E Shtunë, 31 Tetor 2026

200 mbështetës të PD në Shkodër i bashkohen PS, Rama: Emancipim shoqëror

SHKODER- Në kuadër të takimeve "Të djathtët për Rilindje" Kryetari i PS, Edi Rama është takuar në qytetin e Shkodrës me një grup prej rreth 200 personash ish-themelues, drejtues dhe mbështetës të PD-së në këtë qark si dhe përfaqësues të shtresës së të përndjekurve politikë gjatë regjimit komunist. Duke shprehur zhgënjimin e tyre të thellë për qeverisjen 8-vjeçare të PD-së, përfaqësuesit e të djathtës kanë theksuar në fjalët e tyre se nuk janë ata që po e tradhtojnë PD-në, por është kjo e fundit dhe qeverisja e saj që ka lënë në mëshirë të fatit të djathtën dhe gjithë Shqipërinë. 

Përfaqësuesit e së djathtës kanë vlerësuar programin e PS-së për një Rilindje Shqiptare, si e vetmja mundësi për ta nxjerr vendin nga kriza dhe u kanë bërë thirrje edhe të djathtëve të tjerë që t’i bashkohen alternativës së PS.

Sink Mustafe Lici, i persekutuar politik thotë: “Jam dënuar me vdekje, jam dënuar me burg politik. Për çfarë?! Për një liri, për një fjalë të vetme. Për atë që këtu, në këtë qytet e dhunojnë ditë pas dite Jozefina Topalli, Astrit Bushati e të gjithë me radhë. Që të gjithë ju nuk keni pasur asnjë hapësirë që të jeni në radhët e tyre, sepse ju kanë mbyllur dyert, sepse ata që na kanë burgosur ne i shihni nëpër drejtorira.”

Gjovali Stolaj, themelues dhe drejtues i PD shprehet: “Personalisht jam i zhgënjyer dhe i tradhtuar. Si unë edhe të tjerë anëtarë të Partisë Demokratike janë të zhgënjyer dhe të tradhtuar, por ne nuk po e tradhtojmë Partinë Demokratike. Partia Demokratike na ka tradhtuar ne. Ka tradhtuar idealet dhe shpresat e studentëve të dhjetorit. Ju të persekutuarve që jeni këtu dhe atyre që s’janë këtu, nuk e ka mbajt fjalën. Edhe demokratëve të tjerë që s’janë këtu ju bëj thirrje që të bashkohen.”

Kryetari i PS Edi Rama nga ana e tij nënvizoi se: “Hedhja e një hapi për të kapërcyer kufirin mes të djathtës dhe të majtës është emancipim shoqëror. Është kalimi nga një fazë historike kur marrëdhëniet e individit me partinë kanë qenë marrëdhënie të verbra, marrëdhënie tifozllëku, marrëdhënie të pakushtëzuara në një fazë historike kur marrëdhëniet e individit me partinë janë marrëdhëniet e një qytetari me një forcë politike që ka për detyrë t’i shërbej qytetarit dhe t’i përmbajë angazhimet e veta. Sot Partia Demokratike është përgjegjëse për transformimin e pushtetit të popullit sovran në pushtetin e një oborri familjarësh dhe klientësh në biznes të kryeministrit. Sot Partia Demokratike nuk ka asgjë çfarë t’ju thotë të djathtëve shqiptarë, sepse ata që u vranë, u burgosën, u persekutuan u trajtuan si qytetarë të dorës së tretë. Në 23 qershor të djathtët nuk do të bëhen socialistë, por do të votojnë Partinë Socialiste në mënyrë që t’i japin mundësi edhe PD-së që të rilindë, duke dalë në opozitë, duke u çliruar nga ky matuf komunist që e ka marrë peng, që i tregon çdo ditë Shqipërisë përralla nga ato që do të bënte botën të qeshte. Po s’ka çfarë belaje i gjen më shqiptarët dhe në 23 qershor shqiptarët do t’i heqin nga qafa ata të cilët i kanë hipur këtij vendi në kurriz dhe nuk po e lënë këtë vend të shkojë përpara", tha ai.
(m.a/BalkanWeb) Lidhje te tjera Dega e PD Shkodër: Largimi i 200 anëtarëve, shpifje e PS

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›