E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Ja sa rrugë janë ndërtuar apo rikonstruktuar realisht

TIRANË- Blogu i radhës i kryesocialialistit Rama mban titullin, “Ja sa rrugë janë ndërtuar apo rikonstruktuar realisht”. Një kundërpërgjigje kjo ndaj deklaratave të bërë sot nga kryeministri Berisha gjatë inaugurimit të një segmenti rrugor në komunat e Durrësit.
Sipas tij, janë ndërtuar dhe rikonstruktuar 1515 km rrugë. Ai fton më tej qeverinë të publikojë tabelën e saj të rrugëve.

SHKRIMI I PLOTË
Ndoshta kjo do të regjistrohet si një prej gënjeshtrave më monumentale të një kryeministri shqiptar: “Kemi ndërtuar 10.400 km rrugë të të gjitha llojeve”.
Ne kemi përllogaritur me një ekip ekspertësh të pavarur çdo pëllëmbë rrugë të vendit dhe ja e verteta:
Lloji i rrugëve: Investitor: Gjatësia (km)
(A) Autostrada — 0
(B) Superstrada (4 korsi) Buxheti i shtetit + Kredi. 135
(C) Rrugë Kombëtare të reja dhe rikonstruksion i plotë (1, 2 korsi) Buxheti i Shtetit + Kredi 560
(F) Rrugë rurale me 1, 2 korsi FZHSH (Fondi Kuvajtjan, GIZ, IPA, etj) 680
(F) Rrugë rurale (1+2 korsi) DPRR 140
Gjithsej: 1.515
Pra rezulton se gjithsej janë ndërtuar dhe rikonstruktuar 1515 km rrugë, duke filluar nga ato me 4 korsi e deri tek rrugët rurale me 1 korsi.
Qeveria dhe Kryeministri, le të publikojnë tabelën e tyre të rrugëve të shtruara segment për segment dhe financim për financim e le të provojnë shifrën e tyre! Por fatkeqësisht ky shtet ka marrë fund deri në pikën ku s’ka as inventar rrugësh dhe kjo qeveri nuk e nxjerr dot as një tabelë kaq të rëndomte për një shtet normal.
Përtej shifrës 10.400 km që lëshojnë paraqende Saliu dhe shpura e tij, asnjë institucion shtetëror nuk jep asnjë informacion për rrugët:
- as portali i Ministrisë së Transporteve;
- as Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve;
- as Fondi Shqiptar i Zhvillimit;
- as Instituti i Statistikave.
Madje institucioni përgjegjës për rrugët në Shqipëri, D.P.RR.-ja, nuk ka fare portal elektronik.
Ne dhe gjithë shqiptarët, mbetemi në pritje që qeveria të publikojë tabelat e rrugëve që janë ndërtuar në këta 8 vjet dhe të provojë se nuk gënjen dhjetëfish kur pretendon se ka shtruar aq rrugë sa distanca Tiranë – Tokio e matanë në oqean.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›