Reportazhi/Kukësi, nga lotët e hidhërimit tek vallja e gëzimit
Vijnë për të kujtuar dhimbjen, humbjen e njerëzve të dashur, vijnë edhe për të mos harruar ç'farë u ndodhi atë pranverë të vitit '99, vijnë që t'ua kujtojnë edhe brezave. Por vijnë edhe në shenjë falenderimi për kuksianët, mikpritja e të cilëve atë pranverë të hidhur, çuditi botën. Këngët, vecanërisht marshi i UÇK-së dhe lodrat kanë "pushtuar" rrugët e sheshet e qytetit të Kukësit në një ditë që sot i ngjan një dasme të stërmadhe, ku dasmorë janë rreth 20 mijë kosovarë e kuksianë. Është vështirë t'i dallosh se cilët janë, pasi gjenden kudo, jo vetëm në rrugë, por edhe në lokalet e qytetit. Të gjithë janë së bashku, thuajse si 10 vjet më parë, por me një ndryshim shumë të madh, sepse këtë rradhë nuk ka të qara, as fytyra të mërzitura. Ka vetëm kujtime të atyre ditëve.
Eksod i trishtë/Ishte 27 mars, 1999, ora rreth 13,20 minuta, ditë me shi dhe shumë i ftohtë, kur në doganën e Morinit nisi të hyjë vargu i madh i kosovarëve të dëbuar. Deri në orën 22 hynë në Shqipëri rreth 12 mijë kosovarë. Dita e parë e dramës kosovare sapo kishte nisur. Ditët e tjera do t'i jepnin përmasa aq të madha asaj, sa qyteti i Kukësit me vetëm 25 mijë banorë "do të pushtohej" nga gjithë media botërore. Kulmin e arriti më 31 mars kur brenda një dite, hynë nga pika kufitare e Morinit plot 31 mijë kosovarë. Pas kësaj dite, qyteti verior i Kukësit u bë qendra e vizitave nga shumë personalitete të politikës botërore. Ishte e para Roza Jervelino, ministre e brendshme e Italisë dhe pas saj, Masimo D'Alema, kryeministri i Italisë, Komisionerja e lartë për refugjatët Sadako Ogata, kryeministra e ministra të tjerë, deri tek sekretari i përgjithshëm i OKB-së Kofi Anan, apo presidenti i BB-së. Të gjithë të habitur se si kishte mundësi që ky qytet i vogël, po ja dilte të përballonte gjithë këtë fluks. Ishte një ngjarje, që nuk ishte parë deri atëherë askund. Për këtë arsye, vetëm një vit më pas, në 2000 qyteti i Kukësit do të propozohej për Çmimin Nobël të Paqes. I kaloi të gjitha kandidaturat e mbeti i dyti në radhë, pas dy presidentëve të dy Koreve që në fund e fituan atë. Edhe ato ditë Kukësi priti shumë gazetarë që ishin të sigurt se do ta fitonte çmimin, por edhe pse nuk e fitoi, gazetarët e huaj nuk dolën të humbur. I bënë shkrimet e tyre për këtë qytet të vogël duke u shprehur: jeni fituesit moralë të këtij cmimi.
Sofra e shtruar e kuksianëve/Ndonëse kanë kaluar 10 vjet, ngjarjet e pranverës '99 janë të freskëta për kosovarët dhe kuksianët, ndaj çdo vit, bëhen përgatitjet për ta përkujtuar dhe secili në mënyrën e tij. Kuksiani Azem Bela kujton ditën e parë të eksodit: "Në një ditë me shi të ftohtë, të gjithë dolëm që t'i prisnim, t'ua lehtësonim dhimbjen e t'i strehonim. Në ditën e parë pata në shtëpi 17 persona nga Rahoveci. Pas dy ditësh ata u larguan drejt një rrethi tjetër, por në shtëpi strehova familjen e Adem Shalës nga Prizreni dhe një mik të tij nga Rahoveci, plot 16 vetë, që qëndruan rreth një muaj. Tani jemi miq, kemi hyrje e dalje familjare për dasma e mort". Tregime të tilla janë të zakonshme sot në Kukës. Albert Gjuta nga Shtiqni është bashkë me Sermedin Susurin nga Theranda. Sermedini tregon se Albertin e njohu përgjatë rrugës për në Kukës. "Më ka kthyer nga rruga për në fshatin e tij, Shtiqën, ku qëndrova një muaj e gjysmë. Atëkohë kemi qenë si një familje. Ashtu dhe sot, se kam ardhur me gjithë familjen, por i kemi lënë në Shtiqën, ndërsa ne erdhëm të shohim ç'farë bëhet sot në Kukës", tregon Sermedini. Shumë familje kuksiane presin sot miqtë nga Kosova. Remziu ka dalë të presë Besimin nga Opoja. "Nuk e di në vjen, se një muaj më parë ka patur fatkeqësi, i vdiq babai dhe nuk më ka lajmëruar se vjen apo jo. Po ku i dihet", thotë ai.
Sot i gjen së bashku kuksianë e kosovarë. Kujtojnë ato ditë, ndërsa vizitojnë dy ekspozita fotografike në kujtim të tyre. "E kam çelur në Kukës ekspozitën, që së bashku të mos harrojmë atë kohë të vështirë", thotë Habib Zogaj, ish ushtar i UÇK-së, invalid i luftës. Fotografitë janë një pasqyrë e krimeve që bënë ushtria dhe paramilitarët serbë në muajt e pranverës '99. Ndërsa afron dreka, Ardiani nga Nanga me furgonin e tij mbledh një familje kosovare. "Jemi miq tani shkojmë e vijmë te njëri-tjetri, sot jam mik tek Ardiani", thotë Resmi Berisha nga Theranda. Sot kuksianët kanë shtruar sofrën për kosovarët, por jo si 10 vjet më parë, jo për t'i strehuar e për t'i ngushëlluar, por për të festuar. Më së miri e tregon pllakati te memoriali i mirënjohjes ku mes të tjerash shkruhet: "Faleminderit Kukës".
Nga lotët e hidhërimit, te vallja e gëzimit/Sot më shumë se kurrë, ngjallen kujtimet. Në ato ditë ata, të dëbuarit, ndodhte që të kishin harruar edhe emrat e tyre nga tmerret që u panë sytë, deri sa mbrritën në Kukës. Një i ardhur nga Mitrovica në ato ditë nuk mbante mend as emrin e tij, ishte i traumatizuar. Liqeni i Fierzës ndodhi të nxjerrë edhe një trup pa kokë. Remzi Misini nga Opoja solli në Kukës një vajzë 2 vjeçe pa asnjë të afërm. Isak Bytyçi nga fshati Shkozë i Malishevës mbërriti në Kukës në mesin e prillit. Ai kishte 21 fëmijë, 14 djem e 7 vajza, prej të cilëve, 6 djem në mal. Dhe thoshte Isaku se duhen shumë fëmijë, për punë, por dhe për të luftuar shkaun. Ai kishte ikur nga shtëpia muaj më parë, ku kishte qëndruar në malin e Pagarushës, ku i kishte lindur edhe një djalë, që e quajti Qëndrim. Ato ditë prilli ishin të mbushur plot me lotë hidhërimi. Familje të ndara, ndërsa jo pak vajza të reja të lyera deri me baltë, që t'u dukeshin të shëmtuara ushtarëve serbë...
Vetëm në kampin e UNHCR-së, në vendin e të cilit sot ngrihet Memoriali i Mirënjohjes, janë derdhur kilogram me lotë, dhe jo vetëm nga kosovarët, por edhe nga kuksianët që shkonin t'i ndihmonin e t'ua lehtësonin dhimbjen. Pak më tej, atëhere në fushë të rreshtuar në rradhë të rregullt, ishin zetorë të panumërt, që shërbenin si banesa për të ardhurit. Një qytet më vete ngjante i gjithë ai mjedis. Sot, këto janë kujtime, por që nuk duhen harruar. "Nuk duhen harruar as nga brezat që do të vijnë", thotë plaku 76-vjeçar Bislim Krasniqi nga Prizreni, i cili sot ka ardhur në Kukës me flamurin kombëtar. "Jeta na ka mësuar që t'a mbajmë kështu si sot", thotë plaku.
Kukësi sot ngjan thuajse si në ato ditë të fund marsit dhe prillit. Vetëm se nuk ka lot, por këngë e valle, që buçasin sot, aty tek sheshi, ku po zhvillohen veprimtaritë. Natyrisht, aty ka protokoll, që është e vështirë të zbatohet në një lum njerëzish, ku vetëm thuajse 20 mijë, janë të ardhur. "Nuk ka gjë, është festë", thotë plaku i Prizrenit. Vetëm në pasdite kënga e vallja nga sheshi shvendoset tek këndi i lojrave të qytetit, ku një koncert i madh me këngëtarë nga Kosova e Kukësi do t'i japin fund festimeve të kësaj dite. Por për t'u përshendetur në mbrëmje kuksianë e kosovarë: "mirupafshim vitin tjetër".
Se tashmë kjo ditë festive përkujtimore është kthyer në traditë. Udhëtimi i kosovarëve do të zgjasë sonte deri në mesnatë. Se jo të gjithë largohen menjëherë.
“ATSH”