200 mijë serbë dhurojnë para për Japoninë, Serbia ndër donatorët më të mëdhenj
Serbia ka dhuruar 1.5 milion euro për Japoninë, duke treguar solidaritet me një vend të goditur rëndë nga katastrofa. Këto donacione shihen si një shenjë mirënjohje për ndihmën që ka marrë ky vend gjatë dekadës së fundit nga Japonia. Serbia është bërë donatori i gjashtë më i madh për Kryqin e Kuq japonez. Një zyrtar i Kryqit të Kuq serb tha se rreth 200 mijë njerëz, përfshi edhe politikanë, por edhe kompani të ndryshme kanë dhuruar për Japoninë.
Në aktivitetin e organizuar për mbledhjen e fondeve, është nënvizuar se gjatë 10 viteve, Japonia ka dhënë për Serbinë grante që kapin vlerën e 200 milion eurove.
Një nga simbolet më të dukshme të ndihmës japoneze është një flotë me rreth 100 autobusë të verdhë, që përdoren në sistemin e transportit publik në Beograd. Beogradi e ka nderuar Japoninë, duke i ngritur një shatërvan tradicional në qendër të parkut kryesor të qytetit.