E Diel, 1 Nëntor 2026

Sa faj ka çadra kur zë rrebeshi?

Këto radhë janë hedhur dje andej nga orët e drekës, kur Kongresi i PS-së, i shumëpritur jo vetëm nga të majtët, kishte nisur punimet. Deri në atë orë të drekës dukej se më shumë të majtët tanë e kishin hallin ta hiqnin apo ta mbanin Edi Ramën, se sa të merrnin vesh se ku i kishin hedhur hapat gabim në këtë betejë të gjatë që quhet lufta për pushtet.

Historia politike e Edi Ramës i ngjan vërtet një çadre. Në fillim, PS-së dhe shumë prej njerëzve që e kundërshtojnë sot Ramën, Edi Rama iu duk si një çadër, më saktë si një ombrellë, nga ato të gjërat që përdoren zakonisht në Londër. Energjia e tij, mënyra e tij për t‘i bërë gjërat ndryshe, sukseset e tij në Bashkinë e Tiranës dhe kontaktet e tij me jashtë, u erdhën shumë për shtat disa krerëve socialistë. Andaj menduan: Sa herë të bjerë shi, kjo do të jetë çadra jonë dhe u mbështollën të gjithë rreth tij. Madje "çadrën" e tyre e hapnin nga qejfi edhe sa herë që nuk binte shi, por vetëm kur ndonjë re e largët dukej në horizont. Kështu vazhdoi kjo histori për katër vjet. "Çadra" vazhdoi të punonte në shi e në diell dhe të tjerët strukeshin poshtë saj. Ishin rehat si në hije e si në shi.

Por punët ndryshuan kur PS-ja humbi zgjedhjet. Më saktë nuk arriti ta marrë dot pushtetin, sepse në total PS-ja ka më shumë votues dhe më shumë deputetë se ç‘ka pasur ndonjëherë. Por "rrebeshi" Berisha kishte mbërritur mbi çadër. Tani shumëkush në PS tha nuk e ka fajin "rrebeshi" e ka fajin "çadra".

Çadrat janë disa lloje, të vogla, nga ato që mbahen për në makinë, të zakonshme nga ato të kohës së Enverit që iu thyhen telat shpesh, të mëdha me atë butonin në fund dhe ombrellat që arrijnë ta përballojnë diku rrebeshin.

Më logjike do të ishte që në kohë rrebeshesh, sikurse kalojmë sot, të mos ia vinin fajin çadrës. Kështu duhej ta mendonin edhe socialistët. Nuk e ka fajin shiu, faji është i atij që mendon se rrebeshi kalohet vetëm me një çadër, pa çizme llastiku, pa mushama, e kështu me radhë. Mund të jetë e vërtetë që çadra e PS - Edi Rama - nuk arriti që ta përballojë "rrebeshin" Berisha, por kjo assesi nuk mund të jetë fati i tij personal, ose më saktë vetëm i tij.

Duke i lënë mënjanë alegoritë. PS-ja ka një histori të gjatë kasketash, pra të njerëzve që janë lidhur me këtë parti vetëm nga historitë e tyre të lavdishme që lidhen me PPSH dhe jo me idealet e vërteta socialiste. Edi Rama, "çadra", sikurse thamë, sigurisht që ka shumë mëkate, por nuk është ai fajtori i vetëm. Ishte ai i pari që e bëri PS-në një parti edhe më europiane, dje në Kongres janë diskutuar disa kandidatura të tjera. Nga pikëpamja qytetare, me të gjitha të metat që ka çdo njeri, ai mund ta mbajë atë parti në nivele qytetare, e përsëris edhe një herë jo nga interesat e majta, por gjithëqytetare.

Historia e partisë që ai ka drejtuar në këto katër vjet, është një histori mjaft e trazuar. Ajo ka nisur me një origjinë nga jashtë, pastaj ka vazhduar për dekada e dekada me radhë me një luftë të përgjakshme brenda dhe jashtë llojit. Vërtet që emri i PPSH-së ndryshoi në PS në vitin 1991, por kjo nuk donte të thoshte aspak se hijet e intrigave, spiunllëqeve, interesave të ngushta, klaneve, kushërinjve nga fshati, servilëve, spiunëve ishin fshirë papritur, sepse kjo ishte në tërësi një mënyrë mendimi.

Edi Rama, tashmë me pseudonimin tonë "çadra", ishte përfaqësues i atij lumi njerëzish që dikur kishin vërshuar në rrugë kundër këtyre hatarave, që të gjithë i kishim parë. Atëherë kush më mirë se ai mund të përfaqësojë etjen e pjesës moderne të socialistëve për të ndryshuar? Cili më mirë nga ai mund të bënte afrimin e të rinjve në parti, duke i larguar disa nga ata, që jo një herë iu ishte zënë emri me gojë për ca të bëra e të pabëra? Cili më mirë nga ai mund ta përballë "rrebeshin" me emrin Berisha? Punët e socialistëve janë punët e socialistëve, por vendi ka nevojë për një opozitë të fortë, madje, mund të duket e çuditshme, por për një opozitë të fortë ka nevojë edhe vetë "rrebeshi". Në gjithë diskutimet, deri në këto kohë që po shkruajmë sigurisht, është diskutuar vetëm një gjë: Rama "çadra" paska vepruar kryesisht në kokë të vet. Nuk është thënë tamam kështu, por ky ka qenë thelbi i atyre që deshën ta largojnë. Pra Rama paska përdorur një dorë të fortë në parti. Si për çudi, e njëjta e metë është çelësi i suksesit të kundërshtarit të tij, "rrebeshit". Nuk ka asnjë dyshim se fitorja e PD-së në zgjedhje i dedikohet drejtimit me dorë të hekurt të Berishës. Tani hajde ta marrim vesh, dora e hekurt duhet, apo s‘duhet? Apo ajo vlerësohet vetëm kur disa marrin poste e privilegje të tjera? Meqë e nisëm me çadrën le ta mbarojmë me të. Ka raste kur rrebeshe të forta nuk i duron as ombrella më e fortë, por kur bëhemi qull nuk do të thotë që fajin na e ka gjithnjë çadra.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›