KRRT-të mbeten pa kompetenca
Opozita paralajmëron se ndryshimet në ligj nuk garantojnë urbanizimin e zonave informale
Miratimi i kufijve të zonave informale nuk do t’i kalojë më Këshillit të Qarkut, KRRT-ve apo KRRTRSH-së. Do të jetë Agjencia e Legalizimeve, ajo që menjëherë pas plotësimit të dokumentacionit të ndërtimeve pa leje do të shpërndajë edhe lejet e legalizimeve, duke u marrë veçanërisht me çdo objekt. Ndryshimet në ligjin e legalizimeve u miratuan dje në Komisionin Parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese, me debate të ashpra mes opozitës dhe drejtuesve të Agjencisë së Legalizimeve. Deputetët e opozitës ngritën sërish shqetësimin se ndryshimet e qeverisë në ligjin e legalizimeve nuk kanë qëllim tjetër, veçse marrjen e kompetencave Këshillave të Rregullimit të Territorit pranë pushtetit vendor. Përveç kësaj, ndryshimet e ligjit pengojnë urbanizimin e zonave, pasi urbanizimi nuk bëhet me njësi, por me objekte. Pra, e thënë ndryshe, me ndryshimet e qeverisë hiqet koncepti i zonës informale, duke u hequr të drejtën organeve të pushtetit vendor të veprojnë edhe në ndërtimet pa leje, të cilat nuk janë të përfshira në zonat informale. Me ndryshimet e ligjit, ALUIZNI ka të drejtën të kryejë legalizime individuale. Por nga ana tjetër, nëndrejtori i Agjencisë së Legalizimeve, Ferdinand Shehu, argumentoi se ndryshimet kanë si qëllim reduktimin e procedurave të cilat zvarriten si nga KRRT-të, këshillat e qarkut, ashtu edhe KRRTRSH dhe urbanizimin e shpejtë të zonave. Shehu solli në vëmendje të deputetëve, që deri tani janë identifikuar 640 zona informale, por janë miratuar vetëm 65 si të tilla. Kryetari i Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, Ylli Bufi, nënvizoi se ndryshimet që paraqiten në ligj kanë në themel marrjen e kompetencave të pushtetit vendor dhe jo zgjidhjen e problemit. Sipas Bufit, kjo mund të zgjidhet nëpërmjet vendosjes së afateve, por jo me ndërhyrje të kompetencave. “Qeveria nuk mund të heqë kompetencat pushtetit vendor, por të shtojë dispozita për të rregulluar problemet që paraqiten në këshillat e qarkut apo KRRT-të. Fillimisht ajo duhet të vendosë afate për këta të fundit, në mënyrë që të mos krijohen pengesa në procesin e legalizimit. Po ashtu, nëpërmjet një dispozite mund t’i japë të drejtën Agjencisë së Legalizimeve të legalizojë banesat pa u miratuar kufijtë e zonës informale”, tha kryetari i komisionit, Ylli Bufi. Ai theksoi se këto dy propozime nuk krijojnë pengesa në procesin e urbanizimit. Pavarësisht kësaj, propozimet e opozitës janë kundërshtuar nga numri dy i Agjencisë së Legalizimeve, Ferdinand Shehu, i cili ka pohuar se nga KRRT-të ka shumë vonesa në miratimin e zonave. “Vendimmarrja në KRRT-të dhe këshillat e qarkut është e padobishme, pasi duhet të kalojnë një sërë procedurash dhe dokumentacionesh, të cilat sjellin vonesa në këtë proces”, u shpreh Shehu, duke thënë se ndryshimet sjellin konceptin e zonave kadastrale. Një tjetër pikë mjaft e debatuar në diskutimet për ndryshimet e ligjit të legalizimeve ishte edhe çështja e kompensimit të ish-pronarëve. Sipas deputetëve të opozitës, nga ana e qeverisë nuk ka ende një faturë financiare të përcaktuar për kompensimin e ish-pronarëve, çka e vështirëson akoma edhe më shumë procesin e legalizimeve.