20 shtete depozitojnë pranë Gjykatës së Drejtësisë dëshmitë “pro” pavarësisë së Kosovës
Rreth njëzet shtete pritet të deponojnë deklarata në favor të Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Dyfish më shumë se për Serbinë. Shumica e shteteve që do ta përkrahin Kosovën janë nga blloku perëndimor. Deklarata pro-pavarësisë së Kosovës do të dorëzohen edhe nga Japonia e Shqipëria, por ende s’ka deklarim mbështetës nga Italia
Kosova mund të jetë e kënaqur me numrin e shteteve që do ta përkrahin pavarësinë e saj në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ) në Hagë. Të gjitha shtetet dhe organizatat e interesuara kanë afat deri të premten që të deponojnë deklarata me shkrim rreth legalitetit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës - proces i iniciuar nga Serbia, vitin e kaluar. Një diplomat perëndimor në Prishtinë, ka thënë të mërkurën për Express, se numri i shteteve që kanë paralajmëruar se do të përkrahin pavarësinë e Kosovës në ICJ është përgjysmë më i madh se numri i shteteve që do të mbështesin qëndrimin e Serbisë. “Presim që rreth 20 shtete të deponojnë deklarata në favor të Kosovës. Serbia deri më tash nuk ka arritur të sigurojë as 10 shtete”, ka thënë ai, me kusht anonimiteti.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Franca kanë konfirmuar edhe zyrtarisht se do të dorëzojnë argumente në të mirë të Kosovës. Sipas fjalëve të zyrtarit ndërkombëtar, pavarësinë e Kosovës do ta mbështesin me deklarata edhe Britania e Madhe, Gjermania, Austria, Zvicra, Danimarka, Norvegjia, Sllovenia, Shqipëria. Ai pret që këtij grupi t’i bashkohen edhe disa shtete tjera evropiane si dhe Japonia. Një jurist i njohur nga ky shtet dhe ish-diplomat, Hifashi Ovada, madje është Kryetar i Gjykatës së Drejtësisë. Ndonëse duket e pazakonshme, diplomati perëndimor thotë se Italia ka vendosur të mos marrë pjesë në procesin e vlerësimit të ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës. Italia ka qenë anëtare Quint’it, grupit që ka kontribuar më së shumti për bërjen e Kosovës shtet. Nga ana tjetër, megjithë ofensivën diplomatike, Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremic, nuk ka arritur të mbledhë shumë shtete rreth qëndrimit serb. Para disa muajve ai ka ftuar tetëdhjetë shtete që të dorëzojnë deklarata kundër pavarësimit të Kosovës në Gjykatën e Botës. Diplomati perëndimor thotë se Beogradi nuk ka siguruar as përkrahjen e Greqisë, një nga pesë shtetet anëtare të Bashkimit Europian që ende nuk e kanë njohur Kosovën. Sipas fjalëve të këtij zyrtari ndërkombëtar, deri më tash Serbia ka marrë premtime nga Rusia, Spanja, Qipro, Sllovakia, Venezuela, Bolivia, por edhe nga Argjentina. Në ekipin e ekspertëve ligjorë që kanë ndihmuar hartimin e deklaratës së Serbisë është edhe një jurist i njohur argjentinas që punon në një organizatë ndërkombëtare në Zvicër. Serbia mund të zhgënjehet edhe nga Kina, e cila ende nuk ka marrë vendim për pjesëmarrje në rastin e Kosovës në Hagë. Numri i saktë i shteteve që do të dorëzojnë nesër deklarata me shkrim zyrtarisht mund të konfirmohet vetëm nga Zyra e Regjistrit të Gjykatës së Drejtësisë. Prishtina dhe Beogradi kanë bërë të ditur se kanë përgatitur dokumentacion qindra faqesh, por për Gjykatën kjo nuk është relevante. Asaj i interesojnë faktet. Secili shtet pjesëmarrës do të ketë mundësi të shohë përmbajtjen e deklaratës së shteteve tjera 10 -12 ditë pas dorëzimit të tyre, por jo edhe opinioni publik. Gjykata nuk lejon publikimin e tyre deri në përfundim të procesit që pritet të zgjasë deri në gjysmën e vitit të ardhshëm. Deklaratat nuk publikohen sepse gjykata nuk dëshiron të ketë diskutim publik rreth argumenteve të shteteve pjesëmarrëse për shkak të frikës së mund të ketë presion dhe ndikim në proces. Pjesëmarrësit në proces janë të obliguar që deri më 17 korrik të dorëzojnë në Gjykatë komente rreth deklaratave të njëri - tjetrit. Nëse e sheh të nevojshme, Gjykata mund të ftojë edhe seanca dëgjuese. Pesëmbëdhjetë gjykatësit ndërkombëtarë do të nxjerrin një mendim këshillues, që nuk është obligues për asnjë shtet, por ka peshë politike. Sa u përket organizatave ndërkombëtare, vetëm OKB do të kontribuojë në rastin e Kosovës. Ajo tashmë ka deponuar rezolutat e Këshillit të Sigurimit për Kosovën, raportet me shkrim të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB’së dhe dokumente tjera. Një nga përfaqësuesit e Serbisë në ICJ, profesori i të drejtës ndërkombëtare Tibor Varadi, ka thënë të mërkurën se rreziku për Serbinë në këtë proces nuk është i madh sepse Kosova nuk qeveriset nga Beogradi që nga viti 1999. Ai nuk përjashton mundësinë që mendimi i Gjykatës të jetë i atillë që të mund të interpretohet në mënyra të ndryshme, përkatësisht që edhe Prishtina edhe Beogradi ta trajtojnë si fitore. “Me siguri do të ketë argumente që kjo çështje nuk është çështje ligjore por politike dhe se gjykata nuk do të duhej të merrej me të. Por, vërtet do të isha i befasuar për të keq nëse Gjykata i pranon këto argumente”, ka thënë ai për të përditshmen serbe “Politika”. Eksperti serb vlerëson se do të ketë kërkesa që Gjykata të shpallë se nuk është kompetente për rastin e Kosovës. “Besoj se do të ketë iniciativa në këtë rrafsh, para se gjithash nga Prishtina, por dhe disa vende tjera që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Mirëpo, kjo është çështje juridike ‘par excelence’ dhe si të tillë e ka kualifikuar edhe Asambleja e Përgjithshme e OKB-së. Qëndrimi tjetër do të ishte i çuditshëm në këto rrethana”, ka thënë ai. Nëse Gjykata vendos në favor të qëndrimit shqiptar, Varadi vlerëson se kjo nuk do të thotë se Kosova i merret Serbisë për herë të dytën. “Kosova faktikisht që nga viti 1999 nuk është nën pushtetin serb. Gjendja faktike nuk do të ndryshohej, por ajo do të bëhej më e fortë se deri më tash”, ka thënë ai.