shumë njerëz vdisnin nëpër fusha, nëpër katunde e në qytete, si të gjendeshin në një shkretëtirë. Dhe në
këtë vend gjeje edhe njerëz që, - të terrorizuar nga të ftohtit e uria, - prisnin vdekjen si një çlirim.
Nuk duhet harruar gjithashtu se (ndoshta pasojë fatale e luftës së përbotshme!) shumë ushtarë të huaj silleshin pa mëshirë e
egërsisht me popullatën civile.
Këta qytetarë të keqtrajtuar më kanë thënë se, në Korçë, ushtarët e huaj që pastronin xhamat e automobilave me panine buke, u
përgjigjeshin me tallje, njerëzve që ofronin, në këmbim të bukës, pece e lecka rrobash për atë lloj pastrimi. Po përmend këtë
rast, jo për të hedhur mbi një popull të tërë, përgjegjësinë e disa njerëzve të pashpirt deri në fund, por për të dhënë një
tregues të asaj torture fizike e morale që ushtrohej mbi njerëzit tanë të varfër.
Por, nga ana tjetër, për të qenë i drejtë dhe për thënë të vërtetën historike, nuk mund të lë në harresë sjelljen e moderuar,
miqësore dhe njerëzore të trupave italiane.
Një situatë e tillë mjaft e rëndë, paraqitej edhe më tragjike për shkak se qeveria e re gjendej pa parà, pa mjete
komunikacioni dhe pa asnjë shërbim publik; nuk kishte një xhandarmëri, nuk kishte postë, kurrfarë telegrafe etj..
Por megjithëkëtë, Ahmet Zogu donte e diti të dilte i fituar, duke nxitur për bashkëpunim kolegët e qeverisë dhe duke tërhequr
në bashkëpunim nacionalistët që meritonin këtë emër, e duke u ndërkallur të gjithëve besimin e tij entuziast.
Më 20 shkurt 1920 mori në dorëzim arkivën e qeverisë së Durrësit dhe në mars të atij viti, prapësoi serbët dhe hyri në
Shkodër nga e cila po largoheshin trupat e gjeneralit De Fortou.
Me këtë rast është e nevojshme të kujtojmë se shumë prej atyre që sot janë ulur në zyrat e shtetit, me arritjen e Zogut në
Shkodër ishin fshehur skutave.
Disa dëshironin që të prisnin zhvillimin e ngjarjeve e t'u lihej me marrëveshje Fuqive të Mëdha mbrojtja e të drejtave
kombëtare të Shkodrës; ndërsa disa ishin bërë njësh me të huajt.
Por Zogu diti të afronte, mbi të gjitha rininë. Në fund të një mbledhjeje të shpejtë me disa njerëz të dallueshëm, ai tha:
"Unë nuk do të lejoj që në këtë qytet të hyjë më këmba e të huajit. Kush është i gatshëm të përballet me vdekjen denjësisht e
fort, le të më ndjekë!"
U nis drejt maleve të Kastratit dhe si gjithmonë, dha një shembull guximi e kurajoje të papërmbajtur.
Dhe kështu arriti të shpëtohej Shkodra!
Ndërkohë bëri të mundshme mbledhjen e një përfaqësie kombëtare që e quajti Kuvendi Kombëtar.
Mesazhi i Regjencës, që në linjat kryesore u inspirua nga Ahmet Zogu, i drejtohej me mjaft takt veçanërisht Italisë, duke
shprehur besimin që ajo do të arrinte të bëhej "mbështetësja e pavarësisë dhe integritetit territorial të Shqipërisë!"
Por politika e shëndoshë e largpamëse e qeverisë së Tiranës nuk mund të zgjonte simpatinë e të ashtuquajturve esadistë
(ndjekës të Esad Toptanit), të cilët, të nxitur nga ky i fundit (që jetonte në Paris) filluan të lëvizin e të përgatiten për
të rrëzuar qeverinë e Tiranës, pa e llogaritur se po u shërbenin interesave të huaja dhe se po rrezikonin programin kombëtar
të bashkimit, të paqësimit dhe të punës.
Megjithkëtë puna e palodhur dhe e guximshme e Ahmet Zogut bëri të mundur që të mos vihej ré mungesa e armëve dhe e mjeteve.
Ndërkaq esadistët u shkapërdanë pjesërisht me anë të forcës, ndërsa të tjerët u neutralizuan me takt, derisa u shkatërruan
plotësisht mbas vdekjes në Paris të Esad Toptanit i cili u qëllua nga një nacionalist më 13 qershor 1920.
Ndërkohë ishin arritur edhe disa suksese të tjera.
Krahinat e Korçës dhe të Gjirokastrës ishin vendosur nën qeverisjen e Qeverisë Kombëtare të Tiranës.
Më pas, më 2 gusht 1920 eleminohej çdo arsye grindjeje ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë, dhe qartësohej një gjendje që nuk
përkonte me të drejtat shqiptare dhe traditat fisnike dhe të shkëlqyera të popullit që i kishte dhënë botës Kavalierë të
Humanizmit. Kështu, me një protokoll, u konsakrua që Italia njihte kufijtë shqiptarë të 1913 dhe se do të përdorte të gjithë
influencën e saj në funksion të respektimit të pavarësisë shtetërore të Shqipërisë.
Ra kështu arsyeja e fundit e intrigave të atyre që dëshironin që Shqipëria dhe Italia të ishin armike të përjetshme dhe të
papajtueshme. U evitua gabimi i ardhur nga moskuptimet mbi të cilat historia me të drejtë do të hedhë dritë vetëm shumë më
vonë, - që një popull i Madh të paraqitej si shtypës i një populli të vogël me të cilin kishte pasur lidhje shekullore dhe
një miqësi vëllazërore.
Pastaj, me ardhjen në fuqi të Fashizmit, u hapën horizonte të reja; disa prej nesh bile parashikonin se Fashizmi do
riudhëhiqte Romën drejt misionit të saj të shkëlqyer në historinë e qytetërimit botëror.
Ndërsa dinamizmi gjenial dhe i palodhshëm i Sovranit të ardhshëm arrinte suksese të tilla, mentaliteti që sundonte në Beograd
e shtrëngonte popullin tonë drejt sakrificash të reja të përgjakshme.
Më 13 gusht 1920, popullsia e Dibrës, e ndihmuar nga ajo e Matit, të stërmundura nga nga sjellja e trupave serbe, nuk duruan
më dhe i sulmuan ato si rrufeja dhe, megjithëse të pajisura vetëm me pushkë e me pak municione, i detyruan të tërhiqen përtej
kufijve të 1913.
Por Qeveria jugosllave u shpejtua të dërgojë përforcime ushtarake me një program të prerë kundërsulmi, që nuk mbante parasysh
kufijtë e përcaktuar nga Fuqitë e mëdha në Londër, dhe të arrinin edhe një herë në buzë të Adriatikut.
Përballë superioritetit të madh numerik dhe të armatimit, tanët u detyruan të ritërhiqen. Kështuqë serbët të ndarë në tri
kolona, duke ndjekur udhëzimet e marra u drejtuan, drejt detit të lakmuar dhe pushtuan deri edhe Lezhën, ndërsa po i
afroheshin Tiranës.
Atëbotë Ministri i Brendshëm (A.Zog - shën. i red.) ua besoi kolegëve të Qeverisë redaktimin e një proteste për t'ua dërguar
Fuqive të Mëdha dhe, mbasi mblodhi me të shpejtë e nxitimthi një forcë vullnetarësh të popullit, u vërsul si luan kundër
pushtuesve, luftoi me ta natë e ditë, me guximin e patriotit të dëshpëruar, dhe fitoi ndaj një armiku më të mirarmatosur dhe
më të shumtë në numër, të cilin e detyroi të tërhiqet përtej kufijve të 1913 të vendosur nga Konferenca e Ambasadorëve.
Në këtë rast Qeveria e Romës aplikoi rigorozisht e sinqerisht protokollin e firmosur në 2 gushtin e kaluar, duke shprehur
qëndrimin e saj më anë të një note proteste të datës 16 shtator 1920 ku thoshte se nuk mund të toleronte kurrfarë cënimi të
tërësisë territoriale të territorit të shtetit shqiptar. Një notë të tillë proteste e bëri edhe qeveria e Londrës.
Ndërkaq siç rezulton nga aktet e Lidhjes së Kombeve, ishin shkatërruar 6603 shtëpi, mbi 100 dyqane ishin rrënuar, mbi 2000
persona ishin vrarë. Ndërmjet këtyre, rreth 300 ishin djegur të gjallë.
Më 17 dhjetor 1920, si rezultat i hapave të hedhura nga qeveria e Sulejman Delvinës, që rëndonte e gjitha mbi punën e Zogut,
u mor një dafinë lavdie e pasme: Shqipëria e vogël, e sulmuar prej shumë armiqsh të fshehur e të dukshëm, u pranua me vota
unanime në Lidhjen e Kombeve, që në atë kohë ishte një pikë mbështetëse shpresash të bukura, një vashëzë e bukur e parrahur
me realitetin e gjërave të jetës.
Por... si "çmim parlamentar" për ata që punojnë e sakrifikohen, Qeveria ishte shtrënguar nga Parlamenti të jepte dorëheqjen!
Zogu, më 20 nëntor 1920, shpërndante qarkoren me numër 8592, që e kishte shkruar e redaktuar personalisht me dorën e vet, të
cilën e keni më poshtë të plotë:
"Qeveria e ndërtuar në bazë vendimeve të Kongresit të Lushnjes ka filluar punën e saj në një zonë që përfshihej ndërmjet
Vjosës dhe brigjeve të Matit. Gjatë qeverisjes së saj ajo pati fatin që të realizonte idealin kombëtar e ta çonte kufirin në
linjat e 1913-ës.
Sot, duke konsideruar se i shërbejmë atdheut, japim dorëheqjen dhe ia kalojmë pushtetin qeverisë së re.
Jemi krenarë për patriotizmin e nëpunësve dhe i falenderojmë më gjithë zemër.
Detyra e të gjithë patriotëve është t'i shërbejnë gjithmonë me besnikëri Qeverisë së re, për të mirën e popullit."
Mbas rreth 10 muajsh të një aktiviteti të pandërprerë e të palodhur, mbasi ia kishte ofruar 100 herë jetën Atdheut në këtë
periudhë kaq të shkurtër, Zogu la qeverinë me një disiplinë prej një ushtari të mirë, pa inate të fshehura kundrejt
mosmirënjohësve, pa keqardhje, e pa asnjë dëshirë tjetër përveçse të mund të vazhdonte të punonte në ndonjë mënyrë tjetër për
të mirën e atdheut.
Lëshoi pushtetin me një gjest historik e fisnik:
"Bindem!"
V.
Kryetar i Këshillit të Ministrave
Më 24 dhjetor 1921 Zogu u rikthye në pushtet si Ministër i Punëve të Brendshme në kabinetin e Xhafer Ypit. Erdhi në fuqi
vetëm nga rrjedha e pashmangshme e ngjarjeve.
Nga një anë ishin disa që punonin deri në fund të fuqive për t'i treguar botës se ne ishim të pjekur për lirinë e pavarësinë;
nga ana tjetër, edhe ne, për shkak të papërgjegjshmërisë së disa ambiciozëve, jepnim shkas e argumente shumë të ashpra kundër
vetes; argumente e gjykime të pamerituara për popullin tonë, porse ngjarjet e mëvonshme dhe gjendja e sotme do të provonin se
populli ynë ishte një ndër më të disiplinuarit në botë.
Trupa ushtarake të shteteve limitrofe shkonin varavinga përgjatë kufijve tanë, ndërsa disa politikaxhinj praktikonin sistemin
e sulmimit të karrocave të postës, sa herë që formohej një qeveri e re.
Arritën deri në diçka satanike e të pabesueshme e, në njëfarë mënyre, groteske, për fat të keq.
Ndërsa ushtarët e shkretë shqiptarë, të keqpajisur dhe të kequshqyer luftonin në kufi kundër trupave superiore në numër, si
për armatimet ashtu edhe për organizmin, të ashtuquajturit burra të politikës formonin grupe pas grupesh, në sulm të një
karrigeje në qeveri. U krijuan grupe politike në një vend, ku populli në maxhorancë dërrmuese nuk ishte pjesëtar i ndonjë
partie.
Më në fund u krijua një Bashkim, i mbiquajtur Bashkimi i Shenjtë, që synonte të pajtonte partitë me një... ndarje racionale
të karrigeve ministrore.
Nuk mohoj se të gjithë ose pothuaj të gjithë kishin ide patriotike, por në masë dërrmuese u mungonte vizioni i saktë për
problemet jetësore që duhej të përballonin, si dhe aftësia për të kuptuar kapacitetin e vet politik dhe administrativ.
Më kujtohet - e po e them për mësim për të rinjtë - që për formimin e një Ministrie u krijua një komision me anëtarë të
Bashkimit të Shenjtë, dhe që, për të arritur pa shumë përplasje në zgjedhjen e ministrit, komisioni i famshëm e bëri me short
zgjedhjen e tij!
Ja pra, ku mund të të shpjerë një krizë ndërgjegjeje!
Por për Shqipërinë, kishte lindur Ylli i Mirë, Zogu.
Në tetor 1921, Ai, megjithëse ishte një deputet i thjeshtë, mori komandën e Forcave të Armatosura të Shtetit, për të mbrojtur
kufijtë e Shqipërisë.
Vendi mori frymë paksa sepse kishte mjaft besim në këtë Burrë, i cili diti t'i përgjigjej si besimit të qeverisë ashtu edhe
të popullit, sepse në pak ditë ia doli mbanë të dëbonte trupat serbe.
Kjo ndodhi në nëntor 1921 dhe krijoi në të gjithë vendin një entuziazëm gati në delir që kapërceu çdo kufi kur u mor vesh që
Fuqitë e Mëdha, të befasuara nga reagimi ynë energjik dhe të shqetësuar nga mundësia e komplikacioneve të mëtejshme, ftuan
Jugosllavinë të respektonte pavarësinë e tërësinë territoriale të shtetit shqiptar.
Por fitoret ushtarake dhe interesimi i Fuqive të Mëdha, në vend se ta shtynte vendin drejt normalitetit politik, nxirrte në
pah ambiciet e shfrenuara të disa njerëzve, ambicie të cilat nuk i përshtateshin gjendjes reale të vendit dhe kapacitetit të
vetë atyre. Kështu u krijua një zinxhir qeverish e ministrish njëra prej të cilave - e imponuar nga i famshmi Bashkimi i
Shenjtë - jetoi gati 24 orë!
Disa deputetë vullnetmirë i drejtuan Zogut, një telegram, gjatë kohës që ai ishte në kufijtë veriorë, ku i luteshin të
kthehej në Tiranë për të rivendosur rregullin.
Në këtë mënyrë Ai u tregoi vendin intrigantëve, kur u kthye në kryeqytet, dhe i siguroi Parlamentit - që ishte arratisur nga
Tirana - liri të plotë diskutimi dhe votimi dhe vuri për udhe funksionimin normal të jetës politike.
Më pas, u arrit që të vinte në fuqi Qeveria Ypi, me Zogun ministër të Brendshëm, që filloi të aplikonte masën e parë radikale
dhe të domosdoshme - çarmatimin.
Por edhe siç mund të parashikohej, kjo masë dhe të tjerat që përvijoheshin në horizont nuk mund t'i linin të qetë ambiciozët
pa merita, duke shkaktuar aty këtu revolta dhe kryengritje, të cilat arritën ndonjëherë deri në dyert e Tiranës.
Kundër veprave të tilla tradhtare dhe të pakëshillueshme, shpata e Zogut arriti gjithmonë në kohë dhe ua preu rrugën.
Nganjëherë rreziku ishte mjaft i madh.
Për shembull në mars 1922 një grup i madh rebelësh zaptoi periferinë e kryeqytetit dhe dalëngadalë u rras gati në rrëzë të
Parlamentit, duke shkaktuar një situatë aq të rrezikshme saqë i shtyu regjentët, ministrat, deputetët dhe funksionarët të
largoheshin për t'u strehuar në Elbasan.
Në Tiranë qëndroi vetëm Zogu, i cili për dy netë rresht luftoi ballazi me rebelët, derisa i shtrëngoi të lëshonin pozicionet.
Përveç kësaj, më pas edhe i fali, me kusht që të pranonin se kishin gabuar dhe të premtonin se nuk do të përsërisnin këtë
gabim të rëndë.
Ndërsa vlerat dhe madhështia shpirtërore e bënin të pafuqishme një masë njerëzish të rrezikshëm, në Durrës shpërthente një
rebelim tjetër! Megjithatë edhe ky u shtyp shpejt dhe u finalizua me ndëshkimin shembullor të drejtuesve kryesorë, të cilët u
varën pa ua vënë shumë veshin lutjeve pa vend, për mëshirë.
Zogu, ndërsa bëhej copë e çikë për të normalizuar jetën e brendshme të shtetit, nga ana tjetër nuk kursehej për të kontribuar
në të gjitha fushat e tjera. Me taktin e aftësitë e tija ai kontribuoi së tepërmi për t'i shtrirë dhe përmirësuar
marrëdhëniet ndërkombëtare të qeverisë, veçanërisht me Italinë.
Eshtë e gdhendur në mendjet e në zemrat e patriotëve shqiptarë deklarata e ministrit të Jashtëm Schanzer, i cili në fund të
vitit 1921 deklaroi në Parlamentin italian se kishte besim që shqiptarët do të synonin të kishin me Italinë një miqësi të
sinqertë në harmoni të plotë me miqësinë e pastër dhe të çiltër të Italisë.
Ndërkaq Zogu vazhdoi ngjitjen e tij sidomos për shkak të meritave që kishte. Kur Shkëlqesia e Tij Xhafer Ypi braktisi postin
e Kryeministrit për t'u emëruar Regjent, Zogu erdhi në pushtet në vend të tij, duke ruajtur edhe portofolin e ministrit të
brendshëm.
Duke i kërkuar votëbesimin Parlamentit, deklaroi se gurët e themelit të programit të tij qeveritar ishin:
1.Mbi të gjitha të nderojmë Atdheun dhe patriotët.
2.Liri të plotë të shtypit dhe të fjalës; shqyrtim skrupuloz të çdo vëzhgimi të bërë për të mirën e përgjithshme.
3.Politikë realiste në çdo fushë për zhvillimin racional dhe gradual të vendit duke e shtyrë atë drejt qytetërimit
perëndimor.
4.Miqësi me të gjithë shtetet, por vetëm në bazë të respektit reciprok.
5.Arritjen e pavarësisë ekonomike.
6.Organizim modern të shtetit në bashkëpunim me teknikë të huaj.
E mbyllte fjalimin e tij duke theksuar nevojën që të gjitha përpjekjet e qeverisë bazoheshin kryesisht në ruajtjen e qetësisë
publike dhe në bashkëpunimin e sinqertë të atyre që me gjithë shpirt punonin për atdheun.
Fjalë në erë, për demagogët dhe të mashtruarit e Bashkimit të Shenjtë! U intensifikua lufta e ftohtë e përçarëse duke futur
mikrobin nga politika në Xhandarmëri dhe në radhët e ushtarëve, duke u predikuar ca teori të pakuptimta që më vonë do të
kishin pasoja të përgjakshme.
Vijon në numrin e ardhshëm
Përktheu: Neritan Kolgjini