Termokosi ngrin Prishtinën
Tri orë ngrohje në mëngjes dhe tri tjera në mbrëmje. Kjo është situata aktuale e furnizimit me ngrohje nga ngrohtorja Termokos, për qytetarët e Prishtinës.
Me 300 mijë euro që ia dha si ndihmë Komuna e Prishtinës, sezoni ngrohës mund të zgjatet edhe një javë – normalisht, me reduktime. Ngrohja për këto shtatë ditë, sa është siguruar mazut, ua ngroh banesat qytetarëve vetëm në mëngjes dhe pak në mbrëmje. Gjatë ditës, atyre iu mbetet të gjinden si të munden.
Gjendje e vështirë, posaçërisht, është në Qendrën Klinike Universitare. Pacientët atje, në pikë të dimrit, janë duke gjetur metoda për t’u ngrohur, duke përdorur edhe shishe plastike të mbushura me ujë të ngrohtë.
Në Termokos nuk e marrin aq serioze situatën, duke thënë se i kanë paralajmëruar me kohë institucionet për këtë gjendje. Thirrjeve për ndihmë fillimisht i qe përgjigjur Ministria e Financave, me mbi 150 mijë euro ndihmë dhe tash Komuna e Prishtinës, me 300 mijë euro.
Zëdhënësja e Termokosit, Zana Efendia, thotë se këto mjete veçse e kanë shtyrë pak sezonin ngrohës, pasi nuk e zgjidhin problemin deri në fund. Duhen afër 5 milionë euro që kjo ndërmarrje t’ia dalë në krye kësaj pune.
“Po punohet me reduktime, tri orë në mëngjes dhe tri të tjera në mbrëmje”, thotë Efendia.
Sipas saj, ndihma prej 300 mijë eurosh nga Komuna e Prishtinës siguron ngrohje vetëm edhe për një javë.
Reduktimet nuk bëjnë përjashtim as për pacientët e Qendrës Klinike Universitare. Efendia thotë se edhe për aty vlen orari i njëjtë i reduktimeve.
“Kur harxhohet mazuti, atëherë për QKUK’në do të sigurohet ngrohje me naftë”, thekson ajo.
Zyrtarët e Termokosit nuk e përjashtojnë mundësinë e mbylljes së sezonit të ngrohjes para kohe, siç ka ndodhur edhe vitin e kaluar. Atëbotë, Termokosi u detyrua që sezonin ta përfundojë një muaj para kohe. Mungesa e mjeteve financiare ishte edhe atëherë arsyeja. Veç kësaj, menaxhmenti i Termokosit ishte ankuar edhe për shkurtim të subvencioneve. Për vitin 2010, subvencionet nga buxheti i Kosovës janë 36 për qind më pak, krahasuar me sezonet e kaluara. Kur kësaj i shtohet fakti se edhe në të kaluarën ka pasur probleme, pritet të jetë një dimër vërtet i ftohtë.
Problem tjetër janë borxhet e konsumatorëve. Vlerësohet se për periudhën 1999-2010, ato arrijnë shifrën mbi 15 milionë e 600 mijë euro. Vetëm për dy sezonet e fundit, borxhi i konsumatorëve është mbi 3 milionë e 380 mijë euro.
Veç kësaj, ndërmarrja, duke qenë se e ka nisur këtë sezon me vështirësi financiare, po apelon te konsumatorët dhe institucionet relevante që ta përkrahin në sigurimin e lëndës djegëse, mazutit.
Pacientët ngrohen si të munden
Shumë nga pacientët e shtrirë në QKUK kujdesen vetë për të siguruar ngrohje. Kada Lushtaku, rreth të 80-ve, e shtrirë në Repartin e Ortopedisë, të hënën nuk kishte të ftohtë. Familjarët e kanë ndihmuar atë, duke i sjellë një ngrohëse nga shtëpia. Miftar Uka, po ashtu pacient, ka bërë të njëjtën zgjidhje për ngrohje. Zëdhënësi i QKUK’së, Shpend Fazliu, thotë se situata e krijuar është pasojë e reduktimeve të ngrohtores. “Natyrisht kjo ngrohje nuk mjafton për të gjitha klinikat, repartet dhe shërbimet tona”, ka thënë Fazliu për Radio Kosovën. Si pasojë e temperaturave të ulëta që mbretërojnë në disa reparte të QKUK’së, pacientët në gjendje më të mirë shëndetësore janë liruar për në shtëpi gjatë festës së Vitit të Ri.