E Shtunë, 31 Tetor 2026

20 mijë euro kundër rriqrave

Nga Express më 22 maj 2011 në ora 20:00

Ndonëse muajt maj e qershor çdo vit në Kosovë karakterizohen me numër të lartë të personave të pickuar nga rriqrat, por edhe me viktima në njerëz, këtë vit për shkak të motit të freskët situata ka qenë më e qetë. Mirëpo me fillimin e ngritjes së temperaturave këtyre ditëve edhe autoritetet vendore kanë nisur të ndërmarrin masat adekuate për mbrojtjen e qytetarëve. Qeveria është zotuar për ndarjen e 20 mijë eurove për blerjen e materialeve për sanimin e etheve hemorragjike, të cilat shkaktohen nga rriqrat.

Pickimi i popullatës nga rriqrat që pas përfundimit të luftës në Kosovë ka marrë një hov të madh dhe gjithnjë e më shumë po shënon rritje, pavarësisht disa përpjekjeve të organeve kompetente për asgjësimin e tyre, kjo çështje mbetet edhe më tutje mjaft shqetësuese për qytetarët pasi që epidemia e tillë mund të shkaktojë edhe vdekjen.

Për këtë çështje kohë më parë deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Halit Krasniqi ka ngritur zërin në Kuvendin e Kosovës duke kërkuar nga autoritetet shëndetësore që të jenë më të përkushtuara dhe të kenë një qasje sa më profesionale për mbrojtjen e qytetarëve.

“Për çdo vit kemi vdekje tragjike nga pickimet e rriqrave, ka paraqitje të tyre në muajt maj dhe qershor me pasoja vdekjeprurëse, ndërsa muajt tjerë janë pickime të rriqrave që janë shumë shqetësuese dhe përfundojnë me hospitalizime. Zakonisht për çdo vjet nga 1400 deri në 1600 persona nga pickimet e rriqrave kanë përfunduar në spital, ndërsa për këto dhjetë vjet 28 të vdekur i kemi në regjionin e Prizrenit dhe kryesisht shumica prej tyre janë me epiqendër në komunën e Malishevës”, ka thënë ai.

Pas shtrimit të çështjes në Kuvendin e Kosovës dhe diskutimit aty, Krasniqi thotë se ka shenja që sivjet do të ketë një përkushtim më të madh nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë për një qasje sa më profesionale në këtë drejtim.

“Kemi edhe premtime që do të ketë këtë vit qasje më profesionale. Pikërisht këtu kam pasur fokusin e preokupimit tim sepse aty çdo vit është bërë spërkatja, por spërkatja është bërë skajeve të rrugëve, e rriqrat nuk rrinë skajeve të rrugëve. Në këtë aspekt besoj se do të ketë një qasje më profesionale dhe më të përkushtuar”, është shprehur ai.

Edhe pse këtë vit numri i të sulmuarve nga rriqrat është shumë më i vogël dhe deri tani nuk ka pasur viktima, me fillimin e ngritjes së temperaturave autoritetet vendore, kanë nisur të ndërmarrin masat adekuate për mbrojtjen e qytetarëve nga rriqrat.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti pohoi se Qeveria e Kosovës është zotuar për alokimin e 20 mijë eurove, mjete të cilat do të do të ndihmojnë institucionet shëndetësore për blerjen e materialeve të cilat do të ndihmojnë në sanimin preventiv për të parandaluar rastet e pickimeve nga rriqrat dhe paraqitjen e etheve hemorragjike.

“Ministria e Shëndetësisë është e gatshme që të mbështesë aktivitetet e IKSHP-së, institutet rajonale ashtu edhe Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare në komunat gjegjëse ku paraqiten rastet në mënyrë që të bëhet dezinfektimi dhe dezinfektimi i terrenit pasi që dihet që pickimi i rriqrave shkakton ethet hemorragjike. Sidoqoftë kjo nuk është temë që u takon vetëm niveleve shëndetësore, por për të ndihmuar popullatën e atyre zonave që më tepër ballafaqohen me këto sëmundje ka diskutuar edhe Qeveria e Kosovës dhe është zotimi për alokimin e 20 mijë eurove, mjeteve të cilat do të përdoren për blerjen atyre materialeve të cilat do të ndihmojnë në sanimin preventiv për të parandaluar rastet e etheve hemorragjike”, ka thënë Hoti.

Drejtori i Klinikës Infektive të QKUK-së, infektologu Shemsedin Dreshaj, ka thënë se duke pasur parasysh periudhën në të cilën ndodhemi, këtë vit është një fazë më e vonshme e aktivitetit të rriqrave, e gjithë kjo për shkak të kushteve atmosferike të cilat po mbretërojnë në vendin tonë.

Kryesisht deri më tani zonat më të rrezikuara nga rriqrat kanë qenë Malisheva, Suhareka, Klina, Rahoveci, Skenderaj, Drenasi dhe disa vende tjera.

Mjekët konsiderojnë se këto sëmundje janë treguar mjaft të rrezikshme në vendit tonë, sepse kanë një vdekshmëri të lartë, prej 30 deri në 50 për qind të rasteve.

Ethet hemorragjike janë sëmundje të kahmotshme në vendin tonë dhe kanë filluar të paraqiten sidomos nga viti 1986, qoftë në forma sporadike apo me shpërthime epidemike. Pas vitit 1986 epidemitë e këtyre sëmundjeve janë paraqitur pastaj me 1989, 1995, 2001, 2004 dhe 2005 dhe vitet e fundit.

Deri më tani është vërtetuar se ekzistojnë disa sëmundje që bëjnë pjesë në grupin e etheve hemorragjike dhe në vende të ndryshme të botës janë të njohura l2 lloje, por në Kosovë deri më tani janë të njohura dy tipa: ethet hemorragjike me sindrom veshkor ose populli e njeh si ethe të minjve dhe ethet hemorragjike krime kongo ose ethja e rriqrave./kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›