E Shtunë, 31 Tetor 2026

2010, Vit i shtrenjtimit

Çmimet e artikujve ushqimorë për çdo muaj të vitit 2010 krahasuar me një vit më parë, kanë shënuar ngritje me mbi 5 për qind. Shtrenjtimet më të mëdha kanë qenë te buka dhe drithërat. Nga Express më 04 janar 2011 në ora 13:15

Në bazë të dhënave të Entit të Statistikave të Kosovës, gjatë vitit 2010 ka pasur ngritje të çmimeve të produkteve ushqimore, ndërsa inflacion më i theksuar u vërejt te buka dhe drithërat. Ekspertët e ekonomisë thonë se inflacioni do të ishte edhe më i lartë, sikurse të mos përdorej valuta e euros, ndërkaq qytetarët shprehen se ngritja e çmimeve do ta rrisë edhe më tepër shkallën e varfërisë në vend. Drejtori i Statistikave ekonomike dhe llogarive kombëtare të Kosovës, Ilir Berisha, ka thënë për Kosovapress se Enti i Statistikave i publikon të gjitha të dhënat në bazë të metodologjisë, udhëzuesve të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Eurostatit dhe se çmimet mblidhen prej datës 15-25 të çdo muaji dhe pas monitorimit të tyre, bëhet përpunimi dhe kalkulohen indekset e lëvizjes.

“Nëse krahasohet indeksi i çmimeve të konsumit në përgjithësi për muajin nëntor, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të kaluar, atëherë ka një lëvizje prej 6.4 për qind. Kjo lëvizje e këtyre muajve ka filluar me fillim të vitit 2010 që ishte rast i kundërt me vitin 2009 që ishte një rënie e vazhdueshme e çmimeve, por që në mënyrë të theksuar u duk në gusht të këtij viti që pati një lëvizje prej 5.9 për qind. Vazhdimisht çdo muaj po të krahasohet me muajin e njëjtë të vitit paraprak ka një lëvizje që “shëtit” mbi 5 për qind. Inflacioni në nëntorin e kaluar ishte 6.2 për qind më i lartë sesa nëntori i vitit të kaluar”, ka thënë Berisha. Krahas kësaj, sipas drejtorit të statistikave ekonomike, ka pasur edhe rënie të çmimeve te perimet me 6 për qind, i cili sipas tij, ka ndikuar me 0.2 për qind në indeksin e përgjithshëm të çmimeve të konsumit. Eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, e konsideron fat që Kosova ka në qarkullim valutën euro, përndryshe sipas tij, vendi do të ballafaqohej me një inflacion edhe më të fuqishëm. “Nga vetë fakti se ekzistojnë disa indikatorë kyçë që matet shkalla e inflacionit, nëse kemi vetëm eksportim të parasë së gatshme, nëse kemi pak investime, nëse kemi rënie të remitencave, nuk kemi vende të reja të punës, atëherë, të gjithë këta indikatorë do të jenë ata që do ta zbehin ekonominë e Kosovës dhe do të ndikojnë në rritjen e inflacionit”, ka thënë Gërxhaliu. Ai the se duhet theksuar edhe faktin tjetër se është fat që Kosova ka euron, ndryshe po të kishte valutë të veten, do të kishte qenë e mbuluar me zero të pavlerë. Nga ana e tyre, qytetarët shprehen se ngritja e çmimeve të artikujve ushqimorë, e sidomos të bukës, do ta shtojë edhe më tepër skamjen dhe varfërinë në vend. Bajram Emërllahu nga Prishtina, ka thënë për Kosovapress, se ngritja e çmimeve të produkteve ushqimore po e bën edhe më të rëndë jetën e qytetarëve. “Të gjitha ngritjet e çmimeve rëndojnë edhe më tepër jetën e qytetarëve në Kosovë, kur dihet se me çfarë pagash punojmë, çfarë kushtesh kanë pensionistët, se çfarë paga merren në shërbime private. Andaj, çdo ngritje e çmimeve veç e rëndon jetën e qytetarit të rëndomtë në Kosovë”, ka thënë ai. Edhe qytetari Sali Ejupi thotë se çdoherë e më shumë po bëhet gjithnjë e më vështirë për qytetarët, për shkak të shkallës së lartë të papunësisë. Ai apelon te qeveria që të ndërmarrë masa dhe të mos lejojë që të ndodhin këto ngritje të çmimeve të produkteve ushqimore. “Në çdo vit po na vjen më shtrenjtë e me vështirë, na ka kapluar papunësia. Nuk kemi mundësi të punojmë askund, çdo shtrenjtim 5 centë ose 2 centë është shumë shtrenjtë për ne. Kemi pensionistë që marrin nga 20 euro ose hiq, kemi familje të dëshmorëve që nuk u ndihmon askush”, ka thënë Emërllahu. Indeksi i tërësishëm i çmimeve të konsumit në Kosovë në muajin nëntor është më i lartë për 0,4 për qind krahasuar me tetorin, derisa shkalla e inflacionit e matur në muajin nëntor të këtij viti krahasuar me muajin nëntor 2009 është 6,2 për qind. Në raportin më të ri të publikuar nga Enti i Statistikave të Kosovës theksohet se çmimet e konsumit u ngritën për 0,4 për qind në muajin nëntor krahasuar me muajin tetor. Ngritje e çmimeve vërehet te perimet (3,6%) me një ndikim prej 0,2 për qind, buka dhe drithërat për (1,1%), qumështi, djathi dhe vezët (1,2%), sheqeri, reçeli, mjalti, çokollata dhe ëmbëlsirat (5,7%), gazetat, librat dhe materialet për zyra (5,8%) që secila grup me një ndikim prej 0,1 për qind në IÇK. Rënie e çmimeve vërehet te pemët (-6,0%) me një ndikim prej -0,2 për qind në IÇK-it,
Krahasuar me nëntorin e vitit të kaluar, çmimet e konsumit në Kosovë në nëntor të këtij viti janë ngritur 6.2 për qind. Ngritje e çmimeve kryesisht vërehet te buka dhe drithërat për (23,4%) me një ndikim prej 2,4 për qind, vajrat dhe yndyrat (33,1%) me një ndikim prej 0,9 për qind. Përdorimi i pajisjeve për transportin personal (12,5%) me një ndikim prej 0,7 për qind. Sheqeri, reçeli, mjalti, çokollata dhe ëmbëlsirat (16,6%), duhani (6,5%) që secila grup me një ndikim prej 0,4 për qind. Rryma, gazi dhe lëndë djegëse të tjera (3,6%) me një ndikim prej 0,3 për qind. Kafja, çaji dhe kakao (8,7%), veshja (2,0%) që secila grup me një ndikim prej 0,2 për qind. Mishi (1,1%), qumështi, djathi dhe vezët (2,7%), pemët (2,8%), pijet alkoolike (8,1%), furnizimi me ujë dhe shërbimet e ndryshme që kanë të bëjnë me vendbanimin (11,1%), gazetat, librat dhe materialet për zyra (6,1%), kujdesi personal (3,4%) që secili grup me një ndikim prej 0,1 për qind në IÇK.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›