E Shtunë, 31 Tetor 2026

200-vjetori i Darvinit, ekspozitë në Muzeun Kombëtar

31/03/2010 Charles Darvini dhe vepra e tij e famshme “Mbi origjinën e specieve” e vitit 1860, përbëjnë jo vetëm një hap të rëndësishëm në zhvillimin e shkencave të natyrës, por edhe një kontribut të vlefshëm në historinë e njerëzimit. Udhëtimi i tij 5-vjeçar me anijen Beagle (Bigëll) përreth brigjeve të Amerikës së Jugut në gjysmën e parë të shek XIX, u shndërrua në një eksperiencë shkencore prej së cilës lindi teoria e njohur e evolucionit të qenieve të gjalla. “Teoria e Darvinit në ditët e sotme” është ekspozita e çelur që prej së hënës në Muzeun Historik Kombëtar. I ftuar në këtë eveniment ishte ministri Xhaferaj, i cili mbështeti ekspozitën dhe u shpreh se vepra e tij ishte rrjedhojë e atij shndërrimi të fuqishëm të mendimit shkencor të shekullit XIX, që ende ka jehonë edhe në ditët tona. “Veprat e natyrës dhe shumëllojshmëria e jetës ishin imagjinuar në mënyra që kanë frymëzuar gjithë biologjinë moderne. Darvini mblodhi një sasi të madhe informacioni për të mbështetur idetë e tij që nga fosilet e deri tek përhapja e specieve, duke vënë në themel të teorisë së evolucionit parimin e përzgjedhjes natyrore. Ne cilësoi ai si MTKRS e mbështesim teorinë e tij edhe pse akoma në ditët e sotme lindin pyetje që shkenca nuk ka arritur t’i përgjigjet. Shkenca dhe feja kanë qenë gjithmonë të ndërthurura.

Por si çdo vepër që mban në vetvete gjurmën e kohës kur është krijuar, pyetjet pa përgjigje të saj, i përkasin tashmë evolucionit të shkencës. Ashtu si shumë vite më vonë, studimi i ADN, substancë kimike në zemër të trashëgimisë në të njëjtën kohë edhe lënda e parë për evolucionin, do t’i jepte përgjigje bindëse idesë së tij, sesi ndryshimet në karakteristika u përcollën nëpër breza”, vlerësoi ministri.

“Darvini sot” është një kontribut i “British Council” për festimin ndërkombëtar të 200-vjetorit të lindjes së Darvinit dhe 150-vjetorit të publikimit të veprës së tij “Origjina e specieve”. Vepra e Çarls Darvinit vazhdon të ndikojë biologjinë dhe degët e tjera të shkencës sot. Vepra e tij na jep një perspektivë mbi disa nga pyetjet më të rëndësishme me të cilat përballemi në shekullin e 21-të. Programi britanik ndërkombëtar i aktiviteteve do të angazhojë njerëz nga e gjithë bota dhe do të ofrojë një mundësi për të shqyrtuar marrëdhëniet midis evolucionit dhe fesë në një mënyrë të hapur dhe të paanshme.

Megjithëse kanë kaluar 150 vjet nga botimi kësaj vepre që i çeli rrugë një teorie të re shkencore ajo vazhdon të ndikojë biologjinë dhe degët e tjera të shkencës. Ndikimet më të gjera të këtyre ideve ende nxisin debate ashtu sikur ngjalli frymëzim e kundërshti që në ditët e para. Shpjegimi i deriatëhershëm i pyetjeve sesi ishin krijuar speciet iu ishte dhënë përgjigje nga feja. Por shkenca dhe besimi janë një grup dinamik idesh, ku secili respekton tekstet bazë. Leximi i tyre në mënyra të ndryshme varet nga mënyra e interpretimit. “Darvini sot” është një jehonë e pavarësisë së mendjes, si edhe e përpjekjeve të njeriut për të bindur vetveten, se zhvillimi kalon përmes forcës së tij vetëdijësuese për natyrën që e rrethon.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›