2 miliardë dollarë për Kosovën
Prishtina
SHBA dhe Europa do te ndihmojne ne vitet e pare buxhetin e Kosoves se pavarur
Shteti i ri i Kosovës do të ketë nevojë për një ndihmë të huaj prej 2 miliardë dollarësh gjatë viteve të ardhshme, dhe gjysma e kësaj shume duhet të sigurohet nga Evropa. Ndërsa pjesa tjetër e parave mund të vijnë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe institucionet, si Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Ka qenë kjo deklarata e asistentit të Sekretarit amerikan të Shtetit, Daniel Frid, përpara komitetit të marrëdhënieve me jashtë në senatin amerikan. Ky komitet mbajti dje në mbrëmje një seancë të posaçme për të analizuar pavarësinë e Kosovës dhe problemet me të cilat përballet rajoni i Ballkanit. Seanca u nda në dy seksione me dy panele të ndryshme folësish. Gjatë pjesës së parë, Frid paraqiti situatën në Kosovë, duke prezantuar dhe mbështetjen amerikane për shtetin më të ri të botës. Sipas tij, ndihma ndaj Kosovës, e cila shpalli në 17 shkurt pavarësinë nga Serbia, me mbështetjen e fortë të Uashingtonit, do të kërkojë një vëmendje të veçantë të administratës së ardhshme amerikane, pasi presidenti Bush të largohet nga Shtëpia e Bardhë janarin e ardhshëm. “Ne nuk mund të mendojmë se Kosova është një autopilot dhe të ecë vetë. Kjo situatë do të kërkojë një vëmendje të nivelit të lartë që nga fundi i kësaj administrate deri në tjetrën”, - u shpreh Frid, i cili aktualisht mban dhe pozicionin e nënsekretarit amerikan të Shtetit për Çështjet Politike, pozicioni i tretë nga hierarkia në Departamentin e Shtetit. Sipas tij, shuma prej 2 miliardë dollarësh është një përllogaritje bruto e ndihmës ekonomike që do të ndihmojë Kosovën të shëndetshme ekonomikisht. Frid theksoi gjithashtu, se SHBA-të do të marrin pjesë në konferencat më të mëdha të donatorëve për Kosovën, që pritet të mbahen në muajin qershor. Ai konfirmoi se edhe Kongresi Amerikan tashmë ka parashikuar një ndihmë prej 350 milionë dollarësh për shtetin e ri të Ballkanit. Lidhur me tentativat e Beogradit dhe Moskës për krijimin e tensionit, me qëllim ndarjen e Kosovës, Frid tha se nuk ka asnjë provë që Rusia po përpiqet të ndërhyjë ushtarakisht në Kosovë, duke pasur parasysh prezencën e madhe të trupave të NATO-s atje. Frid foli gjithashtu edhe mbi izolimin ndërkombëtar të Serbisë, pas njohjes së Kosovës nga shumë shtete perëndimore. Ai u shpreh se interesat strategjike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbeten që Serbia të gjejë veten në Bashkimin Evropian, por gjithsesi kjo mbetet në përgjegjësinë e Beogradit. Në pjesën e dytë të seancës në Senatin Amerikan, e morën fjalën Janusz Bugajski i qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, si dhe Daniel Server, zëvendëspresidenti i Operacioneve për Paqe dhe Stabilitet. Server mes të tjerash theksoi faktin, se Serbia përbën një problem për Ballkanin e jo Kosova, e cila tashmë e ka gjetur rrugën e saj.