Ministrat bashkojnë penat
Lulëzim Basha dhe Antonio Milloshovski
Zgjerimi i NATO-s, hap drejt stabilitetit dhe begatisë së përhershme të Evropës Juglindore
Fillimi i muajit prill sjell një mundësi për zgjerimin e NATO-s me tre vende të reja anëtare nga Evropa Juglindore. Këto vende janë Republika e Shqipërisë, Republika e Maqedonisë dhe Republika e Kroacisë, të grupuara në kartën “Adriatik 3”. Që kjo të ndodhë, këto vende duhet të vazhdojnë përpjekjet e tyre deri në Samitin e NATO-s në Bukuresht, për të përfunduar “detyrat e shtëpisë”, duke u dërguar aleatëve një sinjal bindës se reformat në këto vende do të vijojnë edhe pasi anëtarësimi i tyre të jetë bërë fakt i kryer. NATO është aleancë vendesh që ndajnë ide, vlera dhe përgjegjësi të përbashkëta. Në këtë aleancë, çdo anëtar jep ndihmesën e vet dhe përfiton solidaritet nëpërmjet zonës së përbashkët të sigurisë. Vendet e A3-it e kanë parë gjithnjë anëtarësimin në NATO jo thjesht si një mjet për përmirësimin e sigurisë së tyre të tanishme, por edhe si një synim që i çon ato drejt zhvillimit afatgjatë, konsolidimit të vlerave demokratike të vendeve tona dhe hapjen e vazhdueshme të shoqërive tona ndaj rajonit dhe më gjerë. Anëtarësimi në NATO sjell shumë përfitime. NATO do të zgjerohet me 29 vende, e për rrjedhojë do të përmirësohen kapacitetet e saj dhe do të forcohet siguria në Evropën Juglindore. Aleatët e rinj do të punojnë së bashku me shtetet anëtare të deritanishme për krijimin e zonës së përbashkët të sigurisë. Në vend të rivalitetit historik, vendet tona janë përkushtuar për realizimin e synimeve dhe përgjegjësive të përbashkëta për rritjen e bashkëpunimit rajonal dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë. Nuk është rastësi që anëtarësimi në NATO nuk po bëhet vetëm falë dëshirës së elitës politike. Ky anëtarësim kërkon domosdoshmërish edhe mbështetjen publike, si dhe garancitë që vendi do të jetë i mbrojtur më mirë jo vetëm falë angazhimeve të aleancës, por edhe falë përgjegjësive ndaj aleatëve. Kjo nënkupton një ndryshim të rëndësishëm të marrëdhënieve në Evropën Juglindore. Bashkëpunimi ndërmjet vendeve anëtare të NATO-s në rajon dhe vendeve kandidate ka qenë tejet i rëndësishëm për të përshpejtuar përgatitjet për anëtarësim në aleancë, për forcimin e frymës së solidaritetit dhe përgjegjësisë së përbashkët për siguri. Ky parim ka çuar Bullgarinë në ndërmarrjen e angazhimeve dhe mbështetjes konkrete për vendet e “Adriatik 3”, në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në NATO. Tashmë, vendet e A3-it janë të aftë të dëshmojnë se ata po hyjnë në aleancë me një vizion të qartë për të ardhmen e Evropës Juglindore. Siguria është çështje delikate. Ajo nuk është dhe aq e dukshme në jetën e përditshme të njerëzve: që një vend të dëshmojë se është i mbrojtur, nuk është e nevojshme që ai të përfshihet në kriza. Përfitimet nga siguria kolektive janë të mëdha edhe në kohë paqeje. Ato kanë të bëjnë me një mënyrë të hapur të menduari dhe sjelljeje publike, që ndërtohet mbi bazën e besimit ndërmjet aleatëve. Kjo mënyrë do të krijojë një atmosferë më të mirë në Evropën Juglindore. Zgjerimi i NATO-s dhe i BE-së ka ndikuar jashtëzakonisht në ndryshimin e mentalitetit kolektiv në Evropën Juglindore. Aderimi në aleancën më të fuqishme dhe më të suksesshme në histori, e cila vitin e ardhshëm do të festojë 60-vjetorin e krijimit, nuk ka të bëjë vetëm me një zgjedhje të qytetëruar, por edhe me marrjen përsipër të përgjegjësive serioze, si dhe të angazhimit për transformimin e aleancës. Transformimi imponohet nga domosdoshmëria për krijimin e kapaciteteve të nevojshme për të përballuar me efektivitet rreziqet e reja të sigurisë, të cilat i kapërcejnë kufijtë kombëtarë. Zhvillimi i angazhimeve politike dhe operative, si dhe fuqizimi i mëtejshëm i këtyre kapaciteteve është i nevojshëm për konceptimin e një qasjeje tërësore bashkëpunimi si në aspektin gjeografik, ashtu edhe për vetë natyrën e tij. Vendet e “Adriatik 3” po japin shembuj bindës nëpërmjet pjesëmarrjes së tyre në operacionet e NATO-s. Në këtë mënyrë realizohet ndërveprimi me forcat e armatosura të vendeve anëtare. Republika e Shqipërisë, Republika e Maqedonisë dhe Republika e Kroacisë do të vijojnë të punojnë në mënyrë aktive në ditët dhe javët që vijnë për t’u anëtarësuar. Pasi anëtarësimi të jetë bërë fakt, secili prej këtyre tre vendeve do të vijojë me këto reforma, të cilat kërkojnë më shumë kohë dhe përpjekje të shumëfishta. Vendet e grupit të Adriatikut e dinë se angazhimi i ndërmarrë prej tyre për një qëndrim konstruktiv rajonal, për marrëdhënie të bashkëpunimit dhe fqinjësisë së mirë, duhet të përsëritet çdo ditë me veprimtari konkrete. Evropa Juglindore meriton një të ardhme më të mirë dhe ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet në këtë drejtim. Rruga drejt kësaj së ardhmeje kalon përmes anëtarësimit në NATO. Së fundi, ne jemi të bindur se zgjerimi i aleancës me vendet e “Adriatik 3” do të jetë një vlerë e shtuar si për stabilitetin në rajon, ashtu edhe për kapacitetet e NATO-s në Evropën Juglindore. *Autorët Basha janë ministër i Jashtëm i Shqipërisë, Kalfin, ministër i Jashtëm i Bullgarisë, Jandrokoviç, ministër i Jashtëm dhe i Integrimit Evropian të Kroacisë dhe Milososki, ministër i Jashtëm i Maqedonisë