Nga Kamza, Meta denoncon intrigantët dhe servilët që kanë pushtuar selinë e PS-së
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta ka akuzuar kryesocialistin Edi Ramën për mungesë lidershipi në momentet kyçe të reformës zgjedhore, duke qenë sipas tij nën influencën e intrigantëve dhe servilëve në selinë rozë që synojnë nëpërmjet kulisash që të përfitojnë sa më shumë pushtet. Ai zhvilloi dje një takim mjaft entuziast me qindra anëtarë dhe simpatizantë të LSI në Kamzë. Duke falënderuar pjesëmarrësit në këtë takim dhe duke bashkëbiseduar me to, lideri i LSI Meta theksoi domosdoshmërinë e një konsensusi dhe të një transparence ndërmjet faktorëve politikë në vend për Reformën Zgjedhore. Në këtë kontekst ai shprehu zhgënjimin nga një pjesë e lidershipit të PS-së, për mosrespektimin e protokollit të bashkëpunimit ndërmjet partive opozitare, për të pasur një qëndrim të përbashkët për Reformën Zgjedhore. “Sikurse e keni ndjekur në media është për të ardhur keq që përfaqësues të lidershipit të PS-së, kanë hyrë në tratativa jo transparente me përfaqësuesit e zotit Berisha duke anashkaluar parlamentin, duke anashkaluar dhe bllokuar Komisionin Parlamentar të Reformës Zgjedhore dhe për fat të keq duke shkelur një marrëveshje që kanë pasur pesë partitë e opozitës që si çështje të parë kanë pasur qëndrimin e përbashkët për Reformën zgjedhore” - tha Ilir Meta. Ne na vjen keq për këtë sjellje të lidershipit të PS-së, sepse nuk është as vullneti i Partisë Socialiste që aleanca për zgjedhjet të kërkohet në mënyrë, jo transparente me Berishën dhe jo në radhë të parë me opozitën”-deklaroi ai. Duke sqaruar të pranishmit për debatin e provokuar nga radhët e lidershipit të PS-së, për çështjen e kryeministrit të ardhshëm Meta u shpreh se një çështje e tillë nuk ekziston. “E ftoj shokun tonë Edi, që të mos bjerë pre e servilizmave të atyre njerëzve në lidershipin e Partisë Socialiste, të cilët e nxisin në veprime dhe sjellje arrogante krejtësisht të panevojshme, të cilat nuk e ndihmojnë bashkimin e opozitës dhe të së majtës, as faktorizimin e mëtejshëm të opozitës në raport me maxhorancën për reformat më të mëdha. Janë po këta njerëz që e nxisin sot Edin kundër koalicionit për të shkelur marrëveshjet, të cilët po dje nxisnin Fatos Nanon kur ishte Kryeministër kundër Ilir Metës dhe shumë socialistëve të tjerë që ngrinin probleme të ndryshme për qeverisjen e vendit. Në këtë kuadër ai tha se ata janë të njëjtët njerëz, me karakter intrigantësh, përçarësish, servilësh dhe i abuzuesëve me socialistët dhe me progresistët. Do të ishte më mirë që Rama të dëgjonte zërin konseguent të Petro Koçit dhe të shumë socialistëve dhe progresistëve, të cilët nuk kanë ardhur në Partinë Socialiste pas 97-ës”- vijoi më tej ai. Ndërkaq ai ka ftuar Ramën që të mos ushtrojë ndikim nga pozitat e tij si kryetar Bashkie ndaj televizioneve dhe gazetave, jo vetëm për të çensuruar kolegët e tij të opozitës, por edhe për të çensuruar zërat e ndryshëm brënda PS-së. “Ftoj edhe për diçka tjetër Edin që të heqë dorë nga e ashtuquajtura politikë e re që ka paraqitur deri tani. Është një mendësi e gabuar, u shpreh Meta, që të thuash që në 17 vjet nuk është bërë asnjë gjë” -përfundoi Meta.