2009-a, pa Nanon deputet dhe pa Metën kryeministër
Tashmë është bërë e qartë se humbësi më i madh nga “listat e mbyllura” është lideri historik i të Majtës shqiptare, Fatos Nano. Dhe kjo do të thotë se, jo rastësisht, Edvini ka propozuar këtë biçim listash, por vetëm e vetëm për ta parë Nanon jashtë parlamentit, si njeri të thjeshtë, si këmbësor..., pa mandat dhe imunitet politik. Ndoshta edhe pa pasur mundësinë për të punuar as si pedagog në ndonjë universitet, sa kohë që mban ende titullin akademiko-pedagogjik “Profesor”, dhe gradën shkencore “Doctor” i shkencave, të cilët i ka marrë (duke ia dhënë vetes me urdhër nga lart në vitin 1999), për “studimet” dhe “mësimdhëniet mbi revizionizmin modern kinez” dhe “katër modernizimet” e “dështuara”, parë në “dritën e filozofisë marksiste-leniniste...”.
Dhe kjo mënxyrë listash nuk është, as më shumë e as më pak veçse hakmarrje e pastër e Edvinit ndaj njeriut që e mori nga “stallat e kuajve të Liri Begesë në Paris..., me thonj të paprerë e të palarë prej muajsh...”, ndonëse pranë brigjeve të Senës. Ndofta ishte edhe “pranë sofrës i pangrënë” dhe “pranë dijes i panxënë”, ngaqë nuk kishte titujt dhe gradat shkencore të Tosit.
Por ky marifet “listash...”, ka të ngjarë të jetë edhe hakmarrje e pastër e marifetçiuit të sistemeve zgjedhore, Kac Islamit, të cilit Nano i preu dikur nafakën, në fillimvitin 1998, dhe e shkarkoi nga posti i zv/kryeministrit, pa i dhënë mundësi të bënte ndonjë lek..., madje edhe kur Kaco iu lut shef Tosit për t’i dhënë ndonjë mundësi..., pasi ishte “shumë i varfër..., kurse ministrat e tjerë po bëjnë namin...”.
“Po pse, çfarë pret ti Kaco? Mos pret që të marrosem dhe të fus duart në thesin e shtetit e të vjedh për ty!!? Aty e ke thesin, merr sa të duash, e kur të duash..., por ama, bashkë me përgjegjësinë penale dhe rrezikun në sy, për ndonjë burgim, si ai që vuajta unë kur ju bënit pallë dhe i lëpiheshit Berishës, medemek se po bënit opozitë, kur unë kalbesha në hapsanë...”.
Madje ndofta jo rastësisht Nano e shkarkoi Islamin pas kësaj kërkese prej zorrëzgromsi dhe tahmaje që mund të rrezikonte për së dyti herë reputacionin e të dënuarit ende të paamnistuar, pasi Përparim debili akoma asokohe nuk e kishte formuluar ankimimin, por edhe ngaqë qeveria italiane e kohës ende nuk e kishte marrë dhe shpallur vendimin sipas të cilit “vlera e ndihmave humanitare të shkurtit 1991 ishte tejet e ulët, ku e ku më pak sesa shuma prej 9 milionë $, për të cilat ishin akuzuar Xhani de Mikelis e ishin përzgjedhur “Levante Co” dhe Xhuzepe Perniola, për t’i lëvruar në favor të shqiptarëve”.
Asokohe qeveria e majtë e Lamberto Dinit e kishte hallin për të shpëtuar nderin e Betino Kraksit, prapanicën e Xhani de Mikelisit nga çimentoja e birucave, si dhe karrierën e Klaudio Martelit.
Tashmë Kaco, (të cilin e bënë deputet vetëm pasi u dorëhoq me “dëshirë” nga pretendimi për mandat dhe vetëm pasi u këmbëhoq nga Shqipëria për t’u bërë konsull në Bari, rivali demokratikas i Mallakastrës), ka vendosur të hakmerret bashkë me Edvinin, kundër atij që i bëri burra dhe i mori nga katedrat, ku nuk ua vërshëllente askush dhe ku ishin bira e fundit e kavallit.
Por inati i ish pedagogut të Shkencave të Natyrës, që studioi në Francë krahas Gjinushit, nuk është më i vogël sesa inati i këtij të fundit kundër Metës, për të cilin “Skënderbeu i opozitës” deklaroi se “nuk do të bëhet kurrë kryeministër, pas fitores së zgjedhjeve nga e Majta në vitin 2009...”.
Gjinushi, që ndoshta është bashkautor i marifetit të listave të mbyllura bashkë me Kacon, të cilin e ka mik të vjetër, tashmë e konsideron Nanon “kufomë politike” dhe jashtë parlamentit, prandaj edhe, duke bërë ndarjen operacionale të punës me Kacon për asgjësimin e “politikës së vjetër”, nuk denjon t’i zërë as emrin Nanos, por i është vërsulur Metës për ta poshtëruar në favor të Edvinit, teksa e kërcënon me fuqinë vendimmarrëse të furrik-partisë që kryeson.
Kësoj Gjinushi bën gjest kalorsiak që nuk godet mbi Nanon, të cilin e ka frikë se i tall baba-gjeneralin që në vitet e LDB i dëftonte Thanasit “sesi t’i bënte dredha plumbit, ijas, kur ta shihte se po i vinte përballë një xixë e kuqe, me shpejtësi...”.
Por megjithatë Gjinushi nuk e lan veten aspak para Nanos, sa kohë që dihet se është miku i ngushtë i Kacos, me të cilin dhe Mejdanin, bënin triumviratin e lartë politik si të përzgjedhurit e Semiramis Alisë dhe të Ramizit.
Mesa duket Gjinushi, si shqytar i Edvinit, kërkon të shkatërrojë karrierën e Metës dhe, më pas, partinë e bash atij që po i merr anëtarësinë Edvinit, por njëkohësisht edhe Gjinushit, të cilin Meta e ka lënë vetëm me do qyqarë përreth.
Kjo urrejtje e Gjinushit për Metën është ku e ku më e madhe sesa shpirtmadhësia e Metës për ministrin e dikurshëm të Punës dhe Përkrahjes Sociale..., që përpiu fondet, apo ku e ku më i madh edhe sesa durimi i Nanos në favor të atij, të cilit i disponon fakte për përvetësimin e 63 milionë eurosh, vjedhje dhe rrushfete gjatë kohës së kryebashkixhiut.
“Po vras mendjen çfarë të mire të madhe të kam bërë që po më bën gropën”, - thonë njëzëri Nano dhe Meta për Ramën, Islamin dhe Gjinushin. Dhe ngaqë u kanë bërë aq shumë të mira dhe aq të mëdha, nuk janë në gjendje të gjejnë sesa milionë euro, plus karrierës, ka qenë masa e përfitimit financiar të këtij triumvirati kopukësh, ndonëse që të dy, Nano dhe Meta, janë ekonomistë dhe punojnë me kalem.
Sidoqoftë, më i qëndrueshmi hamendësim që të mbetet pas shqyrtimit të këtyre sulmeve, është egërsia e “luftës brenda llojit”, përzier me rivalitetin politik, e që mund t’i lërë Nanon pa mandat dhe Metën pa karrigen kryeministrore, nëse zotohen bash ata që e kanë të shenjtë zotimin e dikurshëm komunist, për të cilin personazhet e filmave socrealistë me temë lufte, shpreheshin: “Po ta bënë benë këta të partisë..., të puth halla mu në ballë...”.
Nga Astrit KOLA