2010, skema e dhurimit të gjakut pa pagesë
Në Tiranë ka një rritje prej rreth 3 mijë dhurimesh më shumë dhe ky është një tejkalim i objektivit të rritjes së dhurimeve këtë vit. Sipas të dhënave, deri në qershor të këtij viti, në bankën e gjakut ka pasur shumë dhurime vullnetare, në krahasim me një vit më parë. Në vitin 2010, dhurimi i gjakut pritet të jetë 100% i papaguar, ndërkohë që po punohet prej vitesh për kalimin nga sistemi tradicional i dhurimit të rregullt me pagesë në sistemin e dhurimit të rregullt pa pagesë. Të dhënat aktuale tregojnë se dhurimet e gjakut me pagesë kanë rënë ndjeshëm, krahasuar me vitet e mëparshme. Nëse 3 vjet më parë, Tirana plotësonte 50 për qind të nevojave me dhënës me pagesë, sot ka më pak se 10% dhënie me pagesë dhe pjesa tjetër nga dhurime familjare e vullnetare. Në vitin 2008, numri i dhurimeve vullnetare zuri 15% të totalit, kundrejt 11% në vitin 2005. Numri i dhurimeve në 5 muajt e parë të këtij viti është dyfishuar, krahasuar me një vit më parë, por ende mbetet shumë për të bërë, pasi nuk është arritur mjaftueshmëria me gjak. Me plotësimin e kuadrit ligjor për promovimin e dhurimit vullnetar të gjakut, do të ketë akoma më shumë një shtysë pozitive në drejtim të rekrutimit të dhuruesve vullnetarë të gjakut. Të dhënat tregojnë se vetëm në dy vitet e fundit dhurimi i gjakut është rritur 30%. Në vitin 2008 ishin 20 400 dhurime, kundrejt 14 670 dhurime në vitin 2005. Kjo rritje u dedikohet dhurimeve familjare që kanë kompensuar humbjen e dhënieve me pagesë, vërejtur në këto tri vite.