Kosova ka arritur mbi 2 milionë banorë
Qytetarë shqiptarë të Kosovës
Mbi 92 perqind e tyre jane shqiptare, 5 perqind serbe dhe me pak, minoritetet e tjera
Kosova ka mbi 2 126 708 banorë, ky është numri i publikuar aktualisht në faqen e internetit të Entit të Statistikës. Ndonëse nuk ka pasur regjistrim të popullsisë prej më se 25 vjetësh, Enti i Statistikës i Kosovës - Departamenti i Statistikave të Popullsisë, prezantoi dje një publikim për ndryshimet demografike të popullsisë së Kosovës. Sipas këtij materiali, Enti i Statistikës vlerëson se në vitin 2006 Kosova duhet të ketë pasur rreth 2 milionë e 100 mijë banorë dhe se kishte një rritje popullsie prej 7.4 për qindësh më shumë se në vitin 1991. Enti i Statistikës vëren se regjistrimet e fundit të përgjithshme të popullsisë në Kosovë janë të vitit 1921, kur ky vend ka pasur 439.010 banorë. Ndërsa në vitin 1981, kur është bërë regjistrimi i fundit i popullsisë (jo i përgjithshëm), Kosova kishte 1.584.440 banorë. Më 6 korrik 1962, gazeta “Rilindja” shkruante se Kosova “fitoi këto ditë banorin e njëmiliontë”. Edhe pse të dhënat për kohën e pasregjistrimit të fundit janë vlerësime të përafërta, duket se Kosova nga fillimi i shekullit 21 ka arritur të ketë 2 milionë banorë. Ndërkohë, siç është thënë, në Kosovë po përgatitet regjistrimi i përgjithshëm i popullsisë, që pritet të mbahet brenda këtij viti. Sipas Entit të Statistikës, struktura aktuale e popullsisë në Kosovë është 92 për qind shqiptarë, 5.3 për qind serbë dhe 2.7 për qind grupet e tjera etnike.