E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapet pas 10 vjetësh vrasësi i 20-vjeçarit

Zbulohet pas 10 vjetësh vrasësi i 20-vjeçarit Lekë Malotaj. Ngjarja e ndodhur në qershor të vitit 1999 kishte mbetur e pazbardhur nga policia dhe vetëm dje është bërë prangosja e autorit, Gjergj Ara, 60 vjeç, nga Dukagjini. Burime nga Policia e Shkodrës bëjnë të ditur se autori, banues në fshatin Oblikë të Shkodrës, ka vrarë më datën 20 qershor të vitit 1999, në fshatin Palaj të Dukagjinit, 20-vjeçarin Lekë Malotaj. Të njëjtat burime thonë se shkak i ngjarjes ka qenë një grindje banale mes djalit të autorit dhe viktimës. Sherret e vazhdueshme mes dy të rinjve, kanë bërë që Ara, në atë kohë 50 vjeç, të qëllojë me armë zjarri mbi 20-vjeçarin Malota, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Hetimet për vrasjen e ndodhur në vitin 1999 në Dukagjin ishin pezulluar për mungesë provash dhe dosja prej 10 vitesh kishte qëndruar e mbyllur. Më pas, Sektori Kundër Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Shkodrës e ka rihapur çështjen e mbetur pezull. Pas disa javësh hetime është bërë zbulimi dhe dokumentimi ligjor me prova të kësaj ngjarjeje të vjetër, që është finalizuar me prangosjen e autorit të ngjarjes. Në momentin e arrestimit, i dyshuari si autor i vrasjes nuk ka shfaqur rezistencë ndaj forcave të policisë, që kanë shkuar ta prangosin në banesën e tij, në fshatin Oblikë, dje, në orët e para të mëngjesit. Pas 10 vitesh nga koha kur është kryer vrasja, 60-vjeçari Gjergj Ara do të përballet me dy akuza: atë të "Vrasjes me dashje" dhe "Mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake". Vrasjet e vjetra, kryesisht të periudhës 1997-2000, përbëjnë 80 për qind të rasteve të pazbuluara, ku për mungesë provash qëndrojnë të mbyllura në dosje. Sipas burimeve nga Policia e Shkodrës mësohet se për vrasjet e ndodhura veçanërisht në periudhën mars-dhjetor 1997, është shumë e vështirë të gjenden prova ligjore, për të vënë autorët para drejtësisë. Kjo për faktin se në atë periudhë, në vendngjarje nuk shkonin as forcat e rendit dhe as grupet hetimore për të mbledhur prova dhe për të kryer veprimet hetimore, për shkak të rrezikshmërisë që paraqitej nga grupet kriminale, sidomos në zonat e thella malore.

Sektori kundër krimeve të rënda në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Shkodrës, në vazhdimësi ka pasur në shënjestër autorë të ngjarjeve të vjetra, të cilët, për mungesë provash, lëvizin të lirë. Gjatë këtij viti, nga sektori i krimeve të rënda në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Shkodrës, është bërë zbulimi dhe kapja e disa autorëve të ngjarjeve të vjetra. Kujtojmë rastin e Kujtim Berbullushit dhe Edmond Mullisë, të shpallur në kërkim nga viti 1997, pasi qëlluan mbi patrullën e policisë, duke lënë të vdekur policin Arben Lasku. Po gjatë këtij viti është bërë arrestimi i shtetasit Helidon Baloipasi, pasi në vitin 2000 ka plagosur rëndë me armë zjarri një shtetas në qytetin e Shkodrës. Burime konfidenciale nga Policia e Shkodrës pohuan për "Shqip" se janë duke u marrë në dorë të gjitha vrasjet e ndodhura kryesisht pas vitit 1997, ndërsa shumë vrasje të bujshme që mendohet se kanë mbetur pa autorë, janë drejt dokumentimit me prova ligjore.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›