Nishani: Ministria e Brendshme nuk do bëjë përgjime telefonike
Ndryshimet në ligjin për përgjimet telefonike janë bërë dje objekt i debateve të forta në Kuvendin e Shqipërisë midis përfaqësuesve të pozitës dhe opozitës në seancën plenare të ditës djeshme. Kryetari i Partisë Social Demokrate Skënder Gjinushi tha se ndryshimet për ligjin për përgjimet është për qëllime dashakeqëse të cila nuk do të sjellin asnjë gjë të mirë. Sipas fjalës së Gjinushit, të mbajtur para Kuvendit të Shqipërisë, ndryshimetq ë kërkohen të bëhen në ligjin për përgjimet do të sjellin evtëm abuzime çka do të sjellë edhe shkelje të njëpasnjëshme të hetuesve. Në këtë prizëm, kreu i PSD-së ështe shprehur se ai dhe partia që kryeson është kundër këtyre ndryshimeve. I menjëhershëm ka qenë reagimi i Ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani, i cili theksoi se institucioni që ai drejton nuk bën përgjime. Sipas Nishanit një ligj i tillë është për prokurorinë dhe organet hetimore të cilët kanë nevojë të kryejnë përgjimet për të zbuluar krimet e organizuara dhe hetime të tjera. Gjithashtu ai ritheksoi në Kuvendin e Shqipërisë se ministria e Brendshme nuk do të marrë atribute të tjera. Edhe anëtari i komisionit parlamentar të Ligjeve, Ilir Rusmali, duke shpjeguar disa nga ndryshimet që kërkohet të bëhen në këtë ligj, vuri në dukje se neni 23 i ligjit ekzistues ia linte në dorë instalimet dhe përgjimet Shërbimit Informativ të Shtetit i cili administron dhe kryen procedurat teknike të përgjimit. Ndërkohë, sipas tij, me projektligjin që po sillet në këtë komision kjo punë i hiqet SHISH-it dhe i jepet Prokurorisë. “Kjo procedurë është mjaft e thjesht, instalimet ia heqim SHISH-it dhe i sjellim tek Prokuroria, edhe pajisjet i largohen SHISH-it dhe vijnë tek Prokuroria, ndërkohë që pjesa tjetër e kodit të proçedurës nuk preket nga ky ligj. Ndryshimet që kërkohet të sanksionohen me këtë ligj nuk sjellin efekte tek procedurat, për sa kohë që këtu bëhet fjalë për kompjutera dhe jo për veprime, bëhet fjalë për akte dhe nuk bëhet fjalë për proçese”- theksoi ai.